Po mbrohen ‘kokat’ e dy kriminelëve serbë, vjen thirrja urgjente për KFOR-in: Vendosni ultimatum për heqjen e barrikadave!

Politika

Po mbrohen ‘kokat’ e dy kriminelëve serbë, vjen thirrja urgjente për KFOR-in: Vendosni ultimatum për heqjen e barrikadave!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 16 dhjetor 2022 Në ora: 12:41
Barrikada e serbeve ne veri

Tash e sa ditë, rrugët që dërgojnë për në veriun e Kosovës dhe për në vendkalimet kufitare me Serbinë, vazhdojnë të jenë të bllokuara nga grupe serbësh.

Rrugët u bllokuan me 10 dhjetor (të shtunën) sipas një skenari të parapërgatitur serb, me qëllim të bllokimit të zgjedhjeve lokale në veri dhe pas njoftimit për arrestimin e një ish pjesëtari të policisë nën dyshimet për përfshirje në sulm ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe zyrtarëve policor gjatë javës.

Këto barrikada kanë krijuar tensione të vazhdueshme në veri, sa kanë nxitur edhe reagime të shumta në Kosovë, por nuk ka ende një reagim të mjaftueshëm nga ndërkombëtarët.

Mirëpo, për largimin e këtyre barrikadave ende po pritet vendimi i KFOR-it.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka njoftuar se KFOR-i u ka kërkuar pak kohë për heqjen e barrikadave, derisa e ka ftuar që të garantojë lirinë e lëvizjes.

Kurti tha se beson se kjo është rruga më e mirë e mundshme për zgjidhjen e situatës.

“KFOR-i po kërkon pak kohë që shpejt ta kryejë këtë punë dhe ne po presim. Nëse pritja jonë për KFOR-in është zbutje, le të quhet zbutje. Por, për të mirën e përgjithshme, besoj që megjithatë jemi duke e zgjedhur rrugën më të mirë të mundshme”, deklaroi Kurti në një konferencë për media, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë.

Mehazi: Barrikadat janë vënë vetëm për t'u mbrojtur dy kokat kriminele serbe Radojçiqit dhe Veselinoviçit

Njohësi i çështjeve politike, njëherësh profesori Sulejman Mehazi në një prononcim për “Bota sot” kërkoi që sa më shpejtë të hiqen barrikadat në veri, pasi sipas tij në këtë mënyrë mund të vijë deri te përshkallëzimi, dhe madje ekziston kërcënimi për ta ndarë Kosovën.

Ai kërkoi bashkëpunim të kryeministrit Kurti, ministrit Sveçla dhe KFOR-it për eliminimin e bllokadave të vendosura nga bandat serbe.

“Qeveria e Kosovës si e qysh duhet reaguar ndaj barrikadave të vëna nga bandat kriminelë serbe në veri, nëse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me ministrin e Policisë, Sveçlën, së bashku me KFOR-in nuk reagojnë, atëherë barrikadat serbe e kanë kuptimin e ndarjes së Mitrovicës në llojin e murit të Berlinit. Kjo ndarje kurrsesi nuk duhet lejuar e pritur, po duhet likuiduar sa më shpejt, sa nuk është vonë, për shkak se këto barrikada më vonë mund të bëhen punkte terroriste serbe për të gjuajtur e vrarë policë e qytetarë të thjeshtë të Kosovës”, deklaroi profesori.

Image
Sulejman Mehazi

Kësisoj, Mehazi kërkoi që KFOR-i t’i jap ultimatum 24 orë ose 48, serbëve për heqjen e barrikadave.

Po ashtu, ai përmendi emrat e personave që qëndrojnë prapa vendosjes së këtyre barrikadave.

“Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me KFOR-in, sa më shpejt duhet dhënë një ultimatum 24 apo 48 orëshe terroristëve serbë për heqjen e këtyre bllokadave që janë vënë nga kush e cilët dihet se s’ka kush e bën, përveç kriminelëve terroristë të Listës serbe, Milan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviç vetëm për të shpëtuar veten nga Policia e Kosovës. Këtë e vërteton edhe kryetari i Lëvizjes për Lirinë Popullore, Miroslav Paroviq, cili deklaroi se: "Barrikadat në veri janë mburojë e Milan Radojçiqit dhe Zvonko Veselinoviçit, dhe se thelbi i gjithë lojës së pistë të keqpërdorimit të ndjenjave atdhetare serbe kanë të bëjnë ndërmjet presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiqit dhe dy përfaqësuesve serbë në Kosovë, Milan Radoiçiqit dhe Zvonko Veselinoviçit".

Deklarata e politikanit serb, Miroslav Paroviq, tregon se barrikadat janë vënë vetëm për t'u mbrojtur dy kokat kriminele serbe Radoiçiqit dhe Veselinoviçit”, nënvizoi analisti

Ndër të tjera, vlerësoi se me kapjen, burgosjen apo eliminimin e kokave kriminele serbe në veri, qetësohet, veriu.

“Prandaj, pa pritur fare policia dhe njësitë speciale policore duhet reaguar fuqishëm ndaj barrikadave të terroristëve të Listës serbe, me zhbërjen, eliminimin e barrikadave në veri policisë së Kosovës do i mundësohet lehtësisht të kapen, të burgosen dy kokat e krimeve në veri, Radojçiqi dhe Veselinoviçi.

Me kapjen, burgosjen apo eliminimin e kokave kriminele serbe në veri, qetësohet, veriu, Kosova dhe sovraniteti i saj”, përfundoi Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

Shahu: Çdo veprim politik, teknik apo ushtarak pa miratim e përkrahje amerikane është dështim i paralajmëruar

Ndërsa, publicisti Rexhep Shahu në një bashkëbisedim me “Bota sot” u shpreh se barrikadat në veri nuk mund t’i heq askush, përveç KFOR-it.

Sipas tij, Kosova nuk mund ta sigurojë territorin dhe as kufijtë pa ndihmën e Amerikës dhe NATO-s.

“Nëse nuk ndihmon dhe nëse nuk i heq KFOR-i ato barrikada, nuk mundet t’i heqë askush me forcë nga Kosova. Nuk mundet të japë urdhër, as ultimatum, as policia as Qeveria, sepse nuk kanë fuqi dhe seriozitet. Kosova nuk mund ta mbrojë veten pa Amerikën dhe NATO-n, nuk e siguron dot territorin, as kufijtë dhe çdo aventurë është me shit mend dhe me fitu humbjen”, deklaroi ai.

Image
Rexhep Shahu

Krahas kësaj, Shahu paralajmëroi dështim, nëse veprohet pa miratim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Çdo veprim politik, teknik apo ushtarak pa miratim e përkrahje amerikane është dështim i paralajmëruar e i sigurtë. Parullat patriotike e patriotizmi fals i njerëzve që kryesisht nuk jetojnë në Kosovë, i njerëzve që i kanë ikë gjithmonë me vrap luftës, që nuk e kanë shkrehe një pushkë, është folklor dhe shumë i dëmshëm për Kosovën”, theksoi publicisti.

Në fund, ai shtoi se në rast të veprimit pa bashkëpunim me SHBA-të, Kosova vetëm humbet peshë dhe vonon realizimin e saj.

“Deklaratat politike nga udhëheqësit tanë që shfaqen sikur janë krerët më të fuqishëm të botës, është e dëmshme dhe fyese. Pa konsultim të çdo gjëje të çdo fjale me Amerikën, Kosova vetëm humbet peshë dhe vonon realizimin e saj”, përmbylli Rexhep Shahu për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat