Zgjedhjet në 4 komunat e veriut, paralajmërohet dënim i fuqishëm ndërkombëtar për ata që e pengojnë procesin

Politika

Zgjedhjet në 4 komunat e veriut, paralajmërohet dënim i fuqishëm ndërkombëtar për ata që e pengojnë procesin

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 22 prill 2023 Në ora: 10:34
Foto ilustrim

Të dielën e 23 prillit, do të mbahen zgjedhjet e parakohshme lokale në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq – të gjitha të banuara me shumicë serbe. 

Këto zgjedhje kanë arritur të sjellin reagime të mëdha në opinonin publik dhe thirrjet për të mos krijuar tensione në veri të vendit po vazhdojnë këto ditë edhe nga ndërkombëtarët. 

Në garë për kryetarë të komunave në veri janë 10 kandidatë - prej tyre vetëm një nga komuniteti serb. Alleksandar Jabllonoviq, nga Partia e Serbëve të Kosovës, është tërhequr nga gara vetëm tri ditë përpara zgjedhjeve edhe pse kandidatura e tij është certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. 

Në vazhdën e kësaj situate Lista Serbe e ka bojkotuar pjesëmarrjen në zgjedhje, me arsyetimin se Kosova nuk i ka plotësuar dy kushtet e saj: Formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe tërheqjen e njësisë speciale të Policisë së Kosovës nga pjesa veriore e vendit. 

Në këtë qëndrim, Lista Serbe ka pasur edhe mbështetjen e Beogradit zyrtar. 

Në një përgjigje për REL ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier ka rikujtuar se në pajtueshmëri me predispozitat ligjore, Kosova do të mbajë më 23 prill zgjedhjet për kryetarë komunash dhe kuvende komunale në katër komunat e banuara me shumicë serbe, në veri të vendit. 

Duke u bërë thirrje të gjithë kandidatëve nga të gjitha partitë politike që të marrin pjesë “në këtë proces demokratik”, ambasadori amerikan Hovenier ka tërhequr vërejtjen se “të gjitha përpjekjet për të penguar mbajtjen e zgjedhjeve përmes kërcënimeve apo përdorimit të dhunës, do të përballen me dënimin e fuqishëm të komunitetit ndërkombëtar”. 

E ditë më parë Albin Kurti ka thënë se nuk kanë asnjë informacion për destabilizim të situatës në veri për shkak të zgjedhjeve me 23 prill. 

Ai është shprehur se Serbia përmes propagandës po tenton t’i frikësojë serbët lokalë në veri që të mos marrin pjesë në zgjedhje. 

Mirëpo, ai u ka bërë thirrje të gjithë serbëve të Kosovës në veri që të dalin në zgjedhje. 

Mehmeti: Kryeministri Kurti nuk duhet të relaksohet nga qetësia aktuale në veri, mund të jetë qetësi para fortunës 

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik Faton Mehmeti. 

Ai u shpreh se Serbia ka një kohë që përdor propagandën për qëllimet e saj, mirëpo që edhe kujdes duhet të ketë ndaj deklaratave të tij, pasi Vuçiq ka në dorë kriminelët dhe huliganët në veri. 

“Serbia propagandën e ka pjesë të politikës së përditshme, e përdor për qëllime djallëzore. Edhe veriun e përdor për të faktorizuar veten në dialog me Kosovën. Kryeministri Kurti nuk duhet të relaksohet nga qetësia aktuale në veri, mund të jetë qetësi para fortunës. Vuçiqi i ka në dorë bandat në veri, kështu që mund t'i përdor këtë të diel. Nuk besoj se Serbia ka veç propagandë, ka edhe kriminelët , huliganët në veri. Andaj, këtë gjë, Kosova ta ketë parasysh, mos të bie pre e mashtrimeve”, u shpreh ai. 

Image
Faton Mehmeti

Analisti tutje shpreson që KFOR-i dhe policia e Kosovës të garantojnë zgjedhjet e 23 prillit. 

“Serbia s’ka besë, por uroj që KFOR me policinë e Kosovës të garantojnë zgjedhjet me 23 prill, të cilat Serbia do të tentojë t'i sabotojë”, nënvizoi Mehmeti për “Bota sot”. 

Duhanaj: Duhet të jemi të përgatitur si shtet 

Ndërsa, analisti tjetër politik, Leon Duhanaj në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë se Serbia e ka dëshmuar që mundohet të shkaktoj destabilizim në Kosovë. 

“Serbia, përkatësisht klasa politike në pushtet, çështjen e Kosovës e kanë një mision permanent. Ata shumë herë gjejnë forma të diskursit politik, por edhe angazhime operative në Kosovë, në mënyrë që ta mbajnë situatën sa me gjatë në status quo. Në njërën anë synojnë çdoherë rritjen e ndikimit, përkatësisht rritjen e kompromiseve të nga ana kosovare dhe, nga ana tjetër, jo rrallë Kosova përdoret për konsum të brendshëm në Serbi. Kur flasim për çështje të sigurisë, Serbia e ka dëshmuar që është faktor destabilizues në Kosovë dhe se ndikimi i saj në veri është me i madh se i institucioneve tona të Kosovës”, foli analisti. 

Image
Leon Duhanaj

Në fund, Duhanaj tha që për çdo rast do të ishte më mirë të merren masa për siguri në mënyrë që të mos kemi situata të pakontrolluara. 

“Në ketë kontekst, nëse z. Kurti flet me siguri të plotë rreth çështjes së sigurisë në veri, uroj të jetë ashtu, por në vend të tij, shumë me mirë do kisha marrë masa që edhe nëse ka ndonjë synim, të jemi të përgatitur si shtet, e mos të na ndodhin situata të pakontrolluara siç ishte dërgimi i forcave speciale në veri, e që për t'i tërhequr mbrapa, u kërkua ndihma e KFOR-it. Pra, mirë është me rrezatuar siguri, sepse është e rëndësishme, por edhe me mirë është me marrë masat e duhura, që të mos ndodhë asgjë”, përfundoi Duhanaj për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat