Kriminelët serbë në veri të ndiqen, të arrestohen dhe t’u ndalohet kthimi në Kosovë!

Politika

Kriminelët serbë në veri të ndiqen, të arrestohen dhe t’u ndalohet kthimi në Kosovë!

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 15 dhjetor 2022 Në ora: 15:14
Ilustrim

Situata në veri vazhdon të jetë e tensionuar. Atje po veprojnë bandat kriminale serbe, në udhëheqje të drejtpërdrejt nga presidenti i Serbisë, Vuçiq.

Më 10 dhjetor, serbët lokalë ngritën barrikada në veri për të penguar mbajtjen e zgjedhjeve lokale, për të bllokuar lëvizjet e policisë së Kosovës, që po shtohen në vazhdimësi, dhe në përpjekje për të liruar nga arrestimi ish-pjesëtarin serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, i akuzuar për terrorizëm.

Pantiq ndodhet në paraburgim 30 ditor, i dyshuar për organizimin e sulmeve terroriste në veri të Republikës, ndaj personelit të komisioneve zgjedhore në disa komuna dhe për organizimin e sulmit ndaj patrullave të policisë së Kosovës, ku mbet i plagosur Ekrem Neziri.

Kjo ka alarmuar institucionet e Kosovës dhe ndërkombëtarët, të cilët në vazhdimësi po bëjnë thirrje për heqje të barrikadave.

Serbia, e mbështetur nga Rusia, po përpiqet me çdo kusht ta zhvillojë një skenar dhune dhe konflikti të armatosur.

Së fundi, Aleksandër Vuçiq ka paralajmëruar se do t’i bëjë kërkesë KFOR-it për të futur trupa të ushtrisë në Kosovë.

Kurse, misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, ka thënë se mënyra e vetme për arritjen e paqes së qëndrueshme midis Prishtinës dhe Beogradit, është që palët të zgjidhin çështjet e tyre “përmes dialogut dhe të arrijnë një zgjidhje që respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve”.

Këtë çështje për publikun e ka mbyllur mbrëmë gjatë qëndrimit në Kosovë, zëvendës Ndihmës-Sekretari amerikan i shtetit, Gabriel Escobar, i cili në mënyrë kategorike tha se ShBA-ja, e “hedh poshtë kategorikisht’, këtë pretendim të Serbisë.

“Ne e kundërshtojmë këtë kategorikisht, e hedhim poshtë kategorikisht. Nuk e mbështesim këtë fare. Unë gjithashtu dua të them se Kosova ka garanci shumë të forta sigurie nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”,ka thënë ai për REL-in, ndërsa kësaj deklarate i ka dhënë jehonë Ambasada e Amerikës në Prishtinës duke e shpërndarë në faqene saj zyrtare në Fb.

Por, a duhet të dëbohen të gjithë ata serbë që po marrin pjesë në bllokim dhe  sulme institucionale?

Mehazi: Ata që terrorizojnë, sulmojnë e barrikadojnë janë armiq numër një të Republikës së Kosovës

Image
Sulejman Mehazi

Profesori Sulejman Mehazi thotë se të gjithë ata që sulmojnë policinë e Kosovës, duhet të dënohen ose edhe të dëbohen nga Kosova.

“Është e logjikshme dhe normale se të gjithë ata serbë që sulmojnë policinë e Kosovës, që marrin pjesë në barrikadat e rrugëve e që shprehin armiqësi ndaj shtetit të Kosovës duhet të burgosen, dënohen apo dëbohen nga shteti, kështu veprojnë të gjitha shtetet e botës. Nuk mund të tolerohen ata që sulmojnë institucionet e Kosovës, përkundrazi duhet ndjekur, burgosur. Të keqes duhet prerë kokën sa nuk ka hyrë brenda shtëpisë apo shtetit. Nëse Qeveria e Kosovës nuk e lufton këtë të keqe serbe, atëherë kjo e keqe e shëmtuar do të del para së mirës së qeverisë së Kurtit për ta destabilizuar Kosovën”, thotë ai.

Sipas tij, të gjithë ata që janë sulmues duhet të luftohen, sepse jo që nuk do të shërohet politikisht Kosova nga kanceri terrorist, por edhe do të ‘metastazojë’ në shumicën e qyteteve të Kosovës.

“Po qe se nuk luftohen ashpër terroristët vendas e të ardhur nga Serbia, nuk ndiqen, burgosen kokat e kriminelëve serbë, atëherë jo që nuk do të shërohet politikisht Kosova nga këta kancerë, terroristë, por edhe do të‘metastazojnë’ në shumicën e qyteteve të Kosovës. Qeveria e Kosovës në krye me Kurtin assesi nuk duhet toleruar këto hiena serbe, të cilat qe njëzet vjet e sa, në bashkëpunim me qeveritë e mëparshme të Kosovës kanë ngulfatur, tkurrur, e metastazuar veriun e Kosovës.

Ata që terrorizojnë, sulmojnë e barrikadojnë janë armiqtë numër një të Republikës së Kosovës, pse atëherë edhe qeveria, policia e Kosovës mos të bëhet armike numër një ndaj serbëve lokalë e të ardhur nga Serbia. S'ka falje për ta, ose t’i burgosë, ose të dëbohen, ose të pranojnë mëvetësinë e Kosovës”, deklaron Mehazi.

Ahmeti: Këta persona të shënjestruar që janë të dirigjuar nga Serbia, duhet të ndalohen

Image
Hidajet Ahmeti

Analisti Hidajet Ahmeti në një prononcim për “Bota sot”, thotë se çdo gjë duhet të jetë në koordinim me ShBA-në dhe BE-në.

Sipas tij, personat që janë të dirigjuar nga Serbia, duhet të ndalohen, dhe në këtë mënyrë të kthehet normaliteti i funksionimit.

“Institucionet e Kosovës duhet të koordinohen me SHBA-të dhe BE-në për të vepruar në mënyrë strategjike, rrjedhimisht për të zgjidhur njëherë e përgjithmonë çështjen e pjesës veriore. Është imperativ i kohës që institucionet e Kosovës të veprojnë në mënyrë pragmatike, pasi që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës, udhëheqësit qeveritarë të Kosovës kanë manipuluar dhe dezinformuar opinionin e gjerë, kinse janë integruar serbët e kësaj pjesë të Kosovës në institucionet shtetërore. Këta persona të shënjestruar që janë të dirigjuar nga Serbia, duhet të ndalohen, dhe në këtë mënyrë të kthehet normaliteti i funksionimit, rrjedhimisht të shtrihet sovraniteti edhe në atë pjesë të Kosovës”, shpjegon ai.

Mehmeti: Bashkë me KFOR-indhe EULEX-in duhet të ndiqen kriminelët, të mos u lejohet kurrë hyrja në Kosovë.

Image
Faton Mehmeti

Edhe Faton Mehmeti shprehet se kriminelët duhet të ndiqen dhe të mos lejohen të hyjnë në Kosovë kurrë.

“Besoj se kjo është vetëm njëra ndër mënyrat që duhet ndjekur, të gjithë kriminelët në veri të ndiqen dhe të largohen nga Kosova. Gjithashtu të shpallen të pa dëshiruar. Ka instrumente për të pastruar veriun, pavarësisht kodizimeve.

Bashkë me KFOR-indhe EULEX-in duhet të ndiqen kriminelët, të mos u lejohet kurrë hyrja në Kosovë”, nënvizon ai.

Tutje, Mehmeti thotë se Kosova bashkë me KFOR-in nuk duhet të lejojnë që banditët të terrorizojnë një popull të tërë

“Prapa këtyre sulmeve ndaj policisë vendore dhe ndërkombëtare qëndron Vuçiqi, krye organizatori dhe prijësi i trazirave. Vendi ynë ka nevojë për qetësi, jo banditë të etur për trazira. Kosova duhet të ndjekë kriminelët, por edhe para botës ta zbardhë se Vuçiqi është organizatori kryesor i trazirave.

Realisht, Kosova bashkë me KFOR-in, nuk guxojnë të lejojnë disa banditë të terrorizojnë një popull të tërë”, përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat