Beogradi po provokon trazira dhe krizë artificiale në veri! / Skenari serbo-rus

Politika

Beogradi po provokon trazira dhe krizë artificiale në veri! / Skenari serbo-rus

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 28 shtator 2022 Në ora: 20:51
Aleksander Vuçiq dhe Albin Kurti

Më 1 nëntor mbyllet afati për targat e vjetra serbe, millosheviçiane, nga kur qytetarët serbë nuk do të mund të lëvizin me veturat e tyre, me regjistrimet KM, PR, PZ, GL etj.

Në një intervistë për median zvicerane “Republika”, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka folur edhe për këtë çështje, heqjen nga përdorimi të targave millosheviçiane, si dhe për provokimet e Serbisë në veri të vendit.

“Ne po punojmë shumë që serbët në Kosovë të kalojnë në targat e Kosovës. Sepse vetëm ata janë të ligjshëm në këtë shtet. Tani ia kam shtrirë dorën popullit.

Kushdo nga serbët që regjistron makinën e tij, që mban targat e përmendura më sipër, deri më 31 tetor, nuk paguan as taksa dhe as tarifë regjistrimi për automjetin. Kjo është shumë tërheqëse për serbët në Kosovë. Pikërisht për këtë po bëjnë presion strukturat ilegale. Por, ka ende kohë të mjaftueshme për të riregjistruar panelet tuaja”, ka deklaruar Kurti.

Shala: Beogradi po dëshiron të prodhojë krizë artificiale që ka potencial për trazira

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, në një përgjigje për “Bota Sot”, thotë se, edhe pse institucionet kanë qëndrimet e tyre të qarta, në terren po vërehet se presioni i Beogradit po jep frytet e tij negative, sepse sipas shifrave, vetëm 5 vetura kanë ndryshuar targat.

Image
Drizan Shala

“Në lidhje me vendimin mbi veprimin për ndryshim të targave të veturave, që skadon më 31 tetor dhe që nga ajo datë e tutje nuk mund të lëvizin qytetarët e Kosovës me targa të makinave që kanë akronime të qyteteve të Kosovës dhe që janë të prodhuara në Rashkë të Serbisë.

Pra, institucionet kanë qëndrimin e tyre për këtë pjesë, ndërsa në terren po vërehet që presioni i Beogradit po jep frytet e saj, ku para disa ditëve shifra ishte alarmante sa i përket aplikimeve për ndryshim targash, ku sipas shifrave patëm vetëm 0.053% apo 5 vetura të vetme nga gjithsej rreth 10.000 vetura”, thotë ai.

Sipas tij, Beogradi po dëshiron të prodhojë krizë artificiale që ka potencial për trazira.

“Serbia është duke thirrur drejtpërdrejtë, por edhe përmes subjektit të tyre Lista Serbe, për padëgjueshmëri institucionale, për komunitetin serb që jeton në Kosovë. Nga të gjitha këto manovrime politike deri te niveli lokal, që kap jetën e qytetarit serb, Beogradi po dëshiron të prodhojë krizë artificiale, e cila ka potencial për trazira, të sponsorizuar nga strukturat e shtetit të Serbisë.

Qeveria, respektivisht Policia e Kosovës dhe mekanizmat tjerë duhet që të harmonizojnë veprimet në terren, me KFOR-in dhe EULEX-in, që në çfarëdo varianti ku cenohet siguria/rendi dhe lëvizja e lirë, të reagojnë të unifikuar në mbrojtjen e ligjshmërisë në atë pjesë ku pritet të këtë tensione (në komunat veriore të Kosovë)”, përfundon Shala.

Halimi: Politikat destruktive i orkestron Serbia

Image
Armend Halimi

 

Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë (ISS), për “Bota Sot” shprehet se, veprimi i Qeverisë për shtrirjen e sovranitetit shtetëror në veri të vendit, ka hasur në rezistencë nga grupet e organizuara dhe sponsorizuara direkt nga Serbia.

E që sipas tij, të gjitha politikat destruktive i orkestron Serbia.

“Sigurisht që çdo vendim e veprim për shtrirje të sovranitetit shtetëror në veri të vendit ka hasur në rezistencë nga grupet e organizuara dhe sponsorizuara direkt nga Serbia, sepse realisht qytetarët serbë të Kosovës nuk kanë arsye shqetësimi, e as refuzimi, gjersa i takojnë këtij vendi dhe i gëzojnë të drejtat si çdo qytetar tjetër, e që edhe ndaj detyrimeve e dinë se duhet trajtuar njësoj, dhe jo siç janë mësuar nga pushtetet e kaluara, duke u diskriminuar pozitivisht pafundësisht”, thotë ai.

Sipas tij, Serbia me qëllimet e saj shkatërrimtare, por përpiqet të shfaq një lloj revolte serbe në veri.

Andaj, politikat destruktive i orkestron Serbia, e që kryesisht prej saj, varet çdo shfaqje e revoltës se serbëve të asaj pjese. Por, duke qenë se çdo ditë e më shumë Serbia po demaskohet, edhe e ka më të vështirë të fshihet pas nxitjes së akteve të dhunës në Kosovë, çka e bën përgjegjëse para bashkësisë ndërkombëtare, e që në këtë betejë me Serbinë destabilizuese, institucionet vendore duhet koordinuar politikat, qoftë edhe në aspekt të sigurisë me faktorin ndërkombëtar karshi saj”, thotë ai.

Në fund Halimi thotë se revolta eventuale serbe do të varet nga zhvillimet Rusi-Ukrainë, sepse realisht Serbia gjithherë ka llogaritur në ndihmën ruse.

“Intensiteti i çdo rezistence apo revolte serbe gjithsesi do të varet nga zhvillimet Rusi-Ukrainë, sepse realisht Serbia gjithherë ka llogaritur në ndihmën ruse, prandaj edhe në këtë rast do të varet se sa do të shkojë në bazë të konstruksioneve të shtetit rus apo do të ndjekë politikën e distancimit nga ky vend”, përfundoi Armend Halimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat