SHBA “godet” Serbinë për mos-zbardhjen e vrasjes së vëllezërve Bytyqi/ Analistët: Kjo e Vuçiqit nuk dallon prej asaj të Millosheviqit

Politika

SHBA “godet” Serbinë për mos-zbardhjen e vrasjes së vëllezërve Bytyqi/ Analistët: Kjo e Vuçiqit nuk dallon prej asaj të Millosheviqit

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 23 mars 2023 Në ora: 10:18
Fotografi e marrë nga ceremonia e rivarrosjes së vëllezërve Bytyqi të vrarë në vitin 1999.

Tema për vrasjen dhe zhdukjen e mijëra shqiptarëve nga regjimi kriminal serb gjatë luftës përbën një nga plagët më të ndjeshme për vendin tonë.

Së fundmi vëmendjen e opinonit publik e mori raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) e që ndërlidhet pikërisht me krimet e luftës në Kosovë.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka akuzuar Serbinë se nuk bëri asgjë për zbardhjen e vrasjes së vëllezërve Bytyqi.

Zyra e Prokurorit të Krimeve të Luftës (OËCP) hetoi krimet e luftës nga konfliktet e viteve 1990 në ish-Jugosllavi dhe lëshoi aktakuza. Agjencia e Informacionit të Sigurisë dhe Drejtoria për Zbatimin e Sanksioneve Penale kanë për detyrë që të shqyrtojnë raste të tilla përmes auditimeve të brendshme.

Sipas OËCP, zhdukja dhe vrasja e Yllit, Agronit dhe Mehmet Bytyqit në vitin 1999, tre vëllezërve, mbeti nën hetim.

Vëllezërit Bytyqi u arrestuan në Serbi në kufirin me Kosovën, u ekzekutuan dhe u varrosën në një qendër trajnimi policor në Petrovo Selo, një objekt policor i Ministrisë së Brendshme të Serbisë (MPB) i komanduar nga ish gjenerali i MPB-së, Goran Radosavljevic.

Zyrtarët pohuan se vazhdojnë të mbledhin fakte të reja për të përcaktuar identitetin e autorëve për ato që ata raportuan se ishin aktakuza të mundshme për krime lufte kundër robërve të luftës.

Megjithatë, qeveria nuk bëri përparim të rëndësishëm drejt sigurimit të drejtësisë për viktimat dhe ishte e paqartë se deri në çfarë mase autoritetet po hetonin në mënyrë aktive rastin.

Latifi: Qeveria e Kosovës duhet të jetë për krah tyre për t’i mbështetur në betejën për vendosjen e drejtësisë

Image
Haki Latifi

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur veprimtari nga Zvicra, Haki Latifi.

Ai u shpreh se për fat të keq Serbia ende po strehon vrasësit që kanë kryer vrasjen mizore të vëllezërve Bytyqi.

Sipas tij, deklarata e fundit e DASh-it, tregon që vrasja e vëllezërve Bytyqi është një nga vrasjes më mizore.

“Për fat të keq qeveritë e njëpasnjëshme të Serbisë vazhdimisht kanë premtuar progres në hetime në rastin e vëllezërve Bytyqi që nga viti 2012, por deri më tani askush nuk është paditur për vrasjet e tyre. Dihet se, Kongresi Amerikan ka miratuar Rezolutë për vrasjen mizore të Vëllezërve Bytyqi, ndërsa kriminelët serb të luftës në Kosovë, po i strehon Qeveria e Serbisë.

Dëshmi e qartë e krimeve të kryera nga ta është miratimi i Rezolutës së Kongresit Amerikan për vrasjen mizore të Vëllezërve Bytyqi. Ndërkaq, Departamenti Amerikan i Shtetit në vitin 2018, iu ka ndaluar hyrjen në vend kriminelit Goran Radosavljevic, gruas dhe vajzave të tij, duke i shpallur si të papërshtatshëm për të hyrë në vend për shkak të asaj që ai pretendon se ishte “përfshirja e tij në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut”. Si dëshmi përfshirëjes në vrasjen e tre vëllezërve Bytyqi në korrik të vitit 1999, të vrarë në Serbi pas luftës së Kosovës”, u shpreh ai.

Më tej, ai thekson që krimineli Radosavlevic i njohur për publikun serb gjatë luftës së Kosovës, kur si komandant i njësive speciale të policisë, ai udhëhoqi disa operacione që çuan në vdekjen e më shumë se 100 shqiptarëve.

“Dihet botërisht se vëllezërit Bytyqi u arrestuan në Serbi në kufirin me Kosovën, u ekzekutuan dhe u varrosën në një qendër trajnimi policor në Petrovo Selo, një objekt policor i Ministrisë së Brendshme të Serbisë (MPB) i komanduar nga ish gjenerali i MPB-së, Goran Radosavljevic i njohur me nofkën Kamen (Guri).

Po ashtu dihet publikisht se Krimineli Radosavlevic i njohur për publikun serb gjatë luftës së Kosovës, kur si komandant i njësive speciale të policisë, ai udhëhoqi disa operacione që çuan në vdekjen e më shumë se 100 shqiptarëve, duke përfshirë sulmin ndaj familjes së komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Adem Jashari në vitin 1998 dhe operacionin në fshatin Reçak, në të cilin u vranë 44 vetë.

Habit fakti se shumë kriminel, gjeneral, paramilitar dhe krimineli serb Goran Radosavleviç (GURI) - i dyshuari kryesor për vrasjen e vëllezërve Bytyqi dhe masakrave të Reqakut e Prekazit, përkundër presionit amerikan, tash e 20 vite janë të lirë dhe politikisht aktiv në Serbi”, shpjegon veprimtari.

Nga ana tjetër ai thekson që qeveria e Kosovës duhet të punoj që të vendos drejtësinë në vend.

“Tre heronjtë e Kosovës, vëllezërit Bytyqi; Agroni, Ylli dhe Mehmeti, lanë gjithçka që kishin ndërtuar përtej Atlantikut për t’iu përgjigjur thirrjes së atdheut. Njëherit, prindërit e tre luftëtarëve të lirisë, të cilët mbi dy dekada nuk i ndalën përpjekjet për ndriçimin e fatit të bijve të tyre, të rrëmbyer nga shteti serb dhe të ekzekutuar pa gjyq. Qeveria e Kosovës duhet të jetë për krah tyre për t’i mbështetur në betejën për vendosjen e drejtësisë”, shtoi ai.

“Unë besoj që SHBA-të kërkimin për drejtësi nuk do ta ndalin”

Shpresat sipas Latifit janë tek qëndrimi i SHBA-ve, pasi sipas tij mund duhet dënim të gjith ata që kanë kryer krime.

“Sepse qëndrimi Amerikan për hetim të plotë për vrasjen e vëllezërve Bytyqi mbetet prioritet në marrëdhëniet bilaterale me Serbinë, besoj që ta detyroj Serbinë për zbulimin sa me të shpejtë të këtij krimi dhe dënimin e krimineleve! Vetëm atëherë familjes Bytyqi, qytetarëve të Kosovës, të SHBA-së dhe bashkëluftëtareve nga Batalioni “Atlantiku” përpos krenarisë do ju kthehet edhe qetësia shpirtërore”, nënvizoi Latifi për “Bota sot”.

Mehmeti: Presioni amerikan do të sjellë rezultate jo vetëm për rastin e vëllezërve Bytyqi por edhe të të gjithë të vrarëve

Image
Faton Mehmeti

Analisti politik, Faton Mehmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që presioni amerikan ndaj Serbisë për zbardhjen e vrasjeve dhe zhdukurve tregon që të njëjtit janë kundër politikës që po bën Vuçiq.

“Presioni amerikan do të sjellë rezultate jo vetëm për rastin e vëllezërve Bytyqi por edhe të të gjithë të vrarëve apo edhe të zhdukurve. Departamenti amerikan me këtë deklaratë po i tërheqë vëmendjen Serbisë dhe Vuçiqit se po vazhdojnë politikën e Millosheviçit. Gjë e cila nuk ndihmon në përparimin e raporteve mes ShBA dhe Serbisë”, thekson ai.

Analisti në fund, tha se amerikanët po godasin Serbinë dhe Vuciqin për mos zbardhjen e fajtorëve të vrasjës së vëllezërve Bytyqi.

“Amerikanët po godasin Serbinë dhe Vuciqin për mos zbardhjen e fajtorëve të vrasjes së vëllezërve Bytyqi. Mendoj se Serbia me qëllim s’po e bën një gjë të tillë, pasi duhet të vazhdojë për zbardhjen edhe të mijërave shqiptarëve të Kosovës me disa nga urdhërdhënësit që janë sot në pushtet. Serbia e Vuçiqit nuk dallon prej asaj të Millosheviqit”, përfundoi Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat