Tensionet dramatike në veri të vendit/ Paralajmërohet Serbia – ja çfarë ndodhë nëse e prek territorin e Kosovës!

Politika

Tensionet dramatike në veri të vendit/ Paralajmërohet Serbia – ja çfarë ndodhë nëse e prek territorin e Kosovës!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 13 dhjetor 2022 Në ora: 08:04
Pamje nga veriu i vendit

Ka disa ditë që veriu i Kosovës po vazhdon të jetë në tensione të mëdha për shkak të provokimeve që serbët po vazhdojnë t’i bëjnë, dhe dita ditës duke e përshkallëzuar situatën.

Serbët përdorën disa vendime të përkohshme të institucioneve të Kosovës për të krijuar krizë. Edhe pse u shty vendimi për targat, dhe së fundi u shty edhe vendimi për zgjedhje në veri, për institucionet e mbetura zbrazët për shkak se serbët i braktisën ato, kriza mbetet në intensitet të njëjtë. Rrugët të bllokuara në shumë vende, dhe veçanërisht nyja që e lidh komunikimin më të madh rrugor, veri-jug, në Rudarë.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, vendosi që zgjedhjet të shtyhen për në prill të vitit 2023. Aktualisht barrikadat po vazhdojnë edhe me pretekstin e arrestimit të një ish-polici serb të arrestuar për organizim terrorist të sulmit ndaj institucioneve të komisioneve lokale zgjedhore, dhe të sulmit ndaj policisë ku mbeti i plagosur polici Ekrem Neziri.

Neziri u plagos të premten që e lamë pas (09.11.), një patrullë e Policisë së Kosovës qe sulmuar me armë zjarri në Zveçan.

Sulmet dhe shpërthimet vazhduan thuajse disa herë në ditë. U sulmua edhe një patrulle e policisë së EULEX-it.

Hoxha: Politika e Serbisë dirigjohet nga Rusia

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, flet ish-komandanti i UÇK-së, Hafir Hoxha.

Image
Hafir Hoxha

Ai u shpreh se serbët në vazhdimësi dëshirojnë ta shqetësojnë Kosovën pasi deri tani kanë qenë edhe në pozita politike ku janë paguar nga Serbia të merren me çështjet e Kosovës.

Është e ditur, rregullisht, edhe unë e kam përmend se Serbisë nuk i konvenon që në Kosovë të jetë situata e qetë. Serbia e udhëheq komunitetin serb në Kosovë politikisht edhe gati se gjysma e aktiviteteve politike në Beograd merren me çështjen e Kosovës. Serbët e Kosovës paguhen mirë nga Serbia, janë prezentë (ishin prezent) në të gjitha institucionet e Kosovës në detyra të caktuara nga Serbia ku dhe i kanë dhënë llogari. Mes tyre Serbia merr hapat që ajo i parasheh për të përparuar në politikën e saj të brendshme dhe atë të jashtme”, u shpreh ai.

Hoxha më tej, thotë se politika e Serbisë dirigjohet nga Rusia.

“Politika saj dirigjohet nga Rusia dhe momentin që Rusia dhe Serbia e shohin të arsyeshëm destabilizimin e situatës në Ballkan në favor të tyre, edhe nëse duhet të marrin “aksione operative” faktikisht veprime luftarake e që nuk po i quajmë ashtu, ata do t’i ndërmarrin ato në Ballkan”, thotë ish-komandanti i UÇK-së.

Ndër të tjera ai shton se Serbisë nuk i konvenon një luftë tjetër, pasi do të jetë fatale për serbët.

Gjeneralët e ushtrisë serbe po ashtu janë prorus dhe me origjinë nga Kosova. Sidomos Komandanti i Ushtrisë Tokësore të Serbisë, gjeneral koloneli, Simoviq Milosav, të cilin e njoh shumë mirë pasi ishim në të njëjtën njësi gjatë shkollimeve ushtarake në Sarajevë 1981-1985, dhe e di që është tepër i përkushtuar për nacionalizmin serb e ndoshta nga analizat e pa matura mirë mundet të gabon njëjtë sikur Milosheviçi dhe të përsërisin gabim e të hapin konflikt luftarak me Kosovën dhe NATO-n ku me siguri një konflikt i tillë tani do të ishte fatal për Serbinë e shtyrë nga udhëheqësit politik e ushtarak me kahje shoviniste dhe radikale kundër botës demokratike në BE dhe në botë”, nënvizoi ish-komandanti i UÇK-së, Hafir Hoxha, për “Bota sot”.

Burjani: Gabimi i ndërkombëtarëve bëhet sepse nuk paraqesin një zgjidhje dhe nuk ia bëjnë me dije saktë Serbisë se s’kanë çka lypin më në Kosovë

Ndërsa, juristi Blerim Burjani në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ka folur për shtyrjen e zgjedhjeve në veri të vendit.

Image
Blerim Burjani

Ai thotë se së pari që KFOR-i dhe EULEX-i duhet t’i çarmatosin bandat kriminale, policia e EULEX-it duhet të marr masa për të ndal kriminalitetin ekonomik dhe krimet që bëhen nga banditë që nuk i kap rendi dhe ligji.

Mendoj që KFOR-i dhe EULEX-i duhet t’i çarmatosin bandat kriminale. Policia e EULEX-it duhet të marr masa për të ndal kriminalitetin ekonomik dhe krimet që bëhen nga banditë që nuk i kap rendi dhe ligji. Mendoj që Policia Kosovës të shërbejë si logjistikë e KFOR-it dhe EULEX-it, pa ndjekjen e banditëve dhe cubave të shumtë që dirigjohen nga banditë, lokal të përkrahur nga Vuçiqi s’ka gjë”, tha ai.

Juristi thotë që e gjithë kjo bujë në veri të vendit ka qenë plan i Vuçiqit të shtyhen zgjedhjet dhe se gabim në këtë rast janë edhe ndërkombëtarët që i lejojnë Serbisë të bëjnë lojëra me Kosovën.

“Shtyrja e zgjedhjeve ishte skenar i Vuçiqit pasi bënë çmos për t’i penguar ato.

Zgjedhjet nëse shtyhen plotësohet agjenda e Vuçiqit t’mos zihen vendet nga serbët tjerë në veri. Lojaliteti i Listës Serbe nuk do të sjellë kurrë asnjëherë zgjidhje për veri dhe serbët atje, kështu është planifikuar nga Vuçiqi, të mos ketë asnjëherë dalje nga kontrolli i Vuçiqit.

Gabimi i ndërkombëtarëve bëhet sepse nuk paraqesin një zgjidhje dhe nuk ia bëjnë me dije saktë Serbisë, se s’kanë çka lypin më në Kosovë. Politika jo e qartë i bënë të mundur Serbisë të luajë lojëra, madje edhe të nervozohet në Kosovën, BE-në dhe SHBA-në. Pra duhet të ndalet ky trend qesharak i Serbisë që bën hajgare me të gjithë BE-në dhe SHBA-në”, përfundoi juristi Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat