Thaçi e Remi “turistë në luftë”/ PDK: Deklarata e Haradinajt, marrëzi/ Analisti: Thaçi kishte rol politik, më pak ushtarak!

Politika

Thaçi e Remi “turistë në luftë”/ PDK: Deklarata e Haradinajt, marrëzi/ Analisti: Thaçi kishte rol politik, më pak ushtarak!

Nga: Qendresa Rexhaj Më: 27 korrik 2023 Në ora: 10:17
Thaçi e Remi

Deklarata e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili tha se ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa-Remi kanë qenë “turistë” në UÇK, ka nxitur debate të mëdha.

Berisha: Gjykata Speciale nuk është krijuar rastësisht

Deputeti nga radhët e PDK-së, Hisen Berisha, konsideron se kjo deklaratë e Haradinaj është marrëzi dhe e pa ndershme.

Sipas tij, këto provokime nuk i bëjnë nderë as luftës dhe as historisë së Kosovës.

“Nëse dikush mendon se gjoja është strategji me zhvesh nga përgjegjësitë e ku ta di unë, kjo është marrëzi dhe nuk duhet të spekulohet me gjëra të tilla. Gjykata Speciale nuk është krijuar rastësisht, ajo është krijuar në bazë të një raporti të Dick Marty dhe që ka pasur pretendime për ta njollosur UÇK-në. Vetëdijshëm është kaluar në Kuvendin e Kosovës, vetëdijshëm po përballen dhe po bëjnë sakrificën fundit Hashim Thaçi dhe të tjerët për të demantuar këtë pretendim të raportit të Dick Marty, por besa edhe të atyre që janë angazhuar për ta njollosur luftën tonë. Këto lloj provokimesh nuk i bëjnë nderë luftës tonë, as historisë, as të vërtetës. Lufta është e vërtetë dhe ka ardhur si rezultat i dhunës që ka ushtruar Serbia këtu. Nuk është e ndershme të thuhen këto deklarata. Kjo veç mundet me i dëmtu”, deklaron ai për "Bota sot".

Image
Hisen Berisha

Tutje Berisha, thotë se Hashim Thaçi dhe të tjerët që po gjykohen në Hagë, po bëjnë sakrificën e fundit.

Burjani: Po Thaçi nuk ishte në mënyre të vazhdueshme në frontet e luftës

Nga ana tjetër njohësi i rrethanave politike, Blerim Burjani, thotë se Thaçi kishte më shumë rol politik në luftë dhe më pak ushtarak.

Derisa vlerëson se ai nuk ishte “turist” siç ka potencuar Haradinaj, por ishte lëvizës.

“Po Thaçi nuk ishte në mënyre të vazhdueshme në frontet e luftës, ai e kishte emërtuar vetën drejtor politik, njeri i cili kishte folur dhe përfaqësuar UÇK-në, pra kishte rol politik në luftë, më pak ushtarak. Megjithatë ai nuk ishte turist, por ishte lëvizës. Kurse Remi kishte qenë aktiv tërë kohën në luftë, kjo dihet për Remin”, thotë ai për "Bota sot".

Image
Blerim Burjani

Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa-Remi, ka reaguar në mënyrë indirekte ndaj deklaratave të kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili e ka cilësuar si “turist” të luftës.

Remi në reagimin e tij ka thënë: “atë që e bënë njeriu për pak vëmendje nuk e bënë dot asnjëra nga gjallesat për mbijetesë”.

Çka tha Haradinaj?

Ditë më parë, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka folur për kohën e luftës dhe rolin që e ka pasur ish-drejtori politik i UÇK-së, Hashim Thaçi gjatë asaj kohe.

Haradinaj ka thënë se ish-presidenti Thaçi dhe ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa-Remi kanë qenë “turistë” në UÇK.

“Zoti Thaçi turist është, më falni në shprehje. Turist është, ai ka qëndru në Drenicë, ai ka qëndru në Rogner, ka qëndru diku tjetër. Zoti Rrustem Mustafa turist është. Ka luftuar tri javë Remi në Llap. Ose tjetri ose tjetri, turistë janë në UÇK, o djem. E kanë bërë të përkohshëm, përkohësisht hyrë e dil. Nuk jam duke ju fol pahiri, por po ju fol dikush i cili që nga data 24 mars 1998, shkoni le t’i marrin hetuesit e Kosovës, prokurorët, le t’i hyjnë rend Dukagjinit, le t’i pyesin katun për katun: A jeni kanë në luftë, sa vet jeni kanë, kur ja keni nis, çka ka ndodhë me ju?”, ka thënë Haradinaj.

“Po të flet dikush që nga 24 marsi 1998 në shpi të vet ka luftuar me krejt familjen dhe jemi kanë bukur profesionistë. Po të flet dikush që vëllai i parë ju ka vra në 1997, në 6 maj 1997. Nga 24 mars 1998 deri në 12-13 qershor s’e kam lëshuar Kosovën asnjë ditë kur janë largu serbët, se kam lëshuar një ditë Kosovën. E kush po më tregon mua sa janë kanë”, ka shtuar ai.

Haradinaj ka thëhë po ashtu se ka pasur të tillë që janë munduar që vetëm një formacion i caktuar të marrë pjesë në luftë, teksa ka shtuar se ka shumë persona në rajonin e Dukagjinit që janë veteranë të luftës, por nuk e kanë marrë statusin.

“Shiko, do janë mundu mos me kanë shumë se kanë pas qejf me kanë ose veç LPK-ja, ose veç LDK-ja ose veç LKÇK-ja. Jo, unë kam luftuar me shqiptarë. Kush ka dashtë e ka kapë pushkën, kanë ardh prej krejt botës, kanë luftu. Të gjithë janë UÇK. Ka plot në Dukagjin që ende s’e kanë marrë statusin e veteranit dhe janë veteranë”, ka shtuar ai

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat