“Kurti kërkon rol parësor të ShBA-ve në bisedime”/ A do të përsëritet një 4 shtator i vitit 2020 dhe metoda “Trump” për marrëveshje Kosovë- Serbi

Politika

“Kurti kërkon rol parësor të ShBA-ve në bisedime”/ A do të përsëritet një 4 shtator i vitit 2020 dhe metoda “Trump” për marrëveshje Kosovë- Serbi

Mimozë Lakna Nga Mimozë Lakna Më 19 shtator 2023 Në ora: 14:47
Albin Kurti, Miroslav Lajcak dhe Aleksandar Vuçiq

Kosova dhe Serbia dështuan të arrinin një dakordim ndërmjet vete në takimin e 14 shtatorit të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti akuzoi të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak se nuk ishte “i paanshëm” në takimin e javës së kaluar ndërmjet palëve.

“Ose do e zbatojmë marrëveshjen bazike në tërësi e plotëni të saj ose nuk mund të zbatojmë vetëm ato që dëshiron Serbia. Kjo logjikë ka vdekur dhe një Republikë e pavarur e Kosovës nuk mund, nuk duhet dhe nuk do të ecë në një shteg të tillë”, tha kryeministri Kurti mes tjerash në konferencën e mbajtur të hënën.

Por, me këtë deklaratë të kryeministrit Kurti nuk u pajtua Departamenti Amerikan i Shtetit duke i vlerësuar përpjekjet siç i quajti “të palodhura të Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak në bisedimet Kosovë-Serbi”.

“Ne (SHBA) mbetemi të angazhuar ngushtë me Kosovën, Serbinë dhe partnerët e BE-së në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Falënderojmë dhe njohim përpjekjet e palodhura të Përfaqësuesit të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak”, thuhet në një përgjigje të DASH-it për VOA.

Ndërkohë që në Kosovë është evident “zemërimi” me ndërmjetësuesin e BE-së, z. Miroslav Lajçak në dialogun me Serbinë, me të drejt lind pyetja për rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë situatë.

Kosova që nga celulat e themelimit dhe konsolidimit të shtetit mbështetjen më të madhe e ka pasur Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Lidhur me këtë temë për gazetën “Bota sot”, foli Profesori i marrëdhënieve Ndërkombëtare Dr. Enver Bytyçi, i cili tha se përparësia që ka marrë gjeopolitika pas agresionit rus kundër Ukrainës e ka komplikuar situatën.

Image
Dr. Enver Bytyçi

“Në kushtet e krijuara dialogu Kosovë-Serbi jep hapësirë për spekulime të ndryshme. Përparësia që ka marrë gjeopolitika pas agresionit rus kundër Ukrainës e ka komplikuar situatën. Komplikimi ka shkuar në dëm të së drejtës, të viktimës, pra Kosovës dhe në favor të agresorit, të së padrejtës, paratë Serbisë. Në këto kushte ne përballemi me dy alternativa, Moza! Njëra alternative është kjo që po ndodh realisht me qëndrimet e qeverisë dhe institucioneve të Kosovës së sotme. Tjetra lidhet me idetë, pikëpamjet dhe përpjekjet e qeverive të kaluara sa i përket vendimmarrjes në dialog.

Unë shoh se si çdo here që Kurti dhe Aleksandër Vuçiç takohen dalin në dukje këto dy rryma. Rryma serbe kërkon me insistim që të zbatohen marrëveshjet e shkuara. Këmbëngulja më e madhe është për krijimin e asociacionit. Këto marrëveshje janë nënshkruar nga Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa. Por Thaçi e Mustafa kanë nënshkruar p.sh edhe marrëveshjen për njohjen e dokumenteve shtetërore të Kosovës, të cilën Serbia nuk e zbatoi kurrë. Kjo klauzolë përmendet në Marrëveshjen e 19 prillit 2013, kur nënshkruesi I palës së Kosovës, zoti Thaçi na thoshte pikërisht këtë që sot thotë zoti Kurti se “Serbia e ka njohur de facto Kosovën”! Pas dhjetë vitesh, në shkurt dhe mars të këtij viti, u pranua thuajse e njëjta marrëveshje si ajo e vitit 2013 Thaçi – Daçiç”, është shprehur ai.

Por, ai rikujtoi se kryeministri i Kosovës thotë se zbatimi i marrëveshjeve të shkruara duhet të fillojë nga njohja e shtetësisë së Kosovës dhe integritetit territorial të saj dhe jo nga krijimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Vuçiç e Lajçak thonë që të fillohet nga Asociacioni. Nga anojnë amerikanët?”, pyet Dr. Bytyçi duke kujtuar se Presidenti Biden ka shkruar para dy vitesh një letër për presidenten Osmani dhe atë të Serbisë, ku thotë se duhet një marrëveshje gjithëpërfshirëse, brenda së cilës të jetë njohja e Kosovës nga ana e Serbisë.

“Diplomatët e zotit Biden kanë harruar prej kohësh të përmendin njohjen si përfundim logjik i procesit. Në BE ishin Lajçak dhe Borrell që mbështetën presidentin Vuçiç për të mos shkruar në marrëveshjen e fundit njohjen e shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë. Ajo marrëveshje është pro- Serbisë e kundër integritetit territorial të Kosovës. Megjithatë Vuçiq tha se nuk do ta nënshkruajë edhe në katër vitet e ardhshme.

Ka disa që thonë se “Nuk i duhet kërkuar Beogradit lëshime e kompromise që nuk i përballon dot”! Këtë e thotë dhe kryeministri i Shqipërisë në mënyrë të përsëritur. Amerikanët janë në një pozicion midis. As nuk flasin për njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë. Por edhe nuk e kritikojnë qëndrimin e Kurtit në Bruksel. Çfarë ka ndodhur/ Në fillim u duk se Kurti po mbështetet te europianët dhe po shpërfill amerikanët. Madje pati akuza se zoti Kurti i premton Lajçakut në vend që ti premtonte Escobarit”, thotë ai.

Sipas profesorit, tani duket se peshorja po anon nga mbështetja amerikane, ndërsa shprehet se BE-ja ka angazhuar në ndërmjetësim dy diplomatë që vinë nga vendet nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.

“Kurti shkroi një letër. Ia adresoi atë Uashingtonit, Berlinit, Parisit dhe Romës. Nuk e di pse u anashkalua Londra. Pse ai nuk e adresoi letrën e tij edhe te kryeministri i Britanisë së Madhe. Megjithatë kjo letër do ta adresojë dhe në fakt niset nga premisa e delegjitimimit të rolit të Miroslav Lajçak si ndërmjetës në dialogun Kosovë-Serbi. Çfarë ka për qëllim kjo letër? Për mua Kurti po kërkon rol parësor të SBA-ve në bisedimet Kosovë-Serbi. Nëse arrihet që Lajçak të deligjitomohet, atëherë merr goditje edhe roli i Borrell, pra i vetë BE-së. Kësisoj ka shumë mundësi që vetë BE ta transferojë rolin e vet të SHBA-të, por pa u larguar plotësisht nga skena.

Lind pyetja se ku qëndron ndryshimi midis politikës së Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian sa i përket opsionit të zgjidhjes së konfliktit Kosovë-Serbi? Në BE janë ngarkuar me këtë rol dy diplomatë, të cilët kanë qenë dhe janë kundër shtetësisë së Kosovës. Kjo e kompromenton plotësisht rolin e saj. Të ngarkosh dy diplomatë mos-njohës të shtetësisë së Kosovës për ta zgjidh një konflikt kaq të komplikuar, do të thotë të përdorësh benzinë në vend të ujit për shuarjen e zjarreve”, nënvizon ai.

Për Dr. Bytyçin, tejkalimi i kësaj situate bëhet vetëm me ndërrimin e trupës ndërmjetësuese në dialog.

“Borrell dhe Lajçak kanë marrë hapur rolin e zëdhënësit të Serbisë dhe Aleksandër Vuçiç. Kjo në vend ta zgjidhë konfliktin, e thellon atë edhe më shumë. Çdo ndërmjetës që përpiqet të pajtojë dy pale është i dështuar në momentin që ai merr anë në ndihmë të njërës pale. Ky është rregull universal. Në këtë rast, në vend që ta zgjidhë konfliktin, ndërmjetësuesi, qoftë dhe midis dy personave, e nxit dhunën dhe rifillimin e këtij konflikti”, potencon profesori.

Në fund profesor Bytyçi kujton marrëveshjen e 4 shtatorit të vitit 2020 në Zyrën Ovale, kur Presidenti Trump me veprimet e tij dëshmoi se SHBA-të kanë autoritet t’i detyrojnë ta zgjidhin konfliktin.

“Por, në SHBA ka më shumë hapësira për qëndrime të diferencuara. Kur shohim p.sh ambasadorin Hill që merr në mbrojtje presidentin e Serbisë dhe kritikon, njësoj si Borrelli, kryeministrin e Kosovës, duhet të dimë se SHBA-të e kanë ngarkuar atë që të të përdor karotën ndaj tij. Ishte një tjetër përfaqësues i Departamentit të Shtetit që para disa vitesh i thoshte “Mos qëndroni në dy karrige”, d.m.th edhe me rusët edhe me perëndimin. Në këtë rast kjo dukej njëfarë kamxhiku ndaj tij. Amerikanët i përdorin në të njëjtën kohë të dyja këto. Ne nuk jemi dakord me karotën dhe duam që kundër Serbisë të përdoret kamxhiku. Në fakt kjo është e drejta. Por a do ta bëjnë këtë amerikanët, nëse e marrin në dorë fatin e dialogut? Presidenti Trump na ka lënë një lloj shije. Pa analizuar anët pozitive e negative të marrëveshjes së 4 shtatorit 2020 në Zyrën Ovale, metoda që Trump përdori dëshmon se SHBA-të kanë autoritet ti marrin palët për veshi e ti detyrojnë ta zgjidhin konfliktin”, ka përfunduar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat