“Shteti nuk duhet të kontestohet me eksperimente të tilla”/ Paralajmëron Ahmeti, kjo mund të ndodh nëse formohet Asociacioni

Politika

“Shteti nuk duhet të kontestohet me eksperimente të tilla”/ Paralajmëron Ahmeti, kjo mund të ndodh nëse formohet Asociacioni

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 16 nëntor 2022 Në ora: 21:28
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vazhdon të deklarohet kundër formimit të Asociacionit të Komunave serbe.

Kurti dje në një intervistë për agjencinë austriake të lajmeve ka thënë për APA se s’do të krijohet një organizim i tillë komunash.

“Unë kam ardhur në pushtet vitin e fundit, kanë qenë paraardhësit e mi që e kanë nënshkruar atë marrëveshje me njerëzit e njëjtë që janë sot në pushtet në Serbi, pse nuk e kanë implementuar atëherë?”, ka thënë Kurti.

Ai tutje ka përmendur edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të cilin thotë se e ka konstatuar si kundërkushtetuese marrëveshjen e arritur nën ndërmjetësimin e BE-së.

“Kushtetuta jonë nuk është në pajtim me Asociacion etnik”, ka thënë Kurti duke shtuar se fryma e Kushtetutës së Kosovës është multi-etniciteti i shtetit.

Kurti kishte shtuar se Asociacioni nuk është kërkesë e serbëve që jetojnë në veri të Kosovës, por atë e kërkon Beogradi si përpjekje për të kompensuar humbjen e luftës nën drejtimin e Sllobodan Millosheviqit.

“Kërkesa për një autonomit të hapësirave më shumicë serbe në veri të Kosovës s’vjen madje as nga popullata lokale. Vetëm Beogradi dëshiron formimin që të kompensoj humbjen e luftës nën Millosheviqin, por nuk realizohet”, ka potencuar ndër të tjera kryeministri Kurti.

E analistët politikë thonë se Kurti i ka të gjitha arsyet e qëndrueshme që Asociacioni të mos merr dritën e gjelbër.

Analisti politik, Hidajet Ahmeti, ka thënë për ‘Bota sot”, se ky model i asociacionit krijon ndasi etnike, e jo integrim siç proklamojnë një pjesë e ndërkombëtarëve.

“Kryeministri Kurti i ka të gjitha arsyet e qëndrueshme që Asociacioni një etnik të mos të merr dritën e gjelbër nga Qeveria e Kosovës. Në njërën anë aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese konstaton se versioni fillestar i marrëveshjes nuk është në frymën kushtetuese, kurse në anën tjetër ky model asociacioni krijon ndasi etnike, e jo integrim siç proklamojnë një pjesë e ndërkombëtarëve”, ka deklaruar Ahmeti.

Image
Hidajet Ahmeti

Shteti i Kosovës nuk duhet të kontestohet me eksperimente të tilla, ka thënë Ahmeti, gjersa ka shtuar se pasojat do të jenë afatgjate dhe do të krijojnë destabilitet të tej zgjatur.

“Shteti i Kosovës nuk duhet të kontestohet me eksperimente të tilla, pasi pasojat do të jenë afatgjate dhe do të krijojnë destabilitet të tej zgjatur. Qeveria e Kosovës nuk duhet të pranojë kompromise përtej Pakos së Ahtisarit, pasi dëmtohet substanca e shtetësisë. Çdo kompromis i mundshëm, i cili do të tejkalonte krizën e thelluar, do të ishte i pranueshëm deri aty ku nuk krijohen mekanizma kontrolli nga shteti serb. Modele të tilla mund të gjendet në shtete me natyrë të njëjtë të historisë, por jo duke fuqizuar një pakicë etnike”, ka përfunduar Ahmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat