Vjen reagimi i ashpër ndaj Borellit, hidhen dyshime për koordinim të ‘fshehtë’ me Vuçiqin – ja çfarë mund të ndodhë në veri!

Politika

Vjen reagimi i ashpër ndaj Borellit, hidhen dyshime për koordinim të ‘fshehtë’ me Vuçiqin – ja çfarë mund të ndodhë në veri!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 6 maj 2023 Në ora: 08:13
Josep Borrell- Aleksander Vuciq

Një nga temat më aktuale në vend, janë zgjedhjet lokale të mbajtuara në komunat veriore.

Me 23 prill, u zhvilluan zgjedhjet në Mitrovicë të veriut, Leposaviç, Zubin Potok dhe Zveçan, ku fitues dolën kanidadtët shqiptarë, pasi serbët refuzuan të merrnin pjesë dhe të garonin në këto zgjedhje të organizuara nga institucionet e Kosovës.

Kësisoj, deri më 28 maj pritet të bëhet betimi i kryetarëve të rinj, pasi deri në këtë datë kanë afat ligjor për ta bërë një gjë të tillë.

Mirëpo, Bashkimi Evropian ka kërkuar që të zhvlerësohen mandatet e katër kryetarëve të sapozgjedhur në komunat veriore.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka thënë se “një krizë e madhe pritet në veri të Kosovës”, pas zgjedhjeve të 23 prillit në katër komunat në veri të vendit.

Kjo pasi siç ka thënë ai, në takimin e 2 majit në Bruksel, Kosovës iu kërkua që të djegë mandatet e kryetarëve të sapozgjedhur në veri të Mitrovicës, Zubin Potok, Leposaviq dhe në Zveçan.

“Kurti refuzoi, kishte një propozim për të bërë një zgjidhje të përkohshme në të cilën ata nuk do të merrnin zyrat e tyre më 28 maj sepse sigurisht që do të sjellë trazira dhe probleme, mendova se ishte një mundësi ideale që Kurti të dilte nga turpi i madh në të cilin e ka futur veten, pastaj kuptova se ishte në të vërtetë një plan, që ai edhe pse thotë se nuk është entuziast për këtë, ai është thelbësisht entuziast dhe e sheh si mundësinë më të mirë për t’i dëbuar serbët nga veriu i Kosovës”, tha ai.

Njohësit e çështjeve politike, për “Bota sot” komentuan këtë kërkesë të BE-së për zhvlerësim të mandateve, derisa u kritikua ashpër Borelli.

Elezaj: Se çfarë do të ndodhë deri me 28 maj me kryetarët e rinj të zgjedhur për 4 komunat në veri, më së “miri”, gjegjësisht më së keqi, e ka shpjeguar Borell

Për këtë tëmë, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, foli opinionisti Rexhep Elezaj.

Së pari, ai kritikoi deklaratën e Borellit për zgjedhjet në veri, të cilën e cilësoi si ‘zgjidhjen më të keqe’ për këtë çështje.

“Se çfarë do të ndodhë deri me 28 maj me kryetarët e rinj të zgjedhur për 4 komunat në veri, ditën kur ata duhet të betohen për t’i marrë detyrat e reja në këto komuna, më së “miri”, gjegjësisht më së keqi, e ka shpjeguar Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme, J. Borrell në deklaratën e tij të dhënë menjëherë pas përfundimit të takimit Kurti_Vuçiq, i cili ndër të tjera ka thënë: “Shprehim edhe njëherë shqetësimin e madh për situatën në veri të Kosovës pas zgjedhjeve të pjesshme në veri me pjesëmarrje shumë të ulët. Dhe, është e qartë që, marrë parasysh pjesëmarrjen e ulët, se këto zgjedhje nuk ofrojnë një zgjidhje politike afatgjate, por përkundrazi kanë potencialin për të çuar deri në ndonjë përshkallëzim dhe për të minuar zbatimin e marrëveshjes së Ohrit”..”, deklaroi ai.

Image
Rexhep Elezaj

Elezaj, tha se kjo deklaratë e Borellit është paralajmërim për përshakllëzim të situatës në very, të cilën hodhi dyshime se këtë e bëri në koordinim me presidentin serb Vuçiq.

“Pra, në mënyrë shumë të qartë Borrell e kritikon palën kosovare për mbajtjen e zgjedhjeve të “pjesshme” në veri, duke paralajmëruar përshkallëzim të situatës në veri, gjoja si synim i palës kosovare për ta minuar marrëveshjen e Ohrit, deklaratë kjo të cilën ky e paska përpiluar bashkë me A. Vuçiqin. Sepse, kjo deklaratë nuk mund të kuptohet ndryshe, veçse si koordinim mes tij dhe Vuçiqit, pra një qëndrim i tij pro-serb dhe kundër Kosovës, dhe kjo nuk është hera e parë që J. Borrell publikisht ia mbanë anën Serbisë, duke e paralajmëruar nga Brukseli “potencialin” se situata në veri do të përshkallëzohet me rastin e marrjes së posteve të reja të 4 kryetarët e këtyre komunave në veri..”, theksoi opinionisti.

Më tej, duke analizuar kërcënimet, ai tha se mund të kuptohet se mund të ndërmerren aksione kriminae dhe të armatosura, për të ndaluar betimin e kryetarëve të rinj.

“Të njëjtin kërcënim e ka bërë dhe e ka paralajmëruar ditë më para edhe “Lista Serbe” si dhe grupet kriminale në veri, e cila këto ditë e ka shtuar numrin e flamujve të Serbisë në veri, duke paralajmëruar trazira dhe destabilizim të gjendjes, që, kur ky kërcënim ndaj qeverisë së Kosovës ndërlidhet me deklaratën e J. Borrellit, gjërat bëhen të qarta për secilin njeri, se serbët në veri të udhëhequr tinëzisht nga presidenti serb Vuçiq dhe me pajtimin e J. Borrellit, do bëjnë çdo përpjekje si dhe do ndërmarrin çdo lloj aksioni kriminal, edhe të armatosur, që mos ta lejojnë inaugurimin ligjor të 4 kryetarëve të rinj me 28 maj. Madje, hapur kanë deklaruar së bashku A. Vuçiqin, se veriun e konsiderojnë të okupuar nga Prishtina..!?

Por, me këtë rast duhet theksuar domosdo faktin, se mes amerikanëve dhe zyrtarëve të BE-së ka pasur dhe ende ka dallime në qasjen rreth mbajtjes së zgjedhjeve në veri me 23 prill, të cilat siç dihet janë përkrahur nga SHBa-të, ndërsa janë kundërshtuar nga BE-ja, dhe se ky dallim pas deklaratës së J. Borrellit është bërë edhe më i qartë. Megjithatë, jam optimist se rrjedhat politike në veri nuk do arrijnë në pikën e vlimit..”, nënvizoi Elezaj.

Ndër të tjera, opinionisti shpreson që betimi i kryetarëve të rinj do të bëhet, pavarësisht kërcënimeve dhe shantazheve që po bëhen nga serbët.

“Po ashtu, besoj se me 28 maj 4 kryetarët e zgjedhur do ta bëjnë betimin për ta marrë detyrën e re, siç edhe në ndërtesat e komunave do i vendosin flamujt e shtetit të Kosovës, pranë kërcënimeve me luftë dhe shantazheve të njohura të serbëve, se “Veriu kurrë nuk do të jetë i shqiptarëve”, dhe kështu me radhë. Ngase, vetë këto zgjedhje janë mbajtur edhe pa pjesëmarrjen e serbëve lokalë, pra ashtu siç kanë kërkuar miqtë tanë amerikan, ngase gjatë mandatit të kryetarëve të katër komunave në veri, duhet të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe (AKS), pikërisht dhe ekskluzivisht ashtu siç kanë deklaruar shpeshherë diplomatët amerikan, vetëm sipas normave kushtetuese të Republikës së Kosovës, pa kompetenca ekzekutive, ku në asnjë mënyrë nuk do lejohet kurdisja e bombës me fitil brenda Kosovës, siç pretendojnë serbët, formimin e një mini-Republika srpska”, e cila gradualisht do ta minonte me ndihmën e Beogradit zyrtar pavarësinë dhe shtetin e pavarur të Kosovës..”, përfundoi Rexhep Elezaj për “Bota sot”.

Zogaj: Çdo orvatje për veprim të një anshëm do të jetë thellim krize, e cila i konvenon Vuçiqit

Kurse, opinionisti tjetër, Skënder Zogaj në një bashkëbisedim me “Bota sot” u shpreh se mbajtja e zgjedhjeve nuk ka qenë vendim i duhur.

Ai përmendi dorëheqjet e serbëve nga institucionet e Kosovës.

“Mbajtja e zgjedhjeve nuk ka qenë vendim i duhur, sepse, kryetarët e dorëhequr, për qëllimet politike të Beogradit, i kanë shkaktuar dëme popullatës serbe, të cilës ia kanë pamundësuar realizimin e një varg shërbimesh tepër të rëndësishme për jetën e përditshme! Por, duke qenë se kjo ka ndodhur me vullnetin e plotë të serbëve, atëhere Qeveria e Kosovës nuk ka pasur asnjë arye që të shpejtoj përbajtjen e zgjedhje të reja, por të pres derisa, popullata serbe ta kuptoj gabimin e përfaqësueve të saj politikë dhe të kërkojë zgjedhjet e reja”, deklaroi opinionisti.

Image
Skender Zogaj

Sipas Zogajt, zgjedhjet në veri ishin grackë politike e Beogradit, që mund të sjellë pasoja në vazhdim.

“Nëse serbëve u konvenon të mos kenë udhëheqësit e tyre komunal, është faj i tyre dhe, ia pafshin hajrin vetgetoizimit. Përpjekja për tejkalimin e situatës duke mbajtur zgjedhje të bojkotuara nga serbët, është gabim sepse, është fakt që, kryetarët e zgjedhur nuk e kanë asnjë lloj të vlere elektorale, por janë krijime të improvizuara, të destinuara për dështim! Ky dështim nuk është rezultat i kërcënimeve të Vuçiqit, por është inercion i krizës ekzistuese dhe i veprimeve të pamenduara mirë nga ana e institucioneve qendrore të Kosovës, të cilat duhet të mos bien në grackën e politikës se Beogradit”, vlerësoi ai.

Në fund, opinionisti e cilësoi si të drejtë kërkesën e BE-së, derisa shtoi se çdo veprim i njëanshëm do prodhonte krizë.

“Kryetarët e rinj të katër komunave nuk do të mund të funksionalizohen, sepse, është absurde që një kryetar komune të jetë i pranuar na 2 përqindshin por i papranueshëm për 98 përqindshin e popullatës së komunës! BE-ja me të drejtë ka kërkuar përmbajtje nga veprimet e mëtutjeshme, pra që kryetarët e rinj të mos betohen pa një marrëveshje paraprake ndërmjet Prishtinës e Beogradit! Çdo orvatje për veprim të një anshëm do të jetë thellim krize, e cila i konvenon Vuçiqit”, përmbylli Skënder Zogaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat