“Terrorizmi” i bandave serbe në veri dhe loja e ulët me veriun – Çfarë po planifikon Lajçaku!

Politika

“Terrorizmi” i bandave serbe në veri dhe loja e ulët me veriun – Çfarë po planifikon Lajçaku!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 17 dhjetor 2022 Në ora: 11:31
Miroslav Lajçak

Situata në veri ende vazhdon të jetë e tensionuar dhe me shumë rrugë të bllokuara nga bandat serbe të kontrolluara nga Vuçiqi.

Bandat serbe për ditë me radhë kanë vendosur barrikada në afërsi të dy pikave kufitare në veri, Jarinë dhe Bërnjak, por edhe në duke pamundësuar qarkullimin në këto pjesë.

Për zgjidhjen e kësaj çështje janë angazhuar edhe ndërkombëtarët, përfshirë BE, NATO dhe SHBA.

Madje për këtë, emisari amerikan Gabriel Escobar dhe emisari i BE-së, Miroslav Lajçak realizuan takime me Albin Kurtin dhe Aleksandar Vuçiqin.

Emisari special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak pas takimeve me Kurtin dhe Vuçiqin, njoftoi se do të takohet edhe me KFOR-in dhe EULEX-in, por tha se mënyra më e mirë për të hequr barrikadat është me marrëveshje politike, jo buldozerë.

“Do të takohem me KFOR-in dhe EULEX-in pas kësaj. Jam diplomat, për mua mënyra më e mirë për të hequr barrikadat është me marrëveshje politike, jo me buldozerë”.

Ende nuk dihet se cila është kjo marrëveshje që Lajçaku po e parashikon që të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë.

Qarri: Kjo nuk është më vetëm turp ordiner, por edhe komedi tragjikomike

Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri tha situata aktuale në veri po i shkakton dëme të mëdha të tashmes dhe të ardhmes së vendit tonë.

Ai u befasua me qasjen e Lajçakut që ndonëse e di se serbët i kanë vënë barrikadat, ai tha se janë disa ankesa që duhen dëgjuar.

“Kjo që kohët e fundit po bënë në kurriz të vendit dhe prapa shpinës së qytetarëve, opozita e inkriminuar, përveçse po i shkakton dëme të pariparueshme të tashmes dhe të ardhmes së këtij vendi, nuk është më, as vetëm përpjekje për rrëzimin e Qeverisë, por luftë e hapur kolaboracioniste për shkatërrimin e tërësishëm të shtetit të Kosovës.

Madje duke qenë se PDK dhe LDK, që qysh në nisje, i ofruan publikisht, mbështetje kërkesave të Vuçiqit, veçanërisht për imponimin e “zajednicës”, e tani edhe emisarëve aktual euro-amerikan, për ndërmjetësim, aktet e tyre, kanë bërë që jo vetëm Lajçak por tanimë edhe Eskobar, të deklarojë publikisht dhe fare pa hezitim, se megjithëse barrikadat u vunë me ndikim të Beogradit, serbët në atë pjesë “paskan disa ankesa që duhen dëgjuar”?! Pra një kuazi diplomaci indirekte, për "fajësimin" direkt dhe tepër të padrejtë ndaj kryeministrit Kurti, ngjashëm me veprimet e Grenellit vetëm pak vite më parë, për rrëzimin e tij nga pushteti”, deklaroi ai.

Qarri kritikoi qasjen e ndërkombëtarëve ndaj qeverisë Kurti, pasi sipas tij është e padrejtë që ta ‘mbrojnë’ Vuçiqin dhe të vendosin kushte për Kurtin.

“Për aq më keq, kërkesat e rrezikshme, që janë shfaqur së fundi në kurriz të Kosovës, nuk janë më dosido as vetëm fjalë të shprehura në një rast hatërmbetje të emisarëve politik të BE-së dhe SHBA-ve, por kushte shumë të rënda, me të cilat nuk e vendosin vetëm Kurtin si kryeministër i vendit, në pozitë shumë të vështirë, por e vejnë në pikëpyetje totale, zbatimin e ligjeve të vendit, rregullimin e brendshëm shtetëror dhe tërësinë territoriale të Republikës së Kosovës.

Ndaj është shumë e padrejtë që, kushtit të huliganëve të Aleksandër Vuçiqit, për heqjen e barrikadave, t`ia bëjnë “ison” edhe Lajçak dhe emisar kaq të lartë, të bien në nivel solidarizimi me organizatorët e bllokimit të rrugëve nga kriminelët, në emër të lirimit të një krimineli tjetër, si Dejan Pantiq, të burgosur nga organet e sigurisë së Kosovës”, nënvizoi analisti.

Në vazhdim, ai tha se pjesa më e dhimbshme është insistimi për formimin e Asociacionit dhe marrëveshja finale pa njohje nga Serbia.

“Aktori kryesor i akuzuar për aktin terrorist, jo vetëm të djegies së zyrave të KQZ-së, por edhe për sulmin e armatosur kundër zyrtarëve policor të shtetit të Kosovës, duke plagosur me armë zjarri njërin nga policët e shtetit të Kosovës, derisa ai me kolegë, kanë qenë në përmbushjen e detyrave të rregullta ligjore të patrullimit, duke u sulmuar me armë të gjata, nga Dejan Pantiq me bashkëpunëtorë nga bandat kriminale të veriut.

Dhembja e veprimit të padrejtë ndaj Kosovës, bëhet edhe më e madhe, kur ne sot shohim me sytë tanë, se përderisa me kërkesën e Serbisë, nga plani franko-gjerman, u hoq njohja e pavarësisë së Kosovës që Serbia e kishte kusht, ta bënte në përfundim të marrëveshjes gjithëpërfshirëse, jo vetëm që nuk u hoq paraprakisht edhe "zajednica" kundër kushtetuese serbe nga plani franko-gjerman, por tani shohim tentimin publik edhe nga Eskobar për imponimin me çdo kusht të "zajednicës"”, vlerësoi Qarri.

Krahas kësaj, tha se ky është një lloj presioni për pranimin me ‘forcë’ të kërkesave të Serbisë, përfshirë këtu asociacionin.

“Kjo jo vetëm që është tendencë shumë e padrejtë dhe kundër çdo niveli të balancuar e të përmbajtur diplomatik, por edhe një formë trysnie publike të Qeverisë së Kosovës, për imponimin me “forcë” të kërkesave të Serbisë, madje duke mos hezituar të përdoret edhe kërcënimi i pa dëgjuar deri më tani, se nëse Qeveria aktuale nuk e formon "zajednicën" ne atë do ta jetësojmë me partitë në opozitë dhe organizatat e shoqërisë civile, siç u shpreh Gabriel Eskobar.

Ndërsa, edhe sa i takon veprimit të Policisë së Kosovës në veri, edhe ajo, njëjtë si vet shteti i Kosovës, është plotësisht, në mënyrë të padrejtë, e penguar nga ndërkombëtarët, për veprime adekuate kundër bllokadave të vendosura me porosi të Vuçiqit, nga bandat kriminale në veri, gjë që e pranon edhe vet z. Eskobar, se në bllokada ka dorë edhe Vuçiqi, por nuk përdor kërcënime, si për Qeverinë e Kosovës edhe ndaj Vuçiqit dhe Serbisë hegjemoniste, përveç kundërshtimit të vendosjes së trupave serbe në veri, megjithëse një pjesë e tyre, ka kohë që veprojnë të maskuar në terren”, shpjegoi ai.

Image
Gani Qarri

Më tej, analisti kritikoi qasjen e Lajçakut, i cili i quan diskutim të hapur dhe të ndershëm për një zgjidhje politike që do të ulte tensionet dhe do të mundësonte heqjen e barrikadave.

“Prandaj me qasje të tilla si kërkesa e Lajçakut për lirimin e serbit të akuzuar për terrorizëm dhe "urdhrat" e emisarit Gabriel Eskobar për fillimin e krijimit të "zajednicës", nuk janë vetëm kërkesa për të luajtur me shteti tonë, si mace me miun, por edhe tendenca megalomane, nga pozita e të fortit dhe të plotfuqishmit, për ta denigruar edhe më tepër Kosovën dhe qytetarët e saj, sidomos kur kihet parasysh fakti se për 120 mijë shqiptarët e Kosovës Lindore, dhe rregullimin e çështjes së tyre kombëtare e njerëzore as që flet kush dhe nuk janë vënë kurrë në tryezën e bisedimeve, qoftë edhe për diskutim të thjeshtë apo debat rutinor.

Dhe sikur mos të mjaftonin të gjitha këto kërkesa kaq të pakapshme dhe nënshtruese, për të mos thënë edhe tërësisht poshtëruese për Kosovën dhe qytetarët e saj, Lajçak i quan diskutim të hapur dhe të ndershëm për një zgjidhje politike që do të ulte tensionet dhe do të mundësonte heqjen e barrikadave, që praktikisht don të thotë, se lirimi i një terroristi si Dejan Pantiq dhe formimi i një ngrehine serbe si "zajednica" kundërkushtetuese, janë kthyer në kusht, për heqjen e barrikadave”, tha ndër të tjera ai.

Në fund, Qarri shtoi se kjo është një diplomaci dyfytyrëshe dhe një lojë e ulët që po i bëhet Kosovës.

“Prandaj, kjo nuk është më vetëm turp ordiner, i një diplomacie dyfytyrëshe dhe imponuese, por edhe komedi tragjikomike, se çfarë loje e ulët ka filluar të inskenohet me shtetin e brishtë të Kosovës, duke pasur në gjithë këtë inskenim grotesk, krah të fortë edhe opozitën e inkriminuar, e cila ka kohë, që është kthyer në “Kalë të Trojës”, dhe me arsyetimin se gjoja, po përpiqet për përmbysjen e qeverisë Kurti, ajo me apo pa vetëdije, po lufton hapur dhe pa asnjë kompromis, duke mos zgjedhur partner, për shkatërrimin e tërësishëm të shtetit të Kosovës”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”.

Mehmeti: Lajçaku duhet të dijë se Qeveria nuk bën kompromise me banditë

Ndërsa, analisti tjetër politik, Faton Mehmeti tha se barrikadat në veri duhet të hiqen nga Policia e Kosovës në koordinim me KFOR-in.

Ai gjatë një bashkëbisedimi me “Bota sot” kërkoi që qeveria Kurti t’u jap ultimatum serbëve për t'i vetë larguar barrikadat.

“Barrikadat duhet të hiqen menjëherë, detyrë e policisë është kjo. Por, duke ditur specifikat e terrenit kjo duhet bërë në koordinim me KFOR-in. Qeveria duhet t’u jap ultimatum serbëve për t'i vetë larguar barrikadat, nëse nuk ndodh atëherë kjo të bëhet me KFOR-in dhe Policinë e Kosovës”, nënvizoi Mehmeti.

Image
Faton Mehmeti

Krahas kësaj, kritikoi ashpër Lajçakun dhe qasjen e tij, duke thënë se brenda territorit të Kosovës s’ka pse të ketë marrëveshje me banditë.

“Me pak fjalë, z.Lajçak duhet ta dijë se qeveria nuk bën kompromise me banditë dhe as marrëveshje, nuk ka pse të përkëdhelën shumë serbët dhe Beogradi. Personalisht mendoj se z. Lajcak ka rënë nën ndikimin e Serbisë. Brenda territorit të Kosovës s’ka pse të ketë marrëveshje me banditë”, përmbylli Faton Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat