“Fillim i një skenari të orkestruar nga SHIK-u”/ Vjen paralajmërimi i keq për Albin Kurtin – kështu po synohet rrëzimi i tij

Politika

“Fillim i një skenari të orkestruar nga SHIK-u”/ Vjen paralajmërimi i keq për Albin Kurtin – kështu po synohet rrëzimi i tij

Nga: P.R Më: 9 shtator 2022 Në ora: 20:17
Albin Kurti

Gjatë ditës së djeshme, Lidhja Demokratike e Kosovës zyrtarizoi aderimin e deputetes nga koalicioni Vetëvendosje-Guxo, Doarsa Kica-Xhelili.

“Sot, Lidhjes Demokratike të Kosovës, iu bashkua deputetja e Kuvendit të Kosovës, Doarsa Kica Xhelili. Si politikane aktive e profesioniste e shquar, ardhja e saj në LDK është vlerë. Për këtë jemi të lumtur të gjithë. Me Doarsën kemi biseduar gjatë mbi politikën, aktivizmin dhe vizionin e Lidhjes tonë për vendin. Pikëpamjet e saj për Kosovën, për të tashmen e të ardhmen e brezave të këtij vendi - për drejtësinë në veçanti - janë vlera që provojmë t’i shpërfaqim me këmbëngulësi në çdo veprim tonin politik. Kemi folur për LDK-në, idetë tona përpara dhe nevojën e ndërtimit të kësaj rruge së bashku me më të mirët e vendit. Ky është qëllimi ynë; Doarsa është e tillë, prandaj dhe rrugëtimi ynë i natyrshëm. Ajo ka shumë për t’i dhënë Lidhjes Demokratike të Kosovës, anëtarësisë sonë e idealeve tona të përbashkëta në rrugën e gjatë që na pret përpara”, tha ndër tjerash në prezantimin e saj, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

E lëvizjen e deputetes Kica-Xhelili drejt LDK-së, analisti politik, Gani Qarri e sheh si një sinjal i një krize të re politike që mund të shpërthejë në Kosovë.

Image
Gani Qarri

“Për habi të qytetarëve dhe mbarë opinionit të gjerë të vendit, edhe në gjendjen e tensionuar, që aktualisht po kalon Kosova me sfidën për targat, bisedimet dhe arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse me Serbinë, nëntoka e krimit të organizuar e lidhur me ish pushtetarët e inkriminuar, së fundi ka filluar që brenda koalicionit qeverisës LVV- GUXO, të blejë deputet të luhatshëm e të pa vendosur të LVV- dhe GUXO, për të prodhuar krizë politike e institucionale, pamundësuar funksionimin normal të qeverisë dhe dobësuar pozitën negociuese të Kosovës në dialog me Serbinë, që duket se është qëllimi kryesor, jo vetëm i Serbisë por edhe i opozitës së inkriminuar”, thotë Qarri për “Bota sot”.

“Lëvizja e deputetes Doarsa Kica-Xhelili nga Guxo në LDK, është një përpjekje për kamuflimin e dyshimeve të bazuara për inskenime meskine të SHIK-ut, dhe nëntokës kriminale të lidhur me Serbinë, për rrëzimin, apo të paktën dobësimin në shkallë sa më të ulët të pozitës dialoguese të Qeverisë së Kosovës në këto çaste vendimtare, me Serbinë”, shprehet Qarri.

Më tej, Qarri largimin e deputetes Kica-Xhelili nga koalicioni Vetëvendosje-Guxo, e lidh edhe me paralajmërimin e shefit të grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, i cili kishte thënë se disa deputetë nga pozita do t’i bashkohen LDK-së.

“Akt që krijon dyshime të hapura se, që nga greva në arsim, transferi i deputetëve me para, mashtrim e manipulime, e deri te paralajmërimi i paradokohshëm i kryetarit të grupit parlamentar të LDK-së Arben Gashi për transferet e deputetëve dhe "rrëzimin" e qeverisë, janë veprime të mirëkoordionuara me Listën srpska dhe shërbimet e fshehta të Aleksandër Vuçiqit, të cilat që të gjitha, në kor dhe njëkohësisht paralajmëronin rrëzimin e Qeverisë së Kosovës, në vjeshtë!? Është paksa e habitshme se si krejt kjo filloi, në fazën e fundit të finalizimit të pakos ligjore për reformimin e sistemit të drejtësisë, kur pritet konfiskimi i pasurisë së kundërligjshme, të grumbulluar me korrupsion dhe krim të organizuar, të cilën ish pushtetarët e inkriminuar, nuk dinë se si ta arsyetojnë, për ti ikur konfiskimit”, shpjegon analisti Gani Qarri.

Qarri jep edhe paralajmërim e keq për partinë tashmë të formuar, Guxo, për të cilën thotë se nuk mund ta kalojë as pragun zgjedhor.

“Sa i takon partisë Guxo, siç dihet ajo është parti e re, e vogël dhe e pa profilizuar sa duhet politikisht, ndaj duke marrë parasysh faktin se sidomos partitë e vogla, jo vetëm janë tkurrur edhe më tepër, por kohën e fundit, kanë rënë edhe nën pragun zgjedhor, edhe Guxo nuk shohë të ketë perspektiv të konkurrojë në zgjedhje e vetme, por në koalicion në mënyrë që ta kalojë pragun zgjedhor”, nënvizon Qarri.

Ai thotë se largimi i deputetes Doarsa Kica-Xhelilit është fillim i një skenari të orkestruar nga SHIK-u, që synim ka rrëzimin e qeverisë Kurti.

“Ndërsa largimi i deputetes Doarsa Kica-Xhelilit, përveçse është lajm i keq për Guxo dhe vet z. Kurti, është edhe fillimi i realizimit të aktit konspirativ të transfereve të deputetëve të luhatshëm e aksidental, i orkestruar nga SHIK-u, për prodhimin e krizave të qëllimshme në koalicionin qeverisës, prishjen e balancës së votimit dhe të vendimmarrjes me 61-65 vota në Kuvend, si dhe luhatjen e istikameve me fuqi absolute të Qeverisë Kurti, të betonuar me 51% të votave të qytetarëve në nivel vendi. Sipas kalkulimeve të prognozuara nga Beogradi, përveç largimit të deputetes Doarsa Kica, edhe 6-7 deputetë të tjerë do ta "braktisin" LVV-në, skenar ky i sofistikuar i SHIK-ut, për rrëzimin e Qeverisë dhe bërjen e vendimmarrjes, jo-funksionale, në momentet vendimtare të bisedimeve Kosovë-Serbi”, deklaron Qarri.

“Inskenime perfide, të orkestruara shkaku i këmbënguljes së Qeverisë Kurti, që të mos lëshojë pe për targat, madje përkundër presionit të Serbisë, Qeveria aktuale nuk po pranon krijimin e "zajednicës" me kompetenca ekzekutive, dhe as ndarjen e Kosovës, ngase marrëveshjet e tilla ishin akte tradhtie, për të cilat, pas reformimit të sistemit të drejtësisë dhe përfundimit të procesit të Vetting-ut, autorët e nënshkrimit dhe miratimit të tyre, në dëm të Kosovës, duhet e do të vendosen medoemos prapa grilave dhe marrin dënimin e merituar”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik, Gani Qarri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat