Të dirigjuara nga Vuçiqi, Lista serbe e partitë opozitare shqiptare

Politika

Të dirigjuara nga Vuçiqi, Lista serbe e partitë opozitare shqiptare

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 15 dhjetor 2022 Në ora: 20:17
Goran Rakiq

Në veriun e Kosovës rrugët që çojnë për në vendkalimet kufitare me Serbinë, vazhdojnë të jenë të bllokuara nga grupe serbësh.

Në ditën e gjashtë të kësaj bllokade, situata është më e qetë.

Policia e Kosovës ka thënë se situata e sigurisë në veri të vendit, vazhdon të jetë e njëjtë që nga vendosja e barrikadave nga grupet kriminale, po ashtu edhe në dy pikat kufitare Jarinë dhe Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura, me vendim të institucioneve të Kosovës.

Policia ka njoftuar se vazhdon të mbetet vigjilente dhe e angazhuar, pavarësisht akteve kriminale dhe sulmeve ndaj personelit të sigurisë, personelit monitorues ndërkombëtar dhe mediave.

“Situata e sigurisë në veri të vendit edhe sot vazhdon të jetë e njëjtë që nga vendosja e barrikadave nga grupet kriminale, po ashtu edhe dy pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura tanimë për arsye të njohura, pasi që grupet kriminale po pengojnë lirinë e lëvizjes së qytetarëve dhe qarkullimit të mallrave.

Pavarësisht akteve kriminale dhe sulmeve të raportuara ndaj personelit të sigurisë, personelit monitorues ndërkombëtar dhe mediave, Policia e Kosovës vazhdon të mbetet vigjilente dhe e angazhuar në nivelin dhe moralin më të lartë të kryerjes së detyrave kushtetuese dhe ligjore, në interes të sigurisë së përgjithshme”, njoftojnë nga policia.

Ndërkohë, të hënën qëndroi në Prishtinë, i dërguari amerikan për Ballkanin Gabriell Eskobar, i cili tha se do të arrihet zgjidhje për çështjet e shtruara, duke ua bërë të qartë edhe Serbisë, se nuk guxon ta përshkallëzojë situatën në veri.

Analistët politikë thonë se situata në veri është e përkeqësuar, mbase që nga viti 2004, gjersa shtojnë se këto sulmet nuk janë të rastësishme, por të qëllimshme e të dirigjuara nga vetë presidenti i Serbisë në bashkëpunim me Listën serbe dhe partitë opozitare shqiptare të Kosovës.

Refuzimi i modelit të Rugovës

Analisti politik, Skender Zogaj, për veprimet e Serbisë e bën fajtor Kosovën, sepse i ka dhënë shansin.

Image
Skënder Zogaj

 

Pos, presidentit historik Ibrahim Rugovës, sipas Zogajt, të gjithë të tjerët kanë bërë gabime trashanike dhe ia kanë pamundësuar Kosovës realizimin e lirisë dhe të pavarësisë realisht të mundshme që të realizohet.

“Kur "i ke dhentë duhet me i pas edhe mentë", sepse kur të shkojnë dhentë nuk të mjaftojnë as mendtë! Kështu ka ngjarë dhe po vazhdon me ndodh me Kosovën, e cila nuk po arrin me i bë bashkë dhentë dhe mendjet, prandaj Serbia vendos barrikada, bën atentate, vret njerëz, shantazhon institucionet e Kosovës, anashkalon KFOR-in dhe kërcënon paqen në rajon. Krejt këto Serbia i bën për fajin tonë, sepse ia kemi dhënë shansin me qëndrime skajshmërisht naivë, sepse gjarpri dhe qeni kafshojnë tinës, kur nuk ua kushton kujdesin e duhur, shfrytëzojnë rastin dhe tregojnë tërbimin e tyre! Pos Presidentit historik, dr. Ibrahim Rugovës, të gjithë liderët e tjerë kanë bërë gabime trashanike dhe ia kanë pamundësuar Kosovës realizimin e lirisë dhe të pavarësisë realisht të mundshme që të realizohet!”, ka thënë Zogaj.

Gabimet politike shqiptare fillojnë në vitin 2004, ka deklaruar Zogaj, duke vazhduar se pasojat e atëhershme janë tani evidente.

“Gabimet fillojnë në vitin 2004, kur bandat shqiptare ia vunë flakën disa pjesëve të Kosovës, në emër të patriotizmit, por e vërteta ishte ndryshe: të tregohej pazotësia e institucioneve shqiptare të Kosovës. Dhe, pasojat tash janë evidente: Kosova kurrë nuk do të mund ta gëzojë atë nivel të rezultatit që e ka pasur të garantuar pas luftës! Zogu ka dalë nga grushti dhe tash Serbia po e shfrytëzon mrekullisht për ta stagnuar shtetformimin e Kosovës, gjithsesi duke shpresuar se, zhagitja mund të sjellë ndonjë situatë të re të favorshme për ta ripushtuar! Kjo gjendje është dashur të dihet dhe të merren masa që në aktin e leximit të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, pra me 17 shkurt 2008, dhe, që atë mbrëmje të konceptohet me konsensus programi strategjik i realizimit të lirisë dhe Pavarësisë së Kosovës. Kjo nuk ka ndodh dhe nuk po ndodh”, ka pohuar Zogaj.

Ndërsa, qëndrimet e liderëve nga Kosova, ai i konsideron trishtuese.

“Qëndrimet personale megalomane të liderëve kosovarë janë për t'u trishtuar, sepse marrin vendime koti, flasin para se ta kenë llogaritur efektin e asaj që e thonë. Beteja diplomatike do dije, përvojë dhe gatishmëri për sakrifikim të shpirtit për atdhe! Serbia po e sheh se ky virtyt po na mungon prandaj, pse të heq dorë nga përfitimi kah mundshëm?”, tha Zogaj.

Lidhur me veprimet e Serbisë dhe situatën e krijuar në veri, kanë reaguar ndërkombëtarët, duke kërkuar zhbllokim të rrugëve.

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borell, tha të hënën se blloku është i gatshëm të përforcojë praninë e Misionit për sundimin e ligjit dhe paralajmëroi se i dërguari i posaçëm evropian, Miroslav Lajçak, do të qëndrojë në Prishtinë dhe në Beograd në përpjekje për të shtensionuar situatën, e cila siç theksoi ai, ka pasoja për qytetarët e Kosovës, Serbisë dhe gjithë rajonit.

Ndërsa, analisti politik, Sulejman Mehazi, sulmet e Serbisë nuk i quan të rastësishme, por të qëllimshme e të dirigjuara nga vetë presidenti i Serbisë në bashkëpunim me Listën serbe dhe partitë opozitare shqiptare të Kosovës.

Image
Sulejman Mehazi

 

“Sulmet ndaj KFOR-it dhe Policisë së Kosovës, barrikadat serbe dhe tensionet e llojeve të ndryshme serbe nuk janë të rastësishme, por të qëllimshme e të dirigjuara nga vetë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiqi, po në bashkëpunim me Listën kriminele serbe dhe me partitë opozitare shqiptare të Kosovës, të cilët fituan miliona eurot e tyre pikërisht nga kjo anë e veriut e kontrolluar nga kriminelët e korruptuar serb të Listës serbe, të cilët në bashkëpunim me Radojçiqat zhvatën Republikën e Kosovës pamëshirshëm”, ka theksuar Mehazi.

Ndërsa, thirrjet e ndërkombëtarëve për zhbllokim të rrugëve e për mos tensionim të situatës, Mehazi ka thënë se Vuçiqit i është ngushtuar rruga e veprimeve politike.

Po të bëjmë pyetjen se pse presidenti i Serbisë, Vuçiqi, përkrah kriminelët serbë në veri e nuk dëgjon thirrjet e ndërkombëtarëve për të qetësuar situatën me tërheqjen e barrikadave dhe sulmeve të njëpasnjëshme ndaj policëve të Kosovës? Përgjigja do të ishte se presidentit të Serbisë e qeverisë së tij i është ngushtuar rruga e veprimeve politike, një, ndaj përkrahjes së Rusisë e kundër BE-së e SHBA-së, dy, ndaj planit franko-gjerman për njohje reciproke të patjetërsueshme të dy shteteve fqinje. Këto veprime agresive serbe në veri bëhen për t'u arsyetuar Vuçiqi para qytetarëve serbë se "ja u munduam për Kosovën, por të gjithë ishin kundër nesh, BE, SHBA, KUINT-i, Britania e Madhe, NATO e nuk kishim çare pa mos e njohur Kosovën”, ka vazhduar Mehazi.

Vuçiqi po e provokon Qeverinë e Kosovës

Vuçiqi po e provokon Qeverinë e Kosovës për t’u dorëzuar para këtyre skenave të vrazhda sulmuese e barrikaduese, ka thënë Mehazi, duke shtuar se si presidenti serb është duke u bindur se nuk mund të manipulojë me principet shtetërore të Kurtit.

“Nënvetëdijshëm e pavetëdijshëm duket sikur presidentit i Serbisë, Vuçiqi, punon jo kundër Kurtit e Kosovës, por kundër vetvetes e bandave kriminele serbe. Me largimin e serbëve të Vuçiqit nga të gjitha institucionet e Kosovës tanimë Kryeministri Kurti e ka shumë më lehtë për të luftuar terroristët serbë të Vuçiqit. Nuk është aq naiv, Aleksandar Vuçiqi, të hyjë rrugës së luftës së rrezikshme për vetë Serbinë, ai vetëm që e provokon Qeverinë e Kosovës për t'u dorëzuar para këtyre skenave të vrazhda sulmuese e barrikaduese. Vuçiqi është duke u bindur se nuk mund të manipulojë me principet shtetërore të Kurtit dhe se do të dorëzohet para rezistencës politike të kryeministrit të Kosovës, pasi në këto situata luftënxitëse serbe në veri nuk vendosin as BE-ja, as SHBA-ja, por policia e ushtria e Kosovës dhe NATO-ja, KFOR-i e EULEX-i për të mbrojtur sigurinë e sovranitetit të Kosovës”, përfundon Mehazi.

Rrugët u bllokuan të shtunën pas njoftimit për arrestimin e një ish pjesëtari të policisë nën dyshimet për përfshirje në sulm ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe zyrtarëve policor gjatë javës, ndërsa po bëheshin përgatitje për zgjedhjet komunale në veri, të cilat kundërshtoheshin nga përfaqësuesit serbë të mbështetur nga Beogradi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat