Vuçiq i drejtohet KFOR-it për dërgimin e 1 mijë ushtarëve në Kosovë pas deklaratës së Hillit, Maloku: Cila është e vërteta ambasador?

Politika

Vuçiq i drejtohet KFOR-it për dërgimin e 1 mijë ushtarëve në Kosovë pas deklaratës së Hillit, Maloku: Cila është e vërteta ambasador?

Nga: Nehat Shaqiri Më: 15 dhjetor 2022 Në ora: 23:46
Christopher Hill

Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, tha sot para gazeetarëve serbë se Qeveria e Serbisë ka të drejtë t’i drejtohet KFOR-it, por se zgjidhja e nevojshme duhet të jetë politike.

“Kjo është një çështje që mbetet politike dhe prandaj kërkon një zgjidhje politike”, deklaroi ambasadori Hill.

“Unë nuk shoh mundësinë e një zgjidhje ushtarake”, tha Hill, duke shtuar se, ajo që duhet bërë, është “të qetësojmë situatën dhe të krijojmë paqe dhe stabilitet në atë zonë”.

Ndërsa, sonte Qeveria e Serbisë ka marrë vendim që t'i drejtohet edhe zyrtarisht KFOR-it për çështjen e kthimit të ushtarëve serbë.

Këtë e konfirmoi Aleksandar Vuçiq.

Për këtë çështje, ka reaguar profesori universitar Fadil Maloku.

Ai pyet ambasadorin Hill se cila është porosia e tij e vërtetë?

Image
Fadil Maloku

“Z. Ambasador Hill, a do të thotë kjo se: Qeveria amerikane (meqë jeni përfaqësuesi dhe njohësi më i mirë i "tregimit" mbi Kosovën) dëshiron t'i "ritestoj" (lexo; pse jo edhe kërcënoj!) interesat e saja në Ballkan!? Çfarëdo përgjigje tjetër që do jepeshit, do e kuptoja sikur në Serbi të kishte një qeveri demokratike, e jo autokrate si është kjo e Aleksandër Vuçiqit! Të ua përkujtoj për një moment faktin që Serbia, as në vitin 1999 s'kishte më pak aleat, se sa që ka sot! Tani, si ka mundësi gjithë ky miklim e koketim që po i bëhet Serbisë dhe Presidentit (ish ministrit gebelsian të propagandës së ish qeverisë së kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq) të saj?”, thotë Maloku në një shkrim dërguar gazetës “Bota sot”.

Ai pyet tutje se a do të thotë kjo se; Qeveria Amerikane ka interesa gjeopolitike e gjeostrategjike të krijoj aleancë të re me Serbinë, vetëm shkaku i shpresës së "shkurorëzimit" nga Rusia?!

“Nëse, Ju personalisht bëni një kalkulim e algoritëm të këtillë, ta dini që e keni gabim. E keni gabim, sepse, po kjo; Serbi, sot për sot dhe në këto rrethana, s'ka shanse, t'i ankohet as OKB-së (sepse, thjeshtë, kriza në veri të Kosovës nuk është globale po kontinentale); s'ka shanse t'i ankohet as BE-ne (sepse, thjesht nuk është anëtare e saj); s'ka shanse, t'i ankohet as NATOS- së (sepse, nuk është anëtare e saj); atëherë, shtrohet pyetja (miqësore e kureshtare) se përse bëni deklarime të tilla, kur e dimë që të gjithë, se; viti 1999 ishte viti fundit që shkeli këmba e çizmes serbe në Kosovë. Vit ky kur Nato (lexo: Amerika) bashkë me UÇK-në, e çliruan Kosoven nga zgjedha e ekstremizmit dhe terrorizmit shtetërorë serb!?  Z. Ambasador, Ju besoj që e dini, sepse, shqiptarët ua kanë dëshmuar këte, që; Shba-es, edhe për një milion vite jete, aleat më të besueshëm më lojal, e më miqësor nuk do mund të gjejnë”, thotë tutje profesori.

Sipas tij, “meqë, Serbia me "lojën e dy karrikave" de facto dhe de jure arriti ta izoloj plotësisht veten shkaku i Rusisë dhe Kinës. Z. Ambasador, dhe derisa ajo është e rrethuar në gjitha anët me anëtarët e NATO-s, Unë (si sociolog i globalizimit) kam bindjen se; shumë më dobiprurëse për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor; janë shtrirja e plotë e sovranitetit shtetëror të Kosovës mbi gjithë territorin e saj, se sa; kthimi i (1000, një mijë) usharakëve serb! Por, nëse keni menduar që ideja e Juaj për kthim, në një të ardhme ta afërt do të vlejë edhe për Luginën e Preshevës... Ju padyshim që do e keni mirëkuptimin tim dhe gjithë kosovarëve”, përfundon profesori Fadil Maloku.

Ndryshe, zëvendës Ndihmës-Sekretari amerikan i shtetit, Gabriel Escobar, në një intervistë ka thënë se nuk e mbështesin aspak "kërkesën" e Serbisë për zbarkimin e 1000 trupave në Kosovë.

Ai shtoi se ShBA-ja nuk e mbështet fare një kërkesë të tillë dhe se si çdoherë do të jetë garancë për Kosovën.

“Ne e kundërshtojmë këtë kategorikisht, e hedhim poshtë kategorikisht. Nuk e mbështesim këtë fare. Unë gjithashtu dua të them se Kosova ka garanci shumë të forta sigurie nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha ai.

Kurse, Rezoluta 1244, e miratuar në vitin 1999, ofroi një kornizë për zgjidhjen e konfliktit në Kosovë, duke autorizuar vendosjen e një pranie ndërkombëtare, civile dhe ushtarake.

Ajo themeloi një administratë ndërkombëtare tranzitore dhe mbikëqyri tërheqjen e forcave ushtarake serbe nga Kosova.

Neni 4 vërteton se pas tërheqjes, një numri të personelit ushtarak dhe policor, jugosllav dhe serb, do t’i lejohet kthimi në Kosovë, për t’i ushtruar funksionet në përputhje me aneksin 2.

Neni 6 i aneksit 2 përmend funksionet e mëposhtme:

Ndërlidhja me misionin civil ndërkombëtar dhe me praninë ndërkombëtare të sigurisë; shënjimi/pastrimi i fushave të minuara; mbajtja e një pranie pranë objekteve të trashëgimisë serbe; mbajtja e një pranie në vendkalimet kryesore kufitare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat