Teki Dervishi - personaliteti që s’u thye kurrë, i pa kompromis në goditjen e projekteve antikombëtare dhe anti shtetërore

Politika

Teki Dervishi - personaliteti që s’u thye kurrë, i pa kompromis në goditjen e projekteve antikombëtare dhe anti shtetërore

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 29 qershor 2023 Në ora: 08:02
Teki Dërvishi

29 qershori shënon përvjetorin e vdekjes së një ndër personaliteteve më të shquar që ka pasur Kosova.

Pikërisht me këtë datë, para 12 viteve ndërroi jetë pas një sëmundjeje të rëndë në moshën 68 vjeçare, drejtori i gazetës kombëtare “Bota sot”, dramaturgu, shkrimtari dhe publicisti i shquar, Teki Dervishi.

Dervishi i cili ishte edhe një ndër ndihmuesit e botuesit Xhevdet Mazrekaj për krijimin e gazetës “Bota sot”, sot e kësaj dite mbetet një ndër personat që ka lënë boshllëk në kulturën dhe publicistikën shqiptare.

Bashkëpunëtorët e Dervishit e kanë kujtuar atë si të pa arritshëm dhe shembull për shumë krijues.

Sipas tyre, mungesa e tij vërehet shumë pasi ai ka qenë i veçantë dhe njerëzit e tillë lindin rrallë.

Foniqi: Teki Dervishi, gjithmonë ishte admirues dhe shembull për shumë krijues

Image
Shaqir Foniqi

Gazetari dhe bashkëpunëtori i Teki Dervishit, Shaqir Foniqi, thotë se Dervishi ishte një disident i rrallë dhe intelektual i paparë.

Ai e kujton Dervishin si motivues, kurajues dhe vlerësues, por edhe sugjerues.

“Teki Dervishi, një emër i ndritur! Shkrimtarin, dramaturgun dhe publicistin Teki Dervishin e kam njohur nga afër, por edhe nga shkrimet! 'Bregu i pikëllimit', për mua mbetët ndër romanet më të bukura, por edhe më të guximshme në letërsinë shqipe. Ai, sikurse e dini ishte një disident i rrallë dhe intelektual i paparë! Teki Dërvishi me shkrimet e tij krijonte opinion dhe ishte një zë i fuqishëm i kauzës sonë. Duke qenë i tillë kishte shumë peripeci, por kurrë nuk u thye! Unë ruaj kam pasur nderin që të botoja shkrime në gazetën,' Bota sot', të cilën ai e drejtoi me sukses, për shumë vjet. Motivues, kurajues dhe vlerësues, por edhe sugjerues, Teki Dervishi, gjithmonë ishte admirues dhe shembull për shumë krijues”, shprehet Foniqi.

Ai tregon se ka mësuar shumë nga shkrimet e këshillat e tij, gjersa shpalos për herë të parë një kujtim me të gjatë kohës sa ka qenë gazetar i RTK-së.

“Unë, kam mësuar shumë nga shkrimet dhe këshillat e tij miqësore, profesionale dhe shumë të vyera! Ndaj, mungesa e tij, hetohet gjithnjë e më shumë, sepse ai ishte i veçantë dhe njerëzit e veçantë, lindin rrallë! Unë, dua ta ndajë për herë të parë një kujtim me të, të cilin po e shpalosë për herë të parë. Në kohën kur ai ishte drejtor i Teatrit Kombëtar, unë isha gazetar i RTK-së dhe insistoja ta intervistoja, por ai nga modestia dhe nga një, të themi,'fobi',hezitonte dhe me thoshte, 'njëherë tjetër, Shaqë'! Një ditë i shkova me kamerë në zyrë dhe e binda. Foli aq bukur, si Tekiu më. U nda shumë i kënaqur dhe duket se flaku 'frikën' nga kamerat televizive. Pastaj, kur e takoja, me thoshte si me shaka, 'a po don intervistë, se më nuk kam 'frikë', ma ke hequr sikur me magji. E falënderoj për gjithë atë që ka bërë për kulturën tonë. I përhershëm qoftë kujtimi për të!”, shton Foniqi.

Teki Dervishi u lind në Gjakovë më 1943. Pas shkollimit fillor ai i ra në sy regjimit serb të asaj kohe dhe u burgos e u dënua që në moshën 17 vjeçare, ku vuajti dënimin disavjeçar në burgjet serbe. Teki Dervishi është ndër të burgosurit më të rinj shqiptarë që vuajti në burgun famëkeq jugosllav të Goli Otokut.

Brajshori: Ai ishte thesar i dramës shqipe dhe institucion kombëtar

Ndërsa,  bashkëpunëtori i Teki Dervishit, Esat Brajshori shprehet se ai ishte dhe mbeti njëshi.

“Së pari, po më vjen jashtëzakonisht mirë që dikush, si ju, kujtohet për gjeniun Teki Dervishi. Unë kam pasur fatin të bashkëpunoj me Tekiun i cili dy tekstet e fundit, "Repriza e Lirisë" dhe, "Ku është populli", i pati shkruar enkas për mua, të cilat drama unë i vura në skenën e Teatrit Shqiptar në Shkup dhe në atë të Teatrit Kombëtar në Prishtinë. Të shkruash për Dervishin nuk do të mjaftonte asnjëherë, pasi që ai ishte thesar i dramës shqipe dhe institucion kombëtar. Ishte dhe mbeti njëshi dhe i pa arritshëm edhe sot e kësaj dite”, thotë Brajshori.

Image
Esat Brajshori

Ai thotë se Teki Dervishi ishte i lindur disident.

“Në fushën e publicistikës, i pa kompromis në goditjen e antivlerave kulturore, në goditjen e projekteve antikombëtare dhe anti shtetërore, në goditjen e ideologjive turko-osmano-siriano-iraniano- aziatike ... I lindur disident!”, shton Brajshori.

Teki Dervishi gjatë gjithë jetës së tij u mor me shkrime letrare e publicistike. Është autor i rreth 90 veprave letrare artistike, romane, poezi, drama. Është autor i romaneve: Pirgu i Lartë, 1972, Padrona, 1973, Skedarët. 1974, Herezia e Dervish Mallutës, 1981, Palimpsest për Dush Kusarin, 1993. I përmbledhjes së tregimeve: Etje dhe Borë, I vëllimit të poezive Nimfa 1970, Shtëpia e Sëmurë 1978, Thashë 1981, Nimfa 1986. Ka botuar edhe këto drama: Zbutësi i njerëzve me sy prej zymrydi, 1979, Bregu i Pikëllimit, 1985, Pranvera e Librave, 1990, Zhvarrimi i Pjetër Bogdanit, 1990, Kufiri me atdhe, 1996, Vojceku, 1996, Eshtrat që kthehen vonë, 2000, Nesër nisemi për Parajsë, 1999, Ku është Populli?, 2003 si dhe i veprës me ese e kritika mbi teatrin Qan e qesh Talia 1978.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat