“Skenari më i ri dhe më i rrezikshëm”/ Kush po e alarmon Kosovën për provokimin serb të radhës?

Politika

“Skenari më i ri dhe më i rrezikshëm”/ Kush po e alarmon Kosovën për provokimin serb të radhës?

Nga: P. Rudi Më: 14 gusht 2023 Në ora: 23:02
Foto nga tensionet në veri të Kosovës

Javën e kaluar, Qeveria e Kosovës është pajtuar për hapat e parë të uljes së tensioneve, duke zvogëluar për 25 % praninë e njësive të policisë në ndërtesat komunale në veri. Por kryeministri Albin Kurti ka thënë se zgjedhjet në katër komunat në veri të Kosovës nuk mund të mbahen pa u shtensionuar plotësisht situata.

Edhe përkundër hapave që ka marr Qeveria e Kosovës, Bashkimi Evropian po vazhdon të mbajë në fuqi sanksionet ndaj Kosovës.

E këtë qasje të BE-së ndaj Kosovës po e kritikon ashpër analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Gani Qarri.

“Fakti se Policia e Kosovës, siç u dëshmua edhe në terren, për herë të parë pas mese 23 vitesh të çlirimit, ka arritur me sukses ta vendosë gjendjen 100% nën kontroll edhe në veri, duket se rivendosja e rendit dhe e ligjit edhe në këtë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës, dikujt as nga Bashkimi Evropian, fare nuk i pëlqen, ngase në prezencën e policisë së Kosovës, as bandat e shkërmoqura kriminale të Radojçiqit dhe organizatat terroriste të ashtuquajtura "brigada e veriut" dhe "mbrojtja civile" si dhe grupet terroriste të dërguara enkas nga Serbia për destabilizimin e gjendjes, nuk po mund të shkaktojnë më tensione, bllokim rrugësh dhe situatë të nderë në veri”, thotë Qarri.

Sipas tij, krejt kjo vjen si presion ndaj Kosovës që t’i bëjë edhe më tej lëshime Serbisë, e cila sipas Qarrit, duhet të ndëshkohet nga BE.

“Kështu që duke mos pasur më adut tjetër më të fortë, për ta kushtëzuar Qeverinë e Kosovës, që t’i bëjë lëshime të reja Serbisë hegjemoniste, BE për fajet e Serbisë, nuk e ndëshkoi Serbinë, por i vendosi padrejtësisht masa ndëshkuese Kosovës, pavarësisht fakti se po vlerësohet edhe nga vendet tjera si demokracia e vetme në Ballkanin Perëndimor, akt i cili bëri që të alarmohen edhe vendet perëndimore, me ç`rast 56 politikan botëror, i dërguan letër të hapur SHBA-ve, BE-së, Mbretërisë së Bashkuar etj, me kërkesën publike për trajtim të barabartë të Kosovës në dialog dhe ndryshim urgjent të qasjes ndaj Serbisë.

“Dhe përderisa Kosova përveç zvogëlimit të prezencës së Policisë, është në përgatitje edhe të procesit të ri-zgjedhor në veri, për t’i hapur rrugë rikthimit të përfaqësuesve të pakicës serbëve në institucionet e Kosovës, për habi, Beogradi zyrtar, pa kurrfarë droje për masa apo sanksione nga BE, ka ripërtërirë dhe zgjeruar publikisht gjithandej strukturat ilegale me ç`rast vet kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka emëruar me vendim ekzekutiv, bartësit e ri të të ashtuquajturave autoritete të përkohshme komunale dhe në vend se të respektonte kërkesat e SHBA-ve e të BE-së, që kryetarët e komunave në veri të Kosovës, të dalin nga zgjedhjet e reja të jashtëzakonshme, ajo përveç emërimit të Dalibor Millunoviqit në krye të komunës së Leposaviqit, ka bërë emërimin e "zyrtarëve" të organeve ilegale të Serbisë edhe në jug të Ibrit, si në Klinë, Fushë Kosovë, Podujevë etj, anipse atje nuk jeton asnjë minoritar serb”, nënvizon Qarri.

Ai thotë se ulja e numrit të Policisë së Kosovës në komunat veriore të Kosovës, synon të krijojë pasiguri tek qytetarët.

“Sikur mos të mjaftonin masat ndëshkuese ndaj Kosovës, presioni nga përfaqësuesit e BE-së Borell e Lajçak, emisari amerikan Gabriel Eskobar si dhe akti më i ri i kundërligjshëm i aktivizimit të strukturave ilegale paralele të Serbisë brenda territorit të Kosovës, këmbëngulja e BE-së për zvogëlimin kaq të vrullshëm të numrit të policëve në komunat veriore, duket se ka për qëllim të krijojë pasiguri edhe më të madhe te qytetarët e të gjitha vendit, ngase në rast rreziku, Policia e Kosovës me numër kaq të kufizuar, nuk mund të jetë në gjendje, që të arrij, ta mbaj gjendjen nën kontroll, veçanërisht në veri, e lëre më ti zbuloi depot e tjera të fshehta të armëve të grumbulluara ilegalisht nga bandat e Radojçiqit, ti konfiskoi ato, dhe të arrij, ti dëboi edhe grupet kriminale e terroriste të ardhura nga Serbia, jashtë kufijve të shtetit të Kosovës”, deklaron Qarri.

Por pse nuk po i hiqen masat ndëshkuese Kosovës nga Bashkimi Evropian?

“Mos heqja e masave ndëshkuese ndaj Kosovës nga BE, përkundër faktit që Qeveria e vendit ka ndërmarrë hapa thelbësor për shtensionim te situatës, që nga zvogëlimi i numrit të policëve në dhe përreth objekteve komunale si dhe përgatitjet në vazhdim për mbajtjen e zgjedhjeve te reja ne veri, si dhe skenari i Serbisë për armatosjen graduale të grupeve mercenare dhe terroristëve të "fjetur" potencial, brenda vet territorit të Kosovës, për përdorimin e tyre në aksionet e mundshme të para-planifikuara, për veprime të armatosura sipas porosive të Vuçiqit dhe BIA-s serbe, kundër institucioneve të sigurisë së Kosovës, duket se kanë për qëllim vendosjen e vendit tonë në situatë të pa rrugëdalje, për imponimin e ndarjes së veriut dhe kënaqjen e orekseve territoriale të Serbisë hegjemoniste!”, shpjegon Qarri për “Bota sot”.

“Mos heqja e masave ndëshkuese ndaj Kosovës nga BE, si dhe aktivizimi i njëkohshëm i strukturave paralele të Serbisë me vendim ekzekutiv të qeverisë serbe nga Beogradi, gjithandej Kosovës, janë jo vetëm zhvillime të pazakonta dhe tërësisht të kundërligjshme, por edhe skenari më i ri dhe më i rrezikshëm i provokimit të hapur të shtetit të Kosovës, për mbërthimin e shtetit tonë nga të dy anët, si me darë, në njërën anë, me masat e BE-së dhe në anën tjetër me rebelimin politik të strukturave paralele të Serbisë, të cilat, siç është raportuar nga mediat ndërkombëtare janë pajisur edhe më sasi të ndryshme të armatimit, të deponuara në kisha, e manastiret ortodokse dhe lokalitetet e banuara me pjesëtar të pakicës serbe, jo për ta ndihmuar rendin e ligjin, por për të quar në ndarjen me dhunë të veriut dhe shkatërruar përfundimisht shtetin e Kosovës”, përfundon për “Bota sot”, analisti Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat