Deklaratat kundër Kosovës të Bujës, Çitakut e Hoxhajt, “lufta speciale e Thaçit”, kërcënimet e Vuçiqit dhe paralajmërimi i Albin Kurtit!

Politika

Deklaratat kundër Kosovës të Bujës, Çitakut e Hoxhajt, “lufta speciale e Thaçit”, kërcënimet e Vuçiqit dhe paralajmërimi i Albin Kurtit!

Nga: N. Sh. Më: 20 shtator 2022 Në ora: 10:25
Enver Hoxhaj, Vlora Çitaku dhe Ramë Buja

Qeveria e Kosovës, për fatin e keq të qytetarëve të saj, ka kohë që nuk kërcënohet më vetëm nga Serbia dhe Lista Serbe, por siç u shpreh edhe presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç kërcënimet më serioze, asaj kanë filluar t’i vijnë nga kundërshtarët e saj, që po paguhen nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiqi.

Kështu shprehet analisti politik, Gani Qarri i cili shton se, në një vend me opozitë të tillë të dyshimtë, edhe paralajmërimet e kryeministrit Albin Kurti, për një luftë të mundshme me Serbinë, jo vetëm që janë shumë serioze, por mund të kthehen edhe në realitet tepër të hidhur dhe agresion shumë të rrezikshëm për shqiptarët.

“Sa më shumë që po afrohet fundi i bisedimeve Kosovë-Serbi, aq më të ashpra po bëhen edhe kërcënimet e Serbisë ndaj Kosovës, kjo për faktin se pas insistimeve të kryeministrit Kurti, në propozimin më të ri të marrëveshjes, u fut edhe paragrafi i të drejtave të barabarta për shqiptarët nën Serbi, për të dy pakicat kombëtare, si për pjesëtarët e pakicës serbe në Kosovë ashtu edhe për shqiptarët në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë dhe gjithë shtrirjen gjeografike të Kosovës Lindore, të mbetur nën Serbi, që nuk ishte prezentë fare, në asnjë dokument, tash e mbi 11 vite, të bisedimeve të zhvilluara gati kot, nën udhëheqjen e partive të inkriminuara, të cilat me Thaçin në krye e lëshuan Kosovën në situatë katastrofale të dialogimit duke i vendos fusnotën statusit të saj politik dhe kthyer formalisht në krahinë të Serbisë”, thotë Qarri për gazetën “Bota sot”.

Ai thotë se, Vuçiqi para nënshkrimit të marrëvveshjes me Kosovës, po tentot përmes kërcënimeve dhe bandave serbe t’i jetësoj qëllimet e arritura e të firmosura në tavolinë me Hashim Thaçin.

“Duke qenë se Vuçiqi, mjerisht posedon marrëveshjet shkatërrimtare për shtetin e Kosovës, si ajo për formimin e “zajednicës” dhe bosnjëzimit të Kosovës, si hapi i parë praktik drejt ndarjes, përderisa shqiptarët e Kosovës Lindore nuk ishin të përfshirë asnjëherë dhe në asnjë nga temat e bisedimeve Kosovë-Serbi, qoftë edhe për garantimin e sigurisë dhe jetës së tyre, me të drejtat kombëtare e gjuhësore si dhe ato të shkollimit me tekste adekuate mësimore, në trojet e veta, Vuçiq tani para se të nënshkruhet marrëveshja përfundimtare gjithëpërfshirëse, pas të cilës nuk mund të ri-kërkohet më gjë, po tenton që edhe përmes kërcënimeve me kryengritje të bandave kriminale serbe në veri dhe agresion të armatosur, t’i jetësoj qëllimet e arritura e të firmosura në tavolinë me kuislingun Thaçi & Co”, shprehet ai.

Image
Aleksandër Vuçiq dhe Hashim Thaçi

Ai shton se, me këto sjellje, Vuçiqi po tenton që të realizojë ato që dëshiron për serbët në Kosovë, por të mos u ofrojë në asnjë mënyrë, asnjë të drejtë shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit e Medvegjës.

“Kjo pasi që në krye të qytetit kryesor të shqiptarëve, në Preshevë, ka vendosur një adoleshent politik si Shqiperim Arifi, i cili është bërë "mashë" apo dorë e zgjatur shqipfolëse e Vuçiqit në këto anë dhe më së paku interesohet për të drejtat dhe kushtet e jetesës së shqiptarëve, të cilët gjatë gjithë kohës, edhe ashtu vetëm heshtin e nuk reagojnë për asgjë”, thotë Qarri.

Analisti tregon edhe për rrezikun që ka paralajmëruar presidenti kroat për Qeverinë Kurti.   

“Dhe përveç Listës serbe, e cila që nga viti 2014 e këndej, me miratimin e bandës së Thaçit & Co, ka shfrytëzuar lirisht dhe pa asnjë pengesë aparaturën e terrorit shtetëror të Serbisë, për të shtrirë ndikimin në të gjitha vendbanimet me pjesëtar të pakicës serbe, duke vepruar si shtet në shtet, tanimë po shihet qartë se Serbia ka në dispozicion edhe shumë kuadro të shantazhuara të partive të inkriminuara opozitare në Kosovë, nga rreziku prej të cilëve, së fundi tërheq vërejtjen edhe presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, se po angazhohen me të gjitha mjetet për rrëzimin e Qeverisë Kurti, pa harruar këtu edhe grevat politike të Rrahman Jasharit & Co të nxitura nga njerëz të dyshimtë të partive opozitare, për ta bllokuar tërësisht edhe zhvillimin normal të arsimit dhe nxitur pakënaqësi sociale në gjithë vendin, mu në momentet vendimtare dhe më të rënda të ballafaqimit të Kosovës me Serbinë fashiste”, thekson ai.

Image
Gani Qarri

Sipas tij, përderisa siç u shpreh edhe shefi i Grupit Parlamentar të "Partisë Popullore serbe" Mirosllav Aleksiq, para deputetëve dhe vet Vuçiqit, në parlamentin e Serbisë, se krimineli Milan Radojiçiq, me urdhër të Vuçiqit, maltreton serbët, por jo shteti i Kosovës, duke i shantazhuar dhe bërë presion për dëgjueshmëri e nënshtrim, deri te vendimi se kush do të marr dru për dimër", Vuçiqi i trimëruar nga përballja e Kosovës me insinuatat e krijuara nga opozita destruktive politike, ku shkaku i veprimeve konspirative antishtetërore, jo çdo gjë po ecë si duhet, përsërit e përditëson pareshtur kërcënimet e hapura për luftë, kundër Kosovës.

“Prandaj duke pasur parasysh sulmet e koordinuara të opozitës brenda vendit dhe kërcënimet e përditshme nga jashtë të kriminelit Vuçiq, duket se paralajmërimet e kryeministrit Albin Kurti, për një luftë të mundshme me Serbinë, sidomos tani kur po afrohet edhe muaji i fundi i afatit dymujor për zëvendësimin e targave ilegale serbe me ato legjitime të Republikës së Kosovës, në veri të vendit, vërtetë të jenë mjaft serioze, plotësisht me arsye dhe të mundshme për të ndodhur”, pohon Qarri.

Sipas tij, Vuçiq dhe Serbia nuk pretendon të bëjë agresion të përmasave të gjëra në gjithë Kosovën, por duke llogaritur në përkrahjen formale apo pajtimin ne heshtje të partive të inkriminuara opozitare në Kosovë, mund të ketë planifikuar një kryengritje të kufizuar të serbëve lokal, të kombinuar me një intervenim të pjesshëm policoro-ushtarak mga Serbia, në regjionin e veriut të Kosovës duke zhvilluar krahas kësaj edhe një fushatë të egër frikësimi në Kosovën Lindore, që ti dëboj edhe ata pak shqiptarë të mbetur, nga Medvegja, Bujanoci e Presheva.

Image
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiqi

“Kështu që me një goditje tu shkaktojë shqiptarëve dy dhembje të mëdha dhe të pariparueshme, duke okupuar me forcë veriun e Kosovës dhe spastruar tërësisht Kosovën Lindore nga shqiptarët, për t’i vendosur edhe fuqitë e mëdha para aktit të kryer, ku humbësit më të mëdhenj serish, gjithsesi do të ishin shqiptarët, për çka përgjegjësinë ligjore, morale dhe kombëtare do ta bartin partitë e inkriminuara opozitare në Kosovë, të cilat pa asnjë hezitim, po bëjnë gjithçka të mundshme, kundër vendit dhe popullit të vet, për t’i ardhur në ndihmë Aleksandër Vuçiqit, në mënyrë që Serbia ti realizojë të gjitha qëllimet e veta, kundër shqiptarëve dhe shtetit të Kosovës”, thotë Qarri.

Analisti tregone dhe kur filloi lufta speciale ndaj shtetit të Kosovës, nga Thaçi.

“Në fakt lufta speciale, nga Thaçi & Co, kundër shtetit të Kosovës ka filluar qysh me ndarjen e Mitrovicës, vendosjen e fusnotës mbi statusin e shtetit tonë të vogël, duke anashkaluar edhe vulosjen e pavarësisë së Kosovës me vendimin pozitiv të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe vazhduar me nënshkrimin dy herë të marrëveshjes, si dhe miratimit të saj edhe në Kuvend, për formimin e "zajednicës" kundërkushtetuese serbe, deri te kërkesat publike të kuislingut Thaçi me 25 korrik të vitit 2018 në forumin e Ballkanit Perëndimor për ndarjen e Kosovës, në Alpbach të Austrisë, pa harruar këtu pagesat që me urdhër të tij, u janë bërë firmave të huaja si ajo franceze Majorelle PR & Events, për promovimin e ndarjes me parat e taksapaguesve të Kosovës”, potencon ai.

Ai përmend edhe deklaratat e Ramë Bujës, Vlora Çitakut dhe Enver Hoxhajt.

“Kërkesë renegate antishtetërore e cila nga eksponentë të dyshimtë të PDK-së vazhdon edhe sot të proklamohet hapur, ndaj duke pasur parasysh se të gjitha aventurat më të rrezikshme kundër shtetit të Kosovës, përgatiten në kuzhinat e SHIK-ut dhe PDK-së, qysh në vizitën e parë të emisarit të lartë amerikan z. Eskobar, bërë këtë vit në Kosovë, i cili përderisa deklaronte se nuk ka ndryshim kufijsh, as asociacion me kompetenca ekzekutive, Ramë Buja dhe Vlora Çitaku dolën publikisht me kërkesën për ndarjen e Kosovës, ndërsa Enver Hoxhaj kërkonte bosnjëzimin e saj, me krijimin e "zajednicës" kundërkushtetuese një etnike serbe etj.”, shton ai.

Sipas tij, aksioni i nisur me 1999, po vazhdon edhe sot kur jemi më afër se kurrë, para përfundimit të bisedimeve me shtetin okupator serb të kryesuar nga pasardhësi dhe ministri i informatave të kasapit Millosheviq, Aleksandër Vuçiq.

“Megjithëse tani ka marrë forma dhe dimensione tjera, as që ka rënë nga intensiteti por po vazhdon në mënyrë shumë të sofistikuar, duke rifilluar pikërisht, mu në momentin e ndërmjetësimit të z. Eskobar për dakordimin e marrëveshjes për targa dhe qarkullimin e lirë me Serbinë, me kërkesën e ekstremistëve islamist, për futjen e mbulesave turko-arabe nëpër shkolla, për tu dhënë SHBA-ve, BE-së dhe gjithë botës demokratike, sinjale skandaloze se Kosova nuk është pjesë e demokracisë evropiane, por bastion i lindjes dhe islamizmit ekstrem në Ballka”, thotë ai.

“Luftë e cila po vazhduar me bllokimin total të arsimit me grevat e thirrura prej sindikatave, në momente dhe kohë të dyshimta,  për dobësimin maksimal dhe detyrimin e Qeverisë së Kosovës, për dorëzim para Serbisë okupatore, me qëllimin perfid renegat, antikombëtar e antishtetëror, që Serbia fashiste ti realizojë sa më lehtë dhe në mënyrë sa më të kompletuar të gjitha qëllimet e veta, me dëme të pariparueshme për Kosovën dhe shqiptarët e mbetur në këto troje, të cilët shumë lehtë, për faje të insinuatave të opozitës së inkriminuar, mund të kthehen në palestinez të Evropës dhe të mos kenë më as ku të jetojnë si njerëz me dinjitet”, përfundon analisti poitik Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat