Mes shpresës dhe ankthit – a do arrijë Specialja t’i zbardhë vrasjet politike të pasluftës?

Politika

Mes shpresës dhe ankthit – a do arrijë Specialja t’i zbardhë vrasjet politike të pasluftës?

Arife Morina Nga Arife Morina Më 8 prill 2023 Në ora: 08:04
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi

Më 3 prill, pas më shumë se dy vjetësh nga konfirmimi i aktakuzës, filloi gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Prokuroria mbajti deklaratë hyrëse për rreth pesë orë, duke pretenduar se ka prova të mjaftueshme për të dënuar ish-krerët e UÇK-së për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Gjatë deklaratave të parashtruara nga Zyra ë Prokurorit të Specializuar, prokurorja Clare Lawson, tha se asnjë gjykate nuk i është kërkuar më herët të shqyrtojë rolin dhe përgjegjësinë për pjesëtarët individualë kyçë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, siç i është kërkuar Gjykatës Speciale.

Ajo tha se gjatë gjykimit do të dëgjohen rrëfimet e disa prej viktimave të krimeve të pretenduara të ish-krerët e UÇK-së.

“ZPS-ja do të paraqesë prova të krimeve që ishin të përhapura dhe sistematike në mbi 40 qendra ndalimi të UÇK-së”, tha ajo.

“ZPS-ja ka marrë një mori provash, përfshirë edhe disa qindra faqe të sekuestruara nga shtëpitë e të akuzuarve. Qëllimi i përbashkët dëshmohet mjaftueshëm përmes këtyre dokumenteve”, shtoi Lawson.

Prokurorja tha se qëllimi i përbashkët i tyre ishte të shënjestronin ata që i konsideronin “kolaboracionistë” dhe kundërshtarë të tyre, sikurse pjesëtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Lawon pretendoi se disa prej të akuzuarve e kanë pranuar vetë se ky ka qenë qëllimi i tyre. Ajo tha se Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi ishin “dirigjuesit e krimeve” të pretenduara.

Ajo tha se të katër të pandehurit kanë udhëhequr një “luftë speciale” kundër personave që i konsideronin kolaboracionistë.

Bazuar në atë së çka u deklarua nga Prokuroria, po shpresohet se mund të rritet edhe më tutje shpresa për zbardhjen e vrasjeve me motive politike që kanë ndodhur nga viti 1998 deri në fund të vitit 2000.

Kësisoj, për këtë temë për “Bota sot” folën Haki Latifi dhe Faton Mehmeti.

Latifi: Ky tribunal është pjesë e rrugëtimit të shtetëndërtimit të Kosovës, dhe ne duhet t’i shkojmë deri në fund

Image
Haki Latifi

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur veprimtari nga Zvicra, Haki Latifi.

Fillimisht, u shpreh se duhet të dominojë zëri i arsyes ose të mos flitet fare me anime, interesa e emocione, duke e helmuar shoqërinë pa nevojë.

“Mendoj se gjatë procesit gjyqësor më tepër ndihmon heshtja se zhurma dhe polarizimet në shoqëri, drejtësia është për të gjithë, dhe nuk duhet të ketë anime, pavarësisht verdiktit që jep gjykata. Tani fjalën e ka drejtësia, prokurorët, gjykatësit dhe mbrojtësit e të akuzuarve.

Gjithashtu në këtë situatë animi pro dhe kundër (me të akuzuarit apo viktimat), vetëm sa i rëndojnë marrëdhëniet shoqërore dhe na kthejnë në kohën e luftës në Kosovë e që ishte e njohur; “kush nuk mendon si unë është tradhtar dhe anasjelltas është atdhetar”.

Për këtë arsyje them se nuk i ndihmon askujt dhe as të akuzuarve me polarizimet e panevojshme të qytetarëve të Kosovës.

Edhe partitë politike nuk kanë nevojë dhe nuk duhet të provojnë të përfitojnë nga ky proces, i cili është votuar nga vetë partitë sot që qojnë pluhur pro dhe kundra. Pra duhet të dominoj zëri i arsyes ose të mos flitet fare me anime, interesa e emocione, duke e helmuar shoqërinë pa nevojë”, deklaroi ai.

Latifi tha se ky gjykim është i domosdoshëm që ta mbyllë plagën me të cilën po përballet Kosova që nga përfundimi i luftës dhe se ky ‘çmim’ duhet të paguhet.

“Të vetëdijshëm se ky gjykim në afat të shkurtër dhe në situatën në të cilën po kalon Kosova do të na dëmtoj të gjithëve, sepse mediat botërore do të flasin për ish-krerët e shtetit të cilët po akuzohen e gjykohen për krime kundër njerëzimit e krime të luftës. Por në afat të gjatë kohor, ky gjykim do ta mbyllë një plagë e cila po e përcjellë Kosovën që nga lufta e deri sot. Dhe pa marrë parasysh verdiktin, Kosova del më e fortë si shtet i lirë e demokratik. Ky çmim duhet të paguhet, rrugë tjetër nuk ka.

Tani e ka fjalën gjykata dhe do t‘ ia mbyll gojën të gjithë atyre dashakqinjëve që veç flasin sipas dëshirës. Kosova do të jetë shtet i pastër pas gjithë këtyre thash e thënave, kurse të bëmat nuk i falën askujt. Të gjithë e dimë se Kosova ka kaluar sprova edhe më të rënda dhe shqiptarët nuk do të ligështohen as në këtë furtunë.

Kosova duhet të punojë fortë për të bindur botën se problemi i saj ishte dhe është Serbia dhe përpjekja e gjenocidit serb mbi shqiptarët dhe jo shqiptarët që, bashkë me rezistencën politike dhjetëvjeçare dhe bashkë me NATO-n, luftuan dhe e shpëtuan Kosovën nga shfarosja. çështje e hapur ende mbetët procedura e dëmshpërblimeve që Kosova duhet të kërkojë nga Serbia për dëmet dhe humbjet e mëdha që i ka shkaktuar vendit në kohën e luftës së fundit”, theksoi veprimtari.

Sipas tij, qëllimi kryesor i Speciales është e vërteta dhe në fund do të përgjigjen të gjithë të akuzuarit.

Ai rikujtoi se kjo gjykatë pikërisht u themelua nga Kuvendi i Kosovës, ku të zgjedhurit e popullit e votuan atë.

“Ndërsa Gjykata Speciale, si proces ka për qëllim të arrijë tek e vërteta, dhe është një mundësi që më në fund të përgjigjen të gjithë të akuzuarit ndaj këtyre dyshimeve dhe thashethemeve të cilat kanë qarkulluar për vite të tëra. Që kur Dick Marty publikoi raportin e tij të pabazuar, ishte e pashmangshme që kjo ditë do të vinte. Ishte e pashmangshme që akuzat e tij të padrejta do të duhej të testoheshin në një gjykatë, në mënyrë që tu jepej fund njëherë e mirë. Kjo është edhe arsyeja që parlamenti i Kosovës e ka votuar themelimin e këtij tribunali. Ne duhet të kemi parasysh se ky tribunal u krijua nga Kuvendi i Kosovës, për të shërbyer në emër të popullit. Por, shtrohet pyetja: Çfarë ka bërë Diplomacia e Kosovës dhe e Shqipërisë me komunitetin ndërkombëtar që Serbia të ballafaqohet për gjenocidin që ka kryer? Veç me fakte, jo me fjalë! Unë them se ishte një dështim i plotë gjer më tani. Të mos harrojmë se, gjenocidi serb ndaj civilëve shqiptarë të Kosovës është shekullor, i pandërprerë, i organizuar, orkestruar dhe i drejtuar, nga strukturat më të larta shtetërore serbe dhe jugosllave”, nënvizoi ai.

Në vazhdim, veprimtari nga Zvicra tha se Kosova nuk po tronditet nga Specialja, kjo është vetëm për të përhapur panik.

Po ashtu, kërkoi nga qytetarët e Kosovës që të kenë besim të plotë te kjo gjykatë.

“Gjenocidi është mohim, i të drejtës për ekzistencë njerëzore, sikurse vrasjet që janë mohim i të drejtës për jetë të qenieve njerëzore individuale”. Dihet shumë mirë, çfarë ndodhë, në një vend me ata njerëz, që harrojnë të kaluarën.

Kush do që përhap panik se Gjykata Speciale po e trondit të ardhmen e shtetësisë së Kosovës, janë që në fillim të dështuar.

Çdokush i përgjegjshëm e din se shtetësia dhe pavarësia e Kosovës nuk mundet të tronditet nga askush. Republika e Kosovës ka institucionet që do të dinë t'ia dalin mbarë dhe të bëjnë të duhurën në këtë gjendje, e që ka vite e muaj është pritur!

Ne kurrë nuk duhet të harrojmë se në Kosovë ka ndodh luftë dhe jo sfilita modash. Ashtu siç nuk duhet të harrojmë se ajo luftë dëboi Serbinë prej Kosove e për këtë dëbim natyrisht nuk pajtohet Serbia, por do të vazhdoj edhe në të ardhmen të thur intriga gjithmonë. Edhe nëse ka akuza të bëra kundër tyre, atyre ju duhet dhënë përgjigjia në mënyrën e duhur, me faktet e së vërtetës. Qytetarët e Kosovës duhet të kenë besim të plotë në objekitivitetin dhe paanshmërinë e gjykatësve të Gjykatës Speciale për ketë punë”, vlerësoi ai.

Më tej, Latifi tha se ata që janë në Hagë nuk janë pronarët e UÇK-së e as pronarët e lirisë.

Ai beson se ky tribunal është pjesë e rrugëtimit të shtet-ndërtimit të Kosovës, dhe ne duhet t’i shkojmë deri në fund.

“Të akuzuarit kanë qenë pjesë e UÇK, drejtues e ushtarë të saj, por jo pronarë të UÇK-së. Të gjithë duhet ta dinë se UÇK është krijimi më madhështor e më i ndritshëm i shqiptarëve. Të akuzuarit nuk janë liria as pronarët e lirisë dhe nuk po kërcënohet liria e Kosovës që ta mbrojnë ata në gjykatën speciale, ata do të mbrojnë veten e drejtësinë e tyre. Se a janë fajtor apo nuk janë, tani vendos drejtësia. Duhet të jemi të bindur se pasi gjykatësi do të dëgjojnë të gjitha faktet, kanë për të konkluduar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një lëvizje e popullit, një kryengritje për vetëmbrojtje me burra dhe gra trima, të cilët bën maksimumin e tyre në rrethana të jashtëzakonshme.

Ne duhet të besojmë fuqishëm në drejtësi dhe në faktin se një individ duhet të cilësohet si i pafajshëm derisa të shpallet fajtor.

“Kjo gjykatë edhe pse e ka selinë në Hagë, ajo është pjesë e sistemit tonë ligjor. Nuk duhet të ketë asnjë hatër-mbetje drejtuar ndaj ndërkombëtarëve që punojnë në këtë tribunal. Ata janë duke bërë punën që populli i Kosovës ka kërkuar që ta bëjnë. Ky tribunal është pjesë e rrugëtimit të shtet-ndërtimit të Kosovës, dhe ne duhet ti shkojmë deri në fund. Natyrisht se, seanca e parë gjyqësore ndaj krerëve të UÇK - së do të ballafaqohet me argumente dhe kundër argumente si nga prokurorët ashtu edhe nga mbrojtësit e të akuzuarve, si dhe ka mundësi që të rritet edhe më tutje shpresa për zbardhjen e vrasjeve me motive politike që kanë ndodhur nga viti 1998 deri në fund të vitit 2000”, shpjegoi veprimtari.

Ndër të tjera, ai shtoi se nëse këta persona kanë pasur gabime, duhet të japin llogari për veprimet e tyre.

“Kjo periudhë do të jetë një sfidë e madhe që duhet ta tejkalojmë me maturi, mençuri e frymë demokratike për t’i bindur edhe të tjerët se ne jemi një shoqëri e shtet që meritojmë integrimin në familjen evropiane. Ne duhet ti qartësojmë të gjitha faktet, në mënyrë që historia ta njeh të vërtetën. Brezat që do vijnë pas nesh, ju mbetet detyrë dhe përgjegjësi që ta ruajnë dhe ta duan shtetin e Kosovës duke respektuar ligjet dhe kushtetutën e saj. Për secilin që ëndërron jetën dhe të ardhmen e tij në Kosovën tonë të dashur, në atdheun e të parëve tanë. Edhe nëse ka pasur gabime, personat e përfshirë duhet të japin llogari për veprimet e tyre. Ky është kuptimi i sundimit të ligjit për një shtet të ri si i yni”, përfundoi Haki Latifi për “Bota sot”.

Mehmeti: Dua të besoj se Specialja do i zbardh vrasjet politike të pasluftës për të mbyllur përgjithmonë këtë plagë

Kurse, analisti tjetër politik, Faton Mehmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot” u shpreh optimist se Specialja duhet t’i zbardhë vrasjet me motive politike e nacionale.

Image
Faton Mehmeti

Ai beson se kjo gjykatë është kthyer në një shpresë për familjarët e viktimave.

“Nëse Gjykata Speciale nuk zbardh vrasjet e pasluftës ajo dështon në vetvete. Qëllimi kryesor i saj është zbardhja e vrasjeve me motive politike, naciolane dhe fetare. Derisa tek kjo e fundit s’ka pasur raste, dhe as te karakterit nacional të civilëve, vrasjet me bindje politike janë kryesore për çka edhe vëmendja dhe besimi i familjarëve të të vrarëve është e madhe”, tha ai.

Gjithashtu, analisti potencoi se ky Tribunal u formua, pasi që politikanët e Kosovës ushtruan ndikimin e tyre në drejtësi me gjykatat vendore për vrasjet e ndodhura të pasluftës.

“Fatkeqësisht Kosova nuk kishte politikanë të duhur për të ç’ kapur drejtësinë nga e cila pastaj edhe do të zbardheshin çdo vrasje, kështu që Specialja s’do kishte nevojë për tu formuar.

Nëse të arrestuarit janë të pafajshëm për vrasjet e pasluftës duhet lirohen menjëherë, kushdo që është i përfshirë të dënohet sa më parë. Dua të besoj se Specialja do i zbardh vrasjet politike të pasluftës për të mbyllur përgjithmonë këtë plagë”, përmbylli Faton Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat