“Albin Kurti regjisor i gjithë dialogut në Bruksel, detyroi Vuçiqin e Serbisë të luajë rolin e viktimës me anë të barrikadave serbe”

Politika

“Albin Kurti regjisor i gjithë dialogut në Bruksel, detyroi Vuçiqin e Serbisë të luajë rolin e viktimës me anë të barrikadave serbe”

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 14 dhjetor 2022 Në ora: 10:18
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Aleksander Vuciq

Serbia po vazhdon ҫdo ditë me kërcënimet e saja, e ndërsa për barrikadat e vendosura në veri nuk po e kthen vendimin prapa. Sado që po bëhet thirrje për të larguar barrikadat dhe të zbutet situata që mund të ketë përkeqësime më të mëdha, serbët nuk po heqin dorë nga vendimi që po nxit konflikte.

Në këtë kohë kur po vazhdojnë edhe bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit, presidenti serb, Alekandër Vuҫiqi po këmbëngul në vendimin e tij.

Mirëpo, duke qenë në këtë situatë, a ka vend për bisedime në Bruksel pas tensioneve të fundit dhe retorikës kërcënuese të krerëve të Serbisë?

Lidhur me këtë ҫështje, ka folur për ‘Bota sot’ profesori universitar i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyҫi. Ai thotë se, ngjarjet e fundit dhe tensionet e shkaktuara nga banditët serbë në veri të Kosovës janë produkt i kërkesave të BE-së dhe SHBA-ve për të përshpejtuar me dialogun midis Kosovës dhe Serbisë. Beogradi ka zgjedhur pikërisht të angazhohet për destabilizimin e situatës në Kosovë, me qëllim që dialogu të devijohet nga projekti i emërtuar si “franko-gjerman”. Sepse nëse vijon ky dialog e arrihet një marrëveshje e tillë, pas kësaj nuk mundet që Beogradi të provokojë me barrikada dhe destabilizim të rendit kushtetues.

Bytyҫi: Qëllimi final i Vuҫiq, ndarja e Kosovës me dhunë

“Mirëpo nëse Beogradi nuk do të mundet më të bëjë këto që po bëhen në veri të Mitrovicës, nuk do ta arrijë qëllimin e tij për ndarjen e Kosovës. Prandaj dhe presidenti Vuҫiq është angazhuar të përdorë destabilizimin si mjet të arritjes së qëllimeve të tij. Qëllimi final, ndarja e Kosovës me dhunë. Qëllimi i radhës ndërprerja e dialogut. Preteksti barrikadat që ai i ngre vetë dhe dalja prej institucioneve, të cilën ai e ka urdhëruar po ashtu vetë. Megjithatë Vuҫiqi është në presion shumë të madh. Fakti që ministrja e Jashtme e Gjermanisë adresoi fajtorin e ngjarjeve në Beograd dhe shfajësoi plotësisht institucionet dhe qeverinë e Kosovës, flet shumë. Fakti që SHBA-të, përfshirë dhe ambasadorin Hill, kritikuan qeverinë dhe presidentin e Serbisë, është sinjal që dëshmon për presionin e madh që po i bëhet Vuҫiqit për të pranuar fillimisht të diskutojë rreth planit franko-gjerman. Kësaj here ky plan ka marrë miratimin e të katër Fuqive të Mëdha të Perëndimit, SHBA-ve, Britanisë së Madhe, Gjermanisë dhe Francës. Ky është një sukses për Kosovën dhe paqen në rajon. Duhet të shpresojmë se asnjë prej këtyre fuqive nuk do të kërkojë revizionimin e planit”, thekson ai.

Image
Enver Bytyçi

Sipas tij, kjo do të thotë se ‘Vuҫiq nuk gjen më ndarje e të ҫara në Bashkimin Europian sa i përket opsionit të zgjidhjes. Kjo do të thotë se presidenti serb vihet para alternativës, ose ta integrojë Serbinë në strukturat euro-atlantike, ose të izolohet. Kjo do të thotë përfundimisht të përcaktohet vetë Beogradi se në cilën karrige qëndron. Për momentin duket se Vuҫiqi i përdor të dy karriget. Por, shpejt do të vijë koha që të zgjedhë vetëm njërën, ose Perëndimin ose Moskën’.

“Mendoj se presidenti serb dhe Lista Srpska do të këmbëngulin që t’i mbajnë barrikadat. Të mbyllin kufijtë. Të bojkotojnë jo vetëm institucionet përfaqësuese, por edhe institucionet e tjera të arsimit dhe sigurisë. Dhe gjithë këtë do ta justifikojë me arrestimin e Pantiqit, një oficer i policisë serbe nga radhët e minoritetit serb. Kërkesa është artikuluar tashmë “Ose lironi Pantiqin, ose ne vijojmë me barrikadat”! Me këtë pretekst autoritetet e Beogradit do të bëjnë presion që Qeveria e Kosovës të dështojë për zbatimin e ligjit në territorin e saj në veri të Mitrovicës”, vlerëson profesor Bytyҫi.

Madje ai edhe pyet nëse është ose a do të jetë i gatshëm kryeministri i Kosovës të bëjë lëshime në pikëpamje të ligjshmërisë?

“Lëshimet në drejtësi dobësojnë legjitimitetin e shtetit. Pikërisht ky është synimi i presidentit të Serbisë. Ta dobësojë legjitimitetin e shtetit të Kosovës në katër komunat e veriut dhe më pas ta përdorë këtë për të diskutuar statusin e Kosovës, ose së paku të këtyre katër komunave. Pantiqi nuk është peng dhe që mund të këmbehet me diҫka që Beogradi i ofron Prishtinës. Është qytetar i Kosovës, që ka ngrit pushkën kundër policisë së Kosovës, kundër asaj policie në të cilën me vite me radhë ka shërbyer dhe prej së cilës është shpërblyer. Kësisoj ai dyshohet për krim të rëndë. Ndaj dhe duhet gjykuar. Gjykata i dha masën e arrestit për një muaj. Por Vuҫiq po bën e do të bëjë presion politik për ta nxjerrë nga qelia. Me këtë ai dëshiron të motivojë serbët e Kosovës në rezistencë kundër Qeverisë dhe institucioneve të Kosovës. Kërkon ta shtyjë edhe procesin e dialogut në pritje të ndonjë mrekullie në raportin e forcave në favor të Rusisë në Ukrainë. Nuk e di nëse Escobar i ka kërkuar zotit Kurti lirimin e Pantiqit, siҫ kërkoi Grenell. Por ka mundësi që në Europë dhe në SHBA të ketë politikanë e diplomatë që ta kërkojnë lirimin e tij”, thekson profesor Bytyҫi për ‘Bota sot’.

Mehazi: Me ardhjen e Albin Kurtit në krye të Qeverisë së Kosovës filloi ai dialogu i vërtetë në mes të Kosovës e Serbisë

Po ashtu lidhur me këtë ҫështje, ka folur edhe profesori Sulejman Mehazi. Ai thekson se për shkak këtyre ngjarjeve tensionuese e kërcënuese të serbëve në Kosovë, dialogu i ardhshëm në Bruksel do të jetë më i mirëfilltë, e më serioz sesa herëve tjera.

“Retorika kërcënuese e krerëve serbë, përkundrazi, do ta shpejtojë procesin dialogut të Serbisë me Kosovën. Takimet e mëparshme në Bruksel më shumë kanë pasur karakterin e monologjeve sesa të dialogjeve, kurse me ardhjen e Albin Kurtit në krye të Qeverisë së Kosovës filloi ai dialogu i vërtetë në mes të Kosovës e Serbisë. Themi kështu për shkak se me qeveritë paraprake të Kosovës regjisor i "dialogut" në Bruksel ishte presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiqi, i cili me anë të aktorëve të Kosovës, Thaçit, Mustafës, Haradinajt, dhe me aktorët e BE-së Borellit e Lajçakut, projektonte role monologuese pajtuese politike në dobi të Serbisë, sipas regjisorit Vuçiq, Mustafa luante rolin e asociacioneve Serbe në Kosovë, Thaçi luante rolin e shkëmbimeve të territoreve në mes Serbisë e Kosovës, kurse Haradinaj luante rolin e bizneseve korruptive me Listën serbe”, vlerëson Mehazi.

Image
Sulejman Mehazi

Sipas tij, me ardhjen e LVV-së në qeveri, regjisor i gjithë ngjarjeve politike gjatë dialogut të ardhshëm në Bruksel do të jetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili me strategjinë regjisoriale politike të tij detyroi ‘aktorin’ Vuçiqin e Serbisë të luajë rolin e njohjeve të letërnjoftimeve të qytetarëve të Kosovës, rolin e mosregjistrimit të targave serbe në Kosovë, rolin e largimit të Listës serbe nga institucionet e Kosovës, rolin e largimit të policëve serbë nën komandën e Ministrisë së Brendshme të Kosovës, jo vetëm kaq, por regjisori politik Albin Kurti detyroi presidentin e Serbisë, Vuçiqin ta luajë në veri rolin e sulmeve serbe ndaj policisë së Kosovës dhe KFOR-it të NATO-s, pastaj regjisori politik i Kosovës, Albin Kurti detyroi Vuçiqin e Serbisë të luajë rolin e viktimës me anë të barrikadave serbe në veri.

“Të gjitha këto ngjarje regjisoriale të Albin Kurtit do ta detyrojë Vuçiqin që gjatë dialogut të ardhëm në Bruksel të dorëzohet para plan-projektit franko-gjerman për njohjen e Kosovës nga Serbia”, vlerëson profesor Mehazi për ‘Bota sot’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat