“Edhe ai thyhet”/ Rrëzohet miti për Albin Kurtin – Ku pati sukses e ku gaboi në dy vite si kryeministër?

Politika

“Edhe ai thyhet”/ Rrëzohet miti për Albin Kurtin – Ku pati sukses e ku gaboi në dy vite si kryeministër?

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 15 shkurt 2023 Në ora: 21:37
Albin Kurti

Janë mbushur 2 vite që kur Lëvizja Vetëvendosje fitoi zgjedhjet me mbi 50% të votave dhe kryeministër i vendit u zgjodh për herët të dytë, Albin Kurti. Në 2 vjetorin e qeverisjes, Kurti ka thënë se kjo fitore ishte fitore e qytetarëve të Kosovës.

“Bashkë sot, sikurse me 14 shkurt 2021, sikurse në secilën ditë të këtyre dy viteve. Bashkë përballë sfidave e detyrave që kemi përpara. Me përkushtim që nuk zbehet. Me përgjegjësi që rritet. Fitorja e madhe e shkurtit ishte ndryshe, sepse ishte vetë ndryshimi demokratik. Ishte fitore, sepse fituan qytetarët dhe e gjithë shoqëria. Ajo na rikujton më së miri vullnetin dhe pritjet e popullit, të cilit do t’i shërbejmë çdo ditë me përpikmëri dhe devotshmëri. Bashkë deri në realizimin e plotë të zotimeve tona për punësim dhe drejtësi”, shkroi Kurti.

Ndërsa nga partitë opozitare, qeveria Kurti është një qeveri e mashtrimit, propagandës dhe dështimit.

E profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi, deklaron për “Bota sot” se qeveria Kurti 2 ka sukseset dhe dështimet ose ngecjet e veta në këto dy vite qeverisje.

“Dje ishte 14 shkurti, kur në Kosovë u bënë zgjedhjet e reja parlamentare dhe ato zgjedhje prodhuan mazhorancën Kurti-Osmani, e cila prej dy vitesh e drejton shtetin dhe shoqërinë kosovare. Në fakt qeveria dhe institucionet e tjera të vendit u krijuan disa javë më vonë. Në këtë aspekt nuk mund të thuhet se qeveria Kurti 2 ka plotësuar një mandat dy vjeçar. Si çdo qeveri, sado e suksesshme, edhe qeveria Kurti 2 ka sukseset dhe dështimet ose ngecjet e veta. Në fakt zoti Kurti trashëgoi të vetmen përvojë në qeverisje, atë të Qeverisë Kurti 1, e cila u rrëzua në vitin 2020 nga intrigat dhe kurthet e PDK-së dhe LDK-së të drejtuara nga Isa Mustafa dhe de facto Hashim Thaçi. Ajo qe një përvojë substanciale, provuese, formuese, kushtetuese dhe madje edhe frymëzuese për një qeverisje në Qeverinë Kurti 2! Madje kjo ishte arsyeja pse shoqëria kosovare e votoi zotin Kurti në shumicë absolute për ta sjellë në pushtet për të dytën herë”, thotë Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Sipas tij, vlerësimi i punës dhe përpjekjeve të qeverisë Kurti duhet bërë në dy plane, atë të brendshëm e të jashtëm.

“E vërteta është se në politikën e brendshme qeveria e zotit Kurti ka mundur të mbajë premtimin për të qeverisur me duar të pastra. Nuk ka asnjë skandal domethënës, nga ato që shohim sidomos në Shqipëri, por edhe gjetkë në rajon. Ka perceptim pozitiv në luftën kundër korrupsionit. Ka përpjekje për të reformuar gjithashtu gjyqësorin. Ligji për verifikimin e pasurive është shpresë-dhënës se do të ketë sukses në luftën kundër korrupsionit edhe sa i përket ndëshkimit korrupsionit të paraardhësve të tij. Si rezultat i luftës kundër korrupsionit u rrit shumë buxheti i shtetit. Këtë vit është 3.2 miliard euro, ndërkohë që zoti Hoti e la me 2.2 miliard euro. E thotë vetë zoti Kurti se rritja e buxhetit ka ardhur nga ndërprerja e vjedhjeve dhe korrupsionit. Por kjo luftë nuk ka fund”, shprehet Bytyçi për “Bota sot”.

“Në planin e brendshëm shoh si sukses të padiskutueshëm rritjen e numrit të ushtarakëve dhe të buxhetit për mbrojtjen, suksesin e madh në menaxhimin e bujqësisë dhe donacionet në këtë fushë. Por mendoj se ka dështime dhe ngecje në zhvillimin e energjetikes, thithjen e investimeve të huaja, rritjen e të ardhurave në mënyrë të qëndrueshme etj. Nuk mendoj se është produktive të shpërndash para për të mbështetur financiarisht në muaj e kohë të caktuar shtresa të caktuara të shoqërisë. Rritja e rrogave dhe pensioneve është mënyra më e mirë e rritjes ekonomike, konsumit dhe mirëqenies. Në shoqërinë demokratike nuk shkon të japësh 100 euro për këtë ose atë kategori punonjësisht për shkak të kësaj ose asaj krize të caktuar! Këto metoda i shoh si të ndikuara nga koncepte ideologjike të qeverisjes”, sjpjegon më tej Bytyçi. Siç thotë profesor Bytyçi, në aspektin e jashtëm Kurti ka qëndruar fuqishëm përballë Serbisë, ani pse së fundi, sipas tij, Kurti ka lëshuar pe. “Unë e kam mbështetur vazhdimisht qëndrimin e zotit Kurti në raport me sfidat e marrëdhënieve me jashtë e sidomos me Serbinë. Ai ka qëndruar fort. Ka këmbëngulur. Ka vepruar shpesh herë edhe në mënyrë sfiduese, me qëllim që të riparojë atë që dëmtuan paraardhësit e tyre në bisedimet me Beogradin. E dija se nuk do të mund të zbatojë deri në fund kauzën që mbrojti në opozitë sa I përket demarkacionit dhe asociacionit. Por zoti Kurti më ka zhgënjyer në njëfarë mase kur tha se “Më thanë në një farë mënyre, mere ose lere” planin franko-gjerman! Njerëzit e patën përcaktuar zotin Kurti si karakter të pathyeshëm. Tani u rrëzua ky mit. D.m.th dëshmoi se edhe ai thyhet. Kjo çon në rritjen e mos-besimit. Njerëzit do të presin me zemër të ngrirë se deri ku do të shkojë thyerja e kompromisi i tij, sidomos kur është fjala për të përmbyllur marrëveshjen me Beogradin”, deklaron Bytyçi.

Për fund, Bytyçi shprehet se ishte fat për Kosovën që zgjedhjet e 14 shkurtit i fituan Albin Kurti dhe Vjosa Osmani.

“Opozita e ka akuzuar dhe e akuzon zotin Kurti dhe qeverinë e tij si „anti-amerikane“. Por për mua ai nuk është i tillë. Ai është i përgjegjshëm për vendin e tij dhe natyrshëm në këtë rast bëhet debat edhe me miqtë. Kjo nuk do të thotë se je kundër miqve. Madje pikërisht me miqtë, me SHBA dhe vendet tjera mike mund të flasësh hapur, edhe me kundërshti, për të gjetur zgjidhjen më të mirë për vendin tënd. Sejmenët kurrë nuk u shërbejnë sa duhet e si duhet interesave të atdheut të vet. Në këtë pikëpamje qëndrimet e zotit Kurti duhen vlerësuar maksimalisht. Ndërkaq ai po lufton më shumë se ata që ia lanë patatet e nxehta në dorë për shtetin e Kosovës, për forcimin e institucioneve të saj dhe kundër përpjekjeve të Serbisë për ta bërë të pafunksionueshëm këtë shtet. Madje edhe për të shkëputur ndonjë pjesë territor të saj. Në këtë pikëpamje unë e konsideroj fat që para dy vitesh zgjedhjet i fitoi Lëvizja Vetëvendosje dhe Lëvizja Guxo e Vjosa Osmanit”, përfundon për “Bota sot:”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat