Zgjedhjet e reja në veri, a do t’i hiqen sanksionet Kosovës nga BE?

Politika

Zgjedhjet e reja në veri, a do t’i hiqen sanksionet Kosovës nga BE?

Nga: P.Rudi Më: 11 gusht 2023 Në ora: 08:02
Foto ilustrim

Ditë më parë, Qeveria e Kosovës ka nisur punën për sigurimin e bazës ligjore për zhvillimin e zgjedhjeve të reja të parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës, Zveҫan, Leposaviq, Zubin Potok dhe Veri të Mitrovicës.

Bashkimi Evropian kërkon uljen e tensioneve përmes një plani që parasheh pezullimin e operacioneve policore në veri, zhvendosjen e kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.

E gjendur përballë kësaj situate, Qeveria e Kosovës është pajtuar për hapat e parë të uljes së tensioneve, duke zvogëluar për 25 % praninë e njësive të policisë në ndërtesat komunale në veri. Por kryeministri Albin Kurti ka thënë se zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës nuk mund të mbahen pa u shtensionuar plotësisht situata.

E përkundër hapave që ka marr Qeveria e Kosovës, Bashkimi Evropian po vazhdon të mbajë në fuqi sanksionet ndaj Kosovës.

Krejt kjo, sipas analistit politik Faton Mehmeti, po ndodhë vetëm për një arsye.

Image
Faton Mehmeti

“BE po i mban sanksionet për të kërkuar lëshime shtesë nga qeveria në vazhdim të negociatave me Serbinë. Kjo është e padrejtë kur kihet parasysh bashkëpunimi që ka treguar Kosova në raport me BE dhe kërkesat e saja. Qeveria e Kosovës duhet të mos hesht përballë kësaj padrejtësie, ngase BE po tregohet dyfytyrëshe”, shprehet Mehmeti për “Bota sot”.

“Kosova s’ka çfarë ofron më shumë se kaq, ajo vetëm të jetë më e kokëfortë kur të tjerët e trajtojnë jo dinjitetshëm”, shton analisti Mehmeti.

Për fund, ai thotë se as mbajtja e zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës nuk pritet që të sjellë heqjen e sanksioneve nga Bashkimi Evropian.

“Mbajtja e zgjedhjeve në veri nuk pritet t'i heq krejt sanksionet e BE, pritet të zvarritën për lëshime të mëtutjeshme ndaj Serbisë”, përfundon Faton Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat