Sabotim i shtetit, drejt një krize të re? Skenar për nxitjen e trazirave në Kosovë

Politika

Sabotim i shtetit, drejt një krize të re? Skenar për nxitjen e trazirave në Kosovë

Nga: P.Rudi Më: 28 shtator 2022 Në ora: 18:47
Kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj

Tashmë një muaj, shkollat e Kosovës vazhdojnë të mbeten të mbyllura për shkak të grevës që ka nisur në arsim.

E deri më tani nuk ka asnjë shenjë se mund të ketë një marrëveshje në mes Qeverisë dhe sindikatave.

Kryeministri Albin Kurti i ka cilësuar sindikalistët si krijesa të PAN-it, koalicionit PDK-AAK-Nisma, që drejtohej nga Ramush Haradinaj.

“Bëhet fjalë për një inati ndaj Qeverisë. Sindikalistëve të PAN-it iu ka këputur sahati më 14 shkurt. Është keq se sa shumë po humbmi Është dashur të fillojë më 1 shtator (mësimi). Jam i bindur se nxënësit dhe prindërit duan të nis mësimi dhe mësimdhënësi duan të japin mësim. Nuk duam të bojkotohet shteti, pasi shkolla është shteti”, deklaroi Kurti.

Ndërsa, nga SBASHK-u i janë përgjigjur menjëherë kryeministrit Kurti, për të cilin thonë se janë të zhgënjyer.

Të gjendur në këtë situatë e të zhgënjyer nga këto deklarime të Kryeministrit të gjithë pjesëmarrësit e këtij takimi me kryetarët e Këshillave greviste të nivelit komunal e të universiteteve me keqardhje janë shprehur se kjo mungesë e vullnetit të Kryeministrit e Qeverisë për dialog dhe injorimi i kërkesave legjitime të grevistëve po bën që greva të vazhdojë edhe në ditët ne vijim”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e SBASHK-ut.

Përpjekje maksimale për nxitjen e trazirave

E sipas analistëve dhe njohëseve të zhvillimeve politike në Kosovë, ky është një sabotim i hapur që po i bëhet shtetit të Kosovës.

“Bojkotimi kaq i gjatë i mësimit, mbyllja maratonike e shkollave dhe pengimi i qëllimshëm i fillimit të vitit të ri shkollor 2022-2023, është sabotimi më i madh dhe më flagranti që ka mundur të ndodhë ndonjëherë në këtë vend, ndaj njërës prej shtyllave kryesore të vendit, si arsimi, nxënësve e qytetarëve dhe vet shtetit të Kosovës! Sabotim i hapur i inskenuar paraprakisht nga politika e inkriminuar dhe të ashtuquajturit mësimdhënës që kurrë nuk kanë pranuar të sprovohen, qoftë edhe njëherë të vetme, në riprovime të cilët nivelin më tepër se mjerues të padijes së tyre, e dëshmojnë me nxjerrjen e gjeneratave më të dobëta, në historinë e Kosovës, qysh nga vitet e Luftës së Dytë Botërore e këndej, me rreth gjysmën e nxënësve gjysmanalfabet, gjë që pasqyrohet, jo njëherë, por çdo herë edhe me të dhënat katastrofale të testeve që organizon PIS-a”, thotë analisti Gani Qarri për “Bota sot”.

Image
Gani Qarri

Sipas tij, është jo vetëm papërgjegjësi totale, por edhe kri, akt i palejueshëm, që Qarri e sheh si vepër penale, dhe se aktorët saj duhet të vendosen urgjentisht në bankën e të akuzuarve. “Ata duhet të marrin dënimin më të rëndë ligjor me primat tradhtie ndaj nxënësve e qytetarëve, sistemit të arsimit dhe vet shtetit të Kosovës nga të ashtuquajturat "sindikata" të cilat duke parë se udhëhiqen nga njerëz të papërgjegjshëm e tanimë edhe të dyshimtë, duhet të merret urgjentisht prokuroria e shtetit me ta”, shton Qarri.

Duke e parë situatën e krijuar, Qarri bën thirrje që të veprojë sa më parë Prokuroria e Shtetit dhe AKI-ja.

“Njerëz të tillë më së paku e kanë vendin në arsim, ndaj prokuroria, AKI-ja, sistemi i drejtësisë dhe Ministria e Arsimit, duhet t’i bëjnë publike qëllimet e vërteta të këtyre njerëzve të dyshimtë, ngase nuk mbyllen komplet shkollat e një vendi pa shpalljen e gjendjes së luftës, për arsye të tilla banale, si përrallat e rrahman jasharëve, se Qeveria nuk po ua epka edhe nga 50 euro, përderisa Ligji për rrogat është dorëzuar për shqyrtim dhe miratim në Kuvend, i cili u siguron shumë më tepër se sa pretendojnë aktualisht, krye sindikalistët e dirigjuar nga politika e inkriminuar”, shprehet Qarri.

Më tej, ai thotë se po bëhen përpjekje maksimale për nxitjen e trazirave sociale në Kosovë, pas të cilave, sipas Qarrit qëndrojnë pasardhësit e PAN-it.

“Pasardhësit e tyre sot, me situatën e krijuar aktuale nga ata, mu në kohën kur edhe Serbia ka shtuar kërcënimet e hapura për luftë dhe invadim ushtarak në Kosovë, po e shtyjnë vendin qëllimisht drejt një krize të re edhe më të thellë, ku përveç mbylljes së shkollave tash e një muaj po bëhen përpjekje maksimale edhe për nxitjen e trazirave sociale, ndaj jo Qeveria, se nuk është më në pyetje vetëm përpjekja për rrëzimin e saj, por mekanizmat përkatës të shtetit, duhet të ndërmarrin urgjentisht të gjitha masat e nevojshme për sqarimin e detajuar të qëllimit të vërtetë dhe personave që qëndrojnë prapa këtyre orkestrimeve klandestine, të cilët duket se kanë për qëllim, jo vetëm shkatërrimin e arsimit, por edhe ndarjen e veriut dhe shuarjen e shtetësisë së Kosovës, gjë që për asnjë çmim nuk duhet lejuar”, deklaron Qarri.

“Prandaj, gjithë ky inskenim politik, na bënë të kuptojmë edhe njëherë më tepër se edhe në të kaluarën nuk ka ndodhur asgjë rastësisht, duke filluar që nga vrasjet politike deri te nënshkrimi i marrëveshjeve për krijimin e “zajednicës” kundërkushtetuese serbe, miratimi i saj me shumicë absolute në Kuvend, kërkesa publike për ndarjen e Kosovës si dhe pagesat e firmave të huaja për promovimin e ndarjes së vendit edhe në botë, shuarja e Institutit për hetimin e krimeve serbe dhe kërkesa për faljen e krimeve të kryera nga Serbia në Kosovë!”, përfundon analisti Gani Qarri për “Bota sot”.

Lufta pozitë-opozitë

Image
Gurakuq Kuqi

 

Ndërsa, doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi, deklaron se krejt kjo është një luftë mes pozitës dhe opozitës në Kosovë.

“Aktualiteti politik i politikanëve dhe aktualiteti politik i qytetarëve janë dy gjëra thellësisht të ndara. Në Kosovë një klasë politikanësh kanë hallin si ta ruajnë pushtetin, një pjesë tjetër si të rikthehen me çdo kusht në pushtet, ndërsa qytetarët janë mënjanë të dyja këtyre palëve. Fatkeqësisht qytetarët janë mbetur spektator të dramave dhe gjuajtjeve pozitë e opozitë në formën primitive të “kungjave”, se sa për ndonjë interes të atyre që janë zgjedhë”, thotë Kuçi.

Sipas tij, qytetarët nuk janë duke iu përgjigjur provokimeve të sindikatave dhe opozitës në Kosovë.

“Qytetarët nuk janë duke iu përgjigjur provokimeve për trazira sociale nga sindikatat dhe opozita, madje as vet anëtarët e sindikatave nuk janë duke iu përgjigjur kësaj çështje. Kjo për faktin se qytetarët sa do që mund të jenë të pakënaqur tani, nuk janë shumë të gatshëm të rikthejnë personat të cilët bënin korrupsion çdo ditë dhe atë haptazi, personat të cilët përbëjnë grupe që nuk janë aspak politike por parapolitike”, shprehet Kuçi, i cili thotë se e gjithë kjo është një skenar për rrëzimin e qeverisë Kurti.

Eksperti Kuçi mendon se skenari për trazira sociale i opozitës ka dështuar, pasi qytetarët e kanë kuptuar situatën.

“Pra, e gjithë kjo është një skenar i përgatitur që vendi të bëhet tërësisht jofunksional dhe të shkaktohen trazira sociale si mundësi për rrëzimin e qeverisë, pasi nuk kanë ndonjë opsion tjetër nëpërmjet Kuvendit të Kosovës. Sidoqoftë, një qeveri është në krye të ofroj zgjidhje për çdo gjë, edhe në raste të tilla kur i sabotohet qeverisja, duhet të ofroj zgjidhje pa marrë parasysh se si. Një prej zgjidhjeve është duke filluar ndryshimet nga vetvetja sepse nëpër ministri nuk është që është funksionalizuar diçka në shërbim të qytetarëve që nuk ka qenë në të kaluarën, pra korrupsioni dhe shkelja e ligjit po vazhdon”, thekson Kuçi.

Më tej, ai shton se Albin Kurti e mori postin e Kryeministrit në kulmin e krizave të mëdha globale, gjë e cila ka ndikuar edhe në qeverisjen e tij.

“Fati i keq është se Kurti e mori qeverisjen mu atëherë në krizat më të mëdha globale. Kur krizat globale goditën të fuqishmit, këto kriza shkatërrojnë të vegjlit. Përveç tjerash qeverisja e tanishme ka sfidën edhe të dialogut me Serbinë dhe reprezaljet e mëdha që po bëjnë këta të fundit për shkak të rezistencës nga Qeveria e Kosovës. Të gjitha janë të përballueshme sikur të bënte një ekip më të mirë, qoftë nëpërmjet zgjerimit apo rikonfigurimit të Qeverisë”, deklaron Kuçi.

Megjithatë ai tërheq vërejtjen se vazhdimi i një gjendjeje të pashpresë, mund të prodhojë situata tensionuese e të padëshirueshme.

“Sidoqoftë, nëse vazhdon gjatë kjo gjendje e pashpresë, mund të ketë edhe veprime në rrugë. Potencialisht një veprim i tillë do fryhej edhe më shumë nga armiqtë e Kosovës që ta dërgojë Kosovën drejt gijotinës”, përfundon për “Bota sot”, doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat