Atë që nuk e bëri Thaçi për 13 vite, e bëri Kurti pas 1 viti e gjysmë qeverisje/ Kosova trajton seriozisht fatin e shqiptarëve të Luginës

Politika

Atë që nuk e bëri Thaçi për 13 vite, e bëri Kurti pas 1 viti e gjysmë qeverisje/ Kosova trajton seriozisht fatin e shqiptarëve të Luginës

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 24 shtator 2022 Në ora: 11:48
Ardita Sinani dhe Albin Kurti

Ish kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani do të ketë një rol tjetër në Luginë. Ajo është emëruar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti këshilltare politike për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Për këtë vendim të Qeverisë, është deklaruar edhe vet kryeministri Kurti, i cili ka thënë se kjo po bëhet në funksion të përmirësimit të gjendjes së shqiptarëve në këto komuna, madje duke themeluar zyrën për Preshevë të Zyrës së Kryeministrit.

“Kam emëruar znj. Ardita Sinani, Këshilltare Politike për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

Në funksion të përmirësimit të gjendjes së shqiptarëve në këto komuna dhe për mbrojtjen e avancimin e të drejtave të tyre, do të themelojmë Zyrën për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, që do të koordinohet nga znj. Sinani”, thuhet në deklarimin e Kurtit.

Këtë vendim e ka komentuar nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, për të cilin ka thënë se është hap i gabuar dhe për më tepër i dëmshëm.

“Sikur Kryeministri të ishte i sinqertë në qëllimin e tij për të ndihmuar shqiptarët e luginës nuk do të emëronte znj Sinani, për shkak se Ardita është kryetare e një subjekti politik në Preshevë. Sikur Kurti të ishte i sinqertë në qëllimin do të emëronte dikë apartiak. Së paku formalisht, zonja Sinani, para se ta publikonte vendimin për emërim si këshilltare politike në Qeverinë Kurti, do të duhej ta kishte publikuar dorëheqjen si Kryetare e PVD-së në Preshevë”, ka thënë ndër tjera Çitaku.

Kurse, Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj ka thënë idenë e themelimit të zyrës për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc në kuadër të zyrës së kryeministrit ishte ide e vendime të marrura nga Qeveria Hoti para dy vitesh.

Përmes një postimi në Facebook, Selmanj tha se në vitin 2020 Qeveria Hoti kishte votuar në mbledhjen e saj për themelimin e kësaj zyre.

“Albin Kurti promovon si ide dhe vendime të reja diçka që para dy vitesh Qeveria Hoti i ka marrë. Me 28 shtator 2020 Qeveria e Kosovës më qëllim të institucionalizimit të mbështetjes shtetërore për shqiptarët që jetojnë në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc ka votuar në mbledhjen e saj për themelimin e kësaj Zyre”, shkroi Selmanaj.

Mirëpo, analistët këtë veprim të Kurtit e vlerësojnë shumë me vet faktin se shqiptarët atje pritët të futen në procesin e dialogut me Serbinë.

Mehazi: Kurti ia hedh Vuçiqit edhe topin e dytë politikë brenda Serbisë

Image
Sulejman Mehazi

Profesori Sulejman Mehazi për “Bota sot” ka thënë se ky vendim ka kuptimin e reciprocitetit të ndërsjellë ndaj zyrave politike serbe në Kosovë, e ka kuptimin edhe të një mini- konsullate të Kosovës në Serbi që do i jep shkas qeverisë së Kosovës që edhe Lugina të futet në tryezën e dialogut me Serbinë.

“Nëse qeveria e Serbisë që moti ka krijuar çfarë do lloje ministrish e zyrash të këshilltarëve politikë për serbët e Kosovës pse mos ta bënte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për qytetarët shqiptarë të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Zgjedhja e znj. Ardita Sinanit, si Këshilltare Politike për qytetarët shqiptarë të Luginës nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është për t'u përshëndetur dhe lirisht mund të themi se kjo zyrë politike e Kosovës jo vetëm që e ka kuptimin e reciprocitetit të ndërsjell ndaj zyrave politike serbe në Kosovë, por e ka kuptimin edhe të një mini- konsullate të Kosovës në Serbi që do i jep shkas qeverisë së Kosovës që edhe Lugina të futet në tryezën e dialogut me Serbinë”, thotë ai.

Sipas tij, me këtë veprim Kurti po ia hedh topin e dytë politikë presidentit serb.

Tutje, shton se Kurti po largon problemet politike nga Kosova, duke ngarkuar Vuçiqin me problemet brenda Serbisë, e që sipas tij, kjo problem politik brenda Serbisë do jetë edhe Zyra e Këshilltares Politike, Ardita Sinanit në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

“Me hapjen e Zyrës Këshilluese Politike të Kosovës në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, kryeministri i Kosovës, Kurti, përveç letërnjoftimeve presidentit të Serbisë, Vuçiqit, ia hedh edhe topin e dytë politikë brenda Serbisë. Si shihet kundërsulmet politike të qeverisë së Kurtit ndaj Serbisë po dalin të suksesshme për Kosovën duke e ngarkuar qeverinë e Serbisë brenda kufijve administrativ të saj. Derisa Vuçiqi me qeveritë paraprake të Kosovës futej politikisht brenda Kosovës, mirëpo Albin Kurti bën të kundërtën duke larguar problemet politike nga Kosova e duke ngarkuar Vuçiqin me problemet brenda Serbisë. Një ndër problemet politike brenda Serbisë do jetë edhe Zyra e Këshilltares Politike, Ardita Sinanit në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Derisa qeveritë e mëparshme të Kosovës ndaj Vuçiqit ishin defanzive brenda Kosovës, Albin Kurti çon politikë ofenzive brenda Serbisë e jashtë Kosovës, ndër ofenzivat politike të qeverisë së Kurtit është edhe Zyra e Këshilltares Politike, Ardita Sinanin, për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë”, nënvizon ai.

Qarri: Ky është akti paraprijës, që çështja e shqiptarëve të Kosovës Lindore, doemos të shtrohet në dialog

Gani Qarri shpjegon se Serbia kaherë ka zyrë për Kosovën në vendin tonë, andaj edhe vendimi i Kurtit ishte se për shqiptarët në Luginë të ndërmarrë diçka vërtetë serioze, për tu ardhur në ndihmë, me të gjitha mundësitë që kemi si shtet, bashkëkombësve tanë në trojet e veta etnike.

Image
Gani Qarri

Madje sipas tij, kjo ishte e domosdoshme për vet faktin se Serbia, siç dihet ka filluar ti shlyej në mënyrë masive edhe adresat e tyre, për të ulur sa më shumë numrin e shqiptarëve në këtë pjesë të trojeve tona etnike.

“Serbia, që nga përfundimi i luftës në Kosovë, ka hapur një zyrë, të ashtuquajtur të "posaçme" në qeverinë serbe për Kosovën, e cila detyrë speciale, që nga fillimi, ka pasur dhe ka, avancimin e të drejtave të serbëve dhe bërjen e shtetit të Kosovës jo funksional, përderisa udhëheqësit e inkriminuar dhe të shantazhuar të Kosovës edhe në bisedime me Serbinë, shkonin me duar në xhepa, pa asnjë dokument, madje nuk u shihje, të mbanin as letër dhe një laps të thjeshtë para veti në tavolinë, nga të cilët siç po dëshmohet edhe sot, pas mese 11 vitesh të bisedimeve, nuk ka asgjë domethënëse për Kosovën si shtet i pavarur, as shqiptarët nën Serbi.

Ata përveçse nuk u lodhën kurrë për mënyrën sesi do të rridhte dialogu me Serbinë, nuk u morën asnjëherë seriozisht as me çështjen e shqiptarëve të Kosovës Lindore në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë dhe pjesëmarrjen e përfaqësuesve të tyre në dialog me Serbinë, duke nënshkruar edhe formimin e "zajednicës" me kompetenca ekzekutive, e madje nga viti 2018, harruan tërësisht shqiptarët nën Serbi dhe filluan të kërkonin publikisht edhe ndarjen e Kosovës dhe faljen e të gjitha krimeve dhe gjenocidit të shkaktuara nga Serbia në Kosovë.

Prandaj ishte koha e fundit që edhe Kosova, në përpjekjet e saj praktike për përmirësimin e gjendjes së rëndë të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, të lënë tërësisht pas dore dhe kthyer në trevën më të prapambetur në rajon e më gjerë, si pjesa me popullsinë më të shtypur dhe ekonominë më të pazhvilluar në rajon, të ndërmarrë diçka vërtetë serioze, për tu ardhur në ndihmë, me të gjitha mundësitë që kemi si shtet, bashkëkombësve tanë në trojet e veta etnike. Kjo ishte e domosdoshme për vet faktin, se atje, ka kohë që përveç dëbimit masiv në heshtje të shqiptarëve nga shtëpitë dhe tokat e veta autoktone, Serbia, siç dihet ka filluar ti shlyej në mënyrë masive edhe adresat e tyre, për të ulur sa më shumë numrin e shqiptarëve në këtë pjesë të trojeve tona etnike”, shprehet Qarri.

Për aq më tepër, ai rikujton se Thaçi me shokë, gjatë 13 viteve të qëndrimit në pushtet, Qeveri dhe Presidencë, kurrë nuk kërkuan as nga QUINT-i, BE dhe SHBA, që t’i bëhej presion Serbisë, për ndalimin e diskriminimit, shtypjes politike, dëbimit me dhunë dhe pastrimit etnik të shqiptarëve, nga shtëpitë dhe trojet e veta stërgjyshore.

“Ata heshtën si mumie edhe për shpërnguljen e vazhdueshme dhe pasivizimin e pareshtur të adresave të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, këtë pjesë të gjeografisë tonë etnike, vetëm Qeveria Kurti, për herë të parë ndërmori hapin vendimtar në kuadër të zyrës së kryeministrit, për mbrojtjen institucionale dhe avancimin zyrtar, të të drejtave të tyre”, thotë Qarri.

Tutje, analisti deklaron se ky nuk ishte një hap vetëm në nevojë të kohës, por edhe hapi i domosdoshëm e madje edhe i patejkalueshëm, për tu vendosur përfundimisht në tavolinën e dialogut edhe fati i shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, qoftë edhe në rrugëtimet e fundit të dialogut me Serbinë, në mënyrë që kjo pjesë e bashkëkombësve tanë dhe territor i gjeografisë tone etnike atje, të fitojë ato të drejta kombëtare e njerëzore dhe trajtim etnik e politik që meriton.

“Dhe sipas informatës në komunikatën e lëshuar për media nga Zyra e Kryeministrit Albin Kurti, ky është vetëm hapi i parë, për themelimin edhe të Zyrës për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, në kuadër të Qeverisë së Republikës së Kosovës që do të drejtohet nga këshilltarja politike e kryeministrit Kurti zonja Ardita Sinani, e cila ishte edhe kryetarja e parë grua e Preshevës, për përmirësimin e gjendjes së shqiptarëve në këto komuna, ruajtjen e marrëdhënieve të mira me bashkëkombësit tanë atje dhe shtimin e bashkëpunimit institucional të Kosovës Lindore me Qeverinë e Republikës së Kosovës për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të të gjithë shqiptarëve të mbetur nën Serbi.

Duke pasur parasysh se Kosova tashmë, ka hyrë në fazën vendimtare të përmbylljes së bisedimeve mbi një dekadëshe me Serbinë, hapja e një Zyre për Kosovën Lindore, ishte jo vetëm nevojë e kohës, por edhe hapi i domosdoshëm e madje edhe i patejkalueshëm, për tu vendosur përfundimisht në tavolinën e dialogut edhe fati i shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegj, qoftë edhe në rrugëtimet e fundit të dialogut me Serbinë, në mënyrë që kjo pjesë e bashkëkombësve tanë dhe territor i gjeografisë tone etnike atje, të fitojë ato të drejta kombëtare e njerëzore dhe trajtim etnik e politik që meriton, e të mos mbetet në harresë të përgjithshme, që të dëbohen nga shtëpitë dhe tokat e veta edhe ata pak shqiptar, të cilët u kanë mbijetuar, ashtu si kanë mundur, sfidave të kohës dhe kushteve të rënda ekonomike, etnike, arsimore, të punësimit dhe ato politike nën Serbi.

Përderisa ish qeveritarët e inkriminuar dhe të shantazhuar nga Vuçiqi dhe Serbia, për më tepër se një dekadë, nuk u morën, pothuajse asnjëherë seriozisht me çështjen e shqiptarëve, të mbetur nën Serbi, vetëm me ndryshimet rrënjësore politike në Republikën e Kosovës dhe ardhjen e kryeministrit Kurti në krye të Qeverisë së saj, më në fund një Qeveri e vendit tonë pas mbi 23 vitesh të çlirimit nga Serbia, nisi përfundimisht të merret seriozisht me problematikën aq të rëndë të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, duke u emëruar nga vet kryeministri Kurti, këshilltare e tij politike për këtë trevë zonja Ardita Sinani e cila, përveçse vjen edhe vet nga ato anë, si kryetarja e parë femër e Preshevës, bashkë me deputetin shembull, bashkëkombësin tonë të respektuar zotëri Shaip Kamberin, njeh më së miri problemet dhe hallet e shqiptarëve të mbetur nën Serbi”, shprehet më tej analisti.

Në fund, ai këtë vendim e lidh edhe me reciprocitetin duke shtuar se ky është akti paraprijës, që çështja e shqiptarëve të Kosovës Lindore, në të gjitha fshatrat e qytetet dhe vendbanimet kudo ata jetojnë, doemos të shtrohet në dialogun.

“Kështu që emërimi i Ardita Sinanit këshilltare politike e kryeministrit Kurti për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, jo vetëm që tregon se më në fund, një Qeveri e Kosovës, vërtetë po merret seriozisht me çështjen e shqiptarëve të Kosovës Lindore, por duke njohur vendosmërinë e kryeministrit të Republikës së Kosovës për reciprocitet të plotë dhe në të gjitha aspektet me Serbinë, na bënë të jemi të bindur plotësisht, se ky hap kaq i qëlluar është akti paraprijës, që çështja e shqiptarëve të Kosovës Lindore, në të gjitha fshatrat e qytetet dhe vendbanimet kudo ata jetojnë, doemos të shtrohet në dialogun, i cili me ndërmjetësimin e BE-së, po mbahet në Bruksel me Serbinë.

Dhe ato kushte e të drejtat që do tu ofrohen pjesëtarëve të pakicës serbe në Kosovë, të njëjtat ti gëzojnë edhe shqiptarët në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, jo më, me fjalë e premtime boshe të qeverive mashtruese e gënjeshtare të Serbisë, por me akte të vulosura dhe dokumente zyrtare të BE-së, për vendosjen e drejtësisë reciproke, të barabartë dhe me kushte e parametra të njëjtë etnik e politik, për pjesëtarët e të dy popujve në shtetet relevante, si mënyra e vetme për garantimin e sigurisë e të paqes afatgjatë në rajon dhe këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor”, përfundoi Gani Qarri për Bota sot.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat