Paralajmërimi i ashpër i Evropës për Serbinë/ Bytyçi flet për skenarin që nuk po i përputhet Vuçiqit dhe Putinit

Politika

Paralajmërimi i ashpër i Evropës për Serbinë/ Bytyçi flet për skenarin që nuk po i përputhet Vuçiqit dhe Putinit

Nga: N. Sh. Më: 29 shtator 2022 Në ora: 22:18
Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi

Marrëveshja e nënshkruar në selinë e OKB-së midis Rusisë dhe Serbisë për politikën e jashtme e ka vënë Beogradin në një situatë shumë të vështirë.

Kështu është shprehur prof. dr. Enver Bytyçi i cili shton se, duket qartë se loja me dy karrike e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, ka marrë fund ose është në fundin e saj.

Profesori thotë se, kjo marrëveshje ka sensibilizuar Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aq sa edhe miqtë e Serbisë në Perëndim nuk mund të gjejnë më justifikim për të mbështetur Beogradin.

Ai thotë se, vetëm kryeministri i Shqipërisë vazhdon të heshtë e madje ta justifikojë këtë akt.

“Pikërisht për këtë arsye Komisioni dhe Parlamenti i Europës në projektin e integrimit të Serbisë në BE ka vënë disa kushte. Kushti kryesor është të vendosen sanksione kundër Rusisë nga ana e saj, sepse ajo është i vetmi vend në Europë që nuk ka marrë një vendim të tillë. Sigurisht që po i kërkohen edhe ndryshime të tjera politike, sidomos lidhur me Kosovën. Përfundimisht Europa po paralajmëron, po tregon forcë, nuk po merret me stilin e bisedës “Aman, tërhiqu nga Rusia dhe hajde me ne”!”, thotë Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, është një monet historik për Kosovën, por beson se edhe për Serbinë.

“Është koha kur përfundimisht Serbisë i duhet të largohet nga politika e Serbisë së Madhe. I duhet të njohë Kosovën dhe të tërheqë Milorad Dodikun nga pozicioni i tij destabilizues në Bosnjë. Por mbi të gjitha i duhet t’i thotë JO presidentit rus, Vladimir Putin. A do ta bëjë këtë Serbia, me qëllim që të anëtarsohet në Bashkimin Europian? A do të vendosë sanksione kundër Rusisë dhe madje në pak ditë ose javën e ardhshme, dmth, menjëherë pas krijimit të kabintetit qeveritar?”, shton ai.

Profesori pohon se, presidenti Vuçiq dha një sinjal pozitiv, kur shpalli se Serbia nuk i njeh rezultatet e referendumit në katër rajonet pro-ruse të Ukrainës.

“Ai e lidhi këtë qëndrim me gjoja idenë se me këtë akt “mbron të drejtën sovrane të Serbisë në Kosovë”! Por në këtë lëvizje unë shoh një zhvillim pozitiv. Teorikisht Vuçiq heq dorë nga ndarja e Kosovës, deri sa dënon përpjekjet e Kremlinit për ndarjen e Ukainës. Por nuk është shprehur ende sa i përket gadishullit të Krimesë. Nëse ai do të shprehet edhe kundër aneksimit të Krimesë nga ana e Rusisë, atëherë do të kuptojmë se Vuçiq ka filluar të bëjë një kthesë në politikat e shtetit serb”, pohon ai.

Megjithatë, sipas tij, edhe sikur presidenti i Serbisë të jetë pro-perendimor, është skeptik dhe nuk e beson se Serbia do të bëjë kthesën që kërkon Bashkimi Europian.

“Vënia e sanksioneve kundër Rusisë do të shkaktojë reagimin e kishës ortodokse serbe, akademisë, profesorëve të universiteteve, shkrimtarëve dhe kineastëve, artistëve që i kanë kënduar Milosheviqit. Do të shkaktojë reagimin kundër të gjeneralëve e madje edhe të politikanëve të tipit Daçiq dhe Vulin. Prandaj e shoh deklaratën për mos-njohjen e atij referendum si përpjekje për të mashtruar opinionin politik në Europë. Një akt me të cilin ai shpreson se Europa do t’i gëzohet këtij qëndrimi dhe do të harrojë sanksionet dhe marrëveshjen e lidhur në Uashington. Marrëveshja për të bashkërenduar veprimet në politikën e jashtme nuk është asisoj siç e thoshte ambasadori Hill para tri ditësh. Nuk është e vërtetë se nuk ka ndonjë element me rëndësi. Fakti që Serbia dëshiron të bashkëveprojë me Rusinë kundër Kosovës është i mjaftueshëm, për ta ndëshkuar Beogradin. Së paku për ta qortuar!”, thotë Bytyçi.

Sipas tij, alibia, sipas së cilës mos-njohja e referendumit në lindje të Ukrainës i shërben politikave të ruajtjes së sovranitetit serb në Kosovë është një alibi për të mashtruar qytetarët serbë dhe pjesën pro-serbe të superstrukturës së Serbisë.

“Por mos harrojmë, pjesa pro-serbe e popullsisë është gati 90 përqind e saj, ndërsa pjesa proserbe e superstrukturës është mbi 95 përqind. Vuçiq mund t’i gjejë 10 apo 15 ministra që mbajnë të njëjtin qëndrim si ai. Por nuk mund ta ndryshojë pikëpamjen dhe qëndrimin miqësor të serbëve në bazë e në elitë me presidentin rus, Vladimir Putin. Prandaj e shoh edhe si manovër të tij, edhe si përpjekje të dështuar, nëse ka ndonjë dozë sinqeriteti në vendimin e njohjes së referendumit. Megjithatë kur është fjala për marrëveshjen me Kosovën, duket se tashmë nuk mund të ketë një koordinim dhe qëndrim të njëjtë edhe Serbia, edhe Rusia. Beogradit do t’i duhet të dalë nga kuadrati i Moskës në marrjen e këtij vendimi. Kjo, sepse ndërsa Moska po e përdor Kosovën për të legjitimuar veprimet e saj në Ukrainë, Serbia ka interesa të tjera. Këto interesa ndoshta për herë të parë nuk përputhen. Por a do ta kuptojnë këtë udhëheqësit, politika, kisha, akademikët e Serbisë. Vështirë të thuhet diçka pozitive. Prandaj dhe dialogu do të jetë i vështirë”, shprehet profesori.

Bytyçi thotë se, pavarësisht kësaj Kosova ka shansin që në këto momente të dëshmojë epërsinë e saj në këtë dialog.

“Kjo falë vendosmërisë së liderishipit të sotëm, por edhe rrethanave që u krijuan pas sulemeve ushtarake të Rusisë kundër Ukrainës. Duhet shfrytëzuar ky moment i volitshëm. Nuk duhet nënvleftësuar dialogu. Duhet evituar krijimi i një republike Srpska në Kosovë, edhe nëse këtë e kërkon Edi Rama si dhe ndonjë ose disa opozitarë në Kosovë! Do të ishte ideale që të krijohet një unitet i përbashkët pozitë-opozitë! Dhe mbi të gjitha duhet larguar përfundimisht nga ideja batoniste se “U dashka me i dhanë diçka Serbisë, që ajo ta njohë Kosovën”!”, përfundon prof. dr. Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat