Arrestimi i prijësit të bandave kriminale në veri, ekspertët dalin me një këshillë për institucionet e Kosovës

Politika

Arrestimi i prijësit të bandave kriminale në veri, ekspertët dalin me një këshillë për institucionet e Kosovës

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 14 qershor 2023 Në ora: 08:04
Pjesëtarë të Policisë së Kosovës në Mitrovicë të Veriut pas arrestimit të Millun Millenkoviq. 13 qershor 2023.

Milun Milenkovic një nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” dhe prijës i bandave kriminale në veri të vendit, është arrestuar të martën nga Policia e Kosovës.

Arrestimin e tij e ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili tha thënë se i njëjti ka qenë edhe organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan.

Policia e Kosovës sot ka arrestuar Milun Milenkovic- Llune, një nga udhëheqësit e formacionit kriminal “Mbrojtja Civile” dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë, kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës. I njëjti ka qenë edhe organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan”, ka thënë Sveçla.

Sveçla ka theksuar se gjatë arrestimit të tij, janë sulmuar zyrtarët e Policisë së Kosovës me ç’ rast tre nga ta janë të lënduar lehtë.

Siç edhe e kam theksuar në vazhdimësi, koha e bandave kriminale në veriun e vendit tonë ka përfunduar. Të gjithë individët apo grupet kriminale që kanë cenuar sigurinë dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, do të përballen me drejtësinë”, tha tutje ai.

Arrestimi i serbit, ka sjellë reagimin e serbëve në veri të Kosovës.

Ata kanë sulmuar me gurë policinë e Kosovës, ndërsa vetura e policisë ka hasur në vështirësi edhe nga veturat tjera për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.

Ekspertët e sigurisë thonë se institucionet e Kosovës nuk duhet t’i ndalin aksionet në atë pjesë të vendit, gjersa shtojnë se do të duhej dakordim me bashkësinë ndërkombëtare.

Shala: Qeveria e Kosovës ka gabuar vetëm në një pikë

Image
Drizan Shala

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, thotë se arrestimi i serbit është në vazhdën e dakordimit në mes të mekanizmit të sigurisë që ka ardhur si kërkesë e KFOR-it për të arrestuar çdo kriminel apo individ që është indentifikuar si sulmues naj këtij misioni.

Sipas Shalës, qeveria e Kosovës ka gabuar në një pikë, ku këtë proces nuk është dakorduar me faktorin ndërkombëtar.

Aksioni i PK respektivisht operatorëve të njësive speciale po dëshmon që aty ky ndërhyn vetëm ligji dhe rendi suksesi është i pa shmangshëm duke treguar profesionalizëm tepër të mirë. Ky arrestim është në vazhdën e dakordimit në mes mekanizmit të sigurisë që ka ardhur si kërkesë e KFOR për të arrestuar çdo kriminel apo individ që është i indentifikuar si sulmues ndaj këtij misionit. Qeveria e Kosovës ka gabuar vetëm në një pikë që ndërlidhet me këtë proces si rezultat i mos dakordimit me faktorin ndërkombëtar për të bërë veprime pas betimit të kryetarëve”, shprehet Shala.

Sipas tij, veriu ka rrëshqit në anarki.

“Tani situata është kautike në rrethana që veriu ka rrëshqit në anarki duke mos u bindur edhe Beogradit zyrtar për veprimet të mëtutjeshme pra duhet tani e tutje vetëm mekanizmat e sigurisë të veprojmë e veprimet tjera politika të mbajë duart larg zhvillimeve për ta rifutur sistemin kushtetues ligjore në atë pjesë”, pohon Shala.

Halimi: Është e pakuptueshme qasja e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Serbisë dhe Kosovës

Image
Armend Halimi

Ndërsa, Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë ISS, thotë se çdo akt i destabilizimit në Kosovë nuk është i papritur.

Sipas tij, është e pakuptueshme qasja e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Serbisë dhe Kosovës.

Tutje, sipas Halimit, institucionet kanë të drejtë të mos i ndalin aksionet në atë pjesë.

“Serbia ka treguar që është e padisiplinuar prandaj edhe nuk janë të papritura aktet e destabilizimit në vendin tonë, për të cilat tërë kohën kemi ngritur shqetësimin. Fatkeqësisht kështu do të vazhdojë deri sa nuk bëhet përgjegjëse dhe tolerohet jo vetëm për rrjedhat e tanishme, por edhe të kaluarën e saj gjenocidiale. Andaj sa është e pakuptueshme qasja e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Serbisë dhe Kosovës, aq japin të drejtojë të aludojmë në ndonjë qëllim të fshehur, që flet me ndonjë plan të dakorduar mes palëve negociuese të më hershme për ndarje të asaj pjese. Por, që sigurisht institucionet e Republikës së Kosovës kanë të drejtën e tyre mos t’i ndalin aksionet deri në futjen e plotë nën kontroll të asaj pjesë”, thekson Halimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat