“Kërcënimet” e BE-së ndaj Kosovës për sanksione shtesë, analistët të ashpër me Borrellin

Politika

“Kërcënimet” e BE-së ndaj Kosovës për sanksione shtesë, analistët të ashpër me Borrellin

Arife Morina Nga Arife Morina Më 25 shtator 2023 Në ora: 11:51
Përfaqësuesi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell

Ditë më parë, përfaqësuesi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell në emër të BE-së në një deklaratë për media lidhur me dialogun ka kritikuar Kosovën për veprime të njëanshme, gjersa ka njoftuar se masat e BE-së ndaj Kosovës mbeten ende në fuqi, duke përfshirë pezullimin e takimeve të nivelit të lartë.

Në këtë deklaratë thuhet se BE është e gatshme të heqë këto masa në rast të progresit në përmbushjen e kërkesave ekzistuese, ose të vlerësojë masat e mëtejshme ndaj të dyja palëve, nëse është e nevojshme.

“Masat e kthyeshme që ka marrë BE-ja mbeten në fuqi, duke përfshirë pezullimin e takimeve të nivelit të lartë me Kosovën. BE-ja është e gatshme të heqë këto masa në rast të progresit në përmbushjen e kërkesave ekzistuese, ose të vlerësojë masat e mëtejshme ndaj të dyja palëve, nëse është e nevojshme”, thuhet në deklaratë.

Në deklaratën për media të BE-së thuhet se lëvizjet e Kosovës, duke përfshirë shpronësimet e tokës në veri të Kosovës, urdhrat e dëbimit, telekomunikacionin dhe përdorimin e forcave speciale të policisë për detyrat e policisë në komunitet – nuk janë në përputhje me sundimin e ligjit dhe rrezikojnë të kontribuojnë për rritjen e mëtejshme të tensioneve.

E për ironi, këto akuza të BE-së ndaj Kosovës, u ‘hodhën poshtë’ nga një sulm i një grupi terrorist serb në veri të Kosovës, e që fatkeqësisht mbeti i vrarë rreshtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Duket se ndërkombëtarët, me ‘ledhatimin’ e tyre po i japin krah Serbisë për të ushtrar veprimtaritë e tyre kriminale.

Se më ccfarë masash sanksionuese shtesë mund të përballet Kosova, mbetet të shihet në vazhdim.

Analistët politikë për “Bota sot” komentuan këtë paralajmëri të Bashkimit Evropian, derisa Kurtit iu kërkua të mos dorëzohet përballë këtyre “kërcënimeve”.

Mehazi: Nuk ka pse të dorëzohet Kurti nga masat ndëshkuese të BE-së

Profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi, reagoi ashpër ndaj BE-së dhe qasjes së saj ndaj Kosovës në dialogun me Serbinë.

Ai tha se masat ndëshkuese janë të padrejta dhe do ishte absurd e që të ashpërsoheshin ato.

Image
Profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi

“Është absurde deklarata e Bashkimit Evropian para mediave se për shkak dialogut të pasukseshem me Serbinë masat ndëshkuese ndaj Kosovës jo që nuk do hiqen, por BE-ja do i shtojë dhe më shumë për shkak jo zbatimit të marrëveshjes së Ohrit dhe situatës së rëndë në veri të Kosovës duke kërkuar nga qeveria e Kosovës depërshkallëzimin e plotë të situatës në veri, kur qytetarët e Kosovës, opinioni i gjerë i brendshëm e i jashtë, poashtu dhe BE-ja e SHBA-të e dinë se situata tensionuese në veri vjen nga kriminelët e Serbisë të përkrahur nga Vuçiqi e jo nga qeveria e Kosovës që hiç më shumë e hiq më pak mbron kushtetuten e Kosovës. Kush është ai që provokon e është luftënxitës, a presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiqi, që kërcënohet se do vijë në Graçanicë pa pyet fare qeverinë e Kosovës, apo kryeministri i Kosovës Kurti që kërkon paqe?”, deklaroi profesori.

Po ashtu, Mehazi përmendi disa nga msat e mundshme që BE mund t’i vendosë ndaj Kosovës, por që të njëjtat do jenë të paarsyeshme.

“Nuk e dimë se me çfarë masa të tjera do ndëshkohet Kosova kur ajo është e ndaluar e ndëshkuar dhe e stopuar në shumë instanca më të larta të BE-së e botërore të cilët dhe një liberalizim të thjeshtë nuk ju japin qytetarëve të Kosovës. Të themi se mos ndoshta qeveria e Kosovës do izolohet e ndëshkohet nga BE-ja për shkak korrupsioneve?, jo sepse të BE-së e dinë se Kurti e qeveria e tij nuk janë të korruptuar. Të themi se Kurti do sanksionohet për shkak se mbron Kushtetuten e Kosovës?, jo sepse ai nuk sulmon si Vuçiqi territorin e Kosovës. Të themi se Kosova do sanksionohet politikisht, ekonomikisht e ideologjikisht sepse është me Rusinë e jo me BE-në?, sikurse Serbia që përkrah Putini, jo sepse Kosova politikisht e ideologjikisht është me BE-në e SHBA-në.

Të themi se Albin Kurti dhe Kosova kërcënon shtetet fqinje Malin e Zi, RMV-në e Serbinë sikurse që kërcënon Serbia të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor?, jo sepse të gjitha këto veprime luftënxitëse i bën Vuçiqi i Serbisë e jo Kurti i Kosovës”, theksoi ai.

Krahas kësaj, profesori vlerësoi se shteti serb do i përjetojë sanksionet më shumë se Kosovë. Derisa, kërkoi nga kryeministri Kurti që të mos dorëzohet si pasojë e “masave ndëshkuese”.

“Mendojmë se për shkak mos suksesit të dialogut dhe situatës së paqartë të asociacioneve serbe në veri saksionet do t'i përjetojë Serbia e cila është anëtare e të gjitha organizatave politike, diplomatike e shtetërore botërore, pëkundër Kosovës e cila është e izoluar e sanksionuar që më parë nga BE-ja. Qytetarët dhe qeveria e Kosovës janë mësuar me masa ndëshkuese të BE-së dhe këto sanksione do i përballojnë lehtësisht, sanksione e BE-së më shumë do ta dëmtojnë Serbinë sesa Kosovën.

Nuk ka pse të dorëzohet Kurti nga masat ndëshkuese të BE-së, ai, as nuk vjedh shtetin e të pasurohet vetë, as nuk sulmon BE-në, SHBA-në e Serbinë, Kurti vetëm që mbron kushtetutën e Kosovës dhe idealin e dëshmorëve të rënë për Kosovën”, nënvizoi Mehazi.

Ndër të tjera, ai shtoi se Kosovës i mjafton që Kurti të përkujdeset për qytetarët e vendit, pavarësisht sanksioneve.

“Shumë shtete në botë nuk e njohin njëri- tjetrin, por ekzistojnë edhe atë si shtete të sukseshme, Norvegjia, Britania e Madhe, Zvicra e Turqia nuk janë anëtarë të BE-së, por janë më të fuqishme se shumë shtete brenda BE-së, bile këto shtete të lartëpërmendur mohojnë anëtarësimin e tyre në BE.

Mjafton që kryeministri Kurti të përkujdeset për qytetarët e Kosovë e qytetarët e Kosovës ta dëgjojnë qeverinë e Kurtit dhe ja mbarësia, ekonomia, politike e paqa për popullin e Kosovës”, përfundoi Sulejman Mehazi për “Bota sot”.

Haziri: Vendi rrezikon të izolohet ndërkombtarisht

Ndërsa, analisti politik, Nexhat Haziri në një bashkëbisedim me “Bota sot” pas paralajmërimeve të Brukselit, kërkoi nga kryeministri Albin Kurti që të reflektojë në lidhje me marrëveshjet e arritura në Ohër dhe Bruksel.

Image
Nexhat Haziri

“Pas deklaratave nga Brukseli dhe Uashingtoni në përkrahje të emisarit Lajcak dhe në përgjithësi ndaj procesit të dialogut dhe kërkesave që të fillohet me zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit dhe Ohrit, qeveria e Kosovës, konkretisht kryeministri Kurti duhet të reflektojë në drejtim të përmbushjes së obligimeve që dalin nga marrëveshjet e cekura më lartë dhe të demostroj vullnet për depershkallzimin e situatës në veri të vendit”, theksoi ai.

Krahas kësaj, Haziri përmendi disa nga pasojat me të cilat po përballet Kosova si pasojë e sanksioneve dhe se çfarë po mund të rrezikohet me shumë.

“Në të kundërten vendi rrezikon të izolohet ndërkombtarisht pasojat e së cilit do të jenë të rënda për përspektivën e vendit, qoftë në aspektin e brendshëm po ashtu edhe në rrafshin ndërkombëtar. Edhe ashtu sanksionet aktuale të vëna nga BE-ja kanë filluar të ndihen në shumë segmente, siç janë disa projekte dhe plane që kanë qenë paraparë të realizohen në bashkëfinancim me BE-në, dhe tani rrezikojmë edhe procesin e liberalizimit të vizave”, nënvizoi analisti.

Ndër të tjera, ai tha se duhet vepruar në koordimin me aleatët ndërkombëtarë.

“Nuk duhet shpresuar në zërat individual në parlamentin evropian për heqjen e masave ndaj Kosovës të vendosura nga BE, por duhet vepruar shpejtë në koordinim dhe bashkëpunim me aleatët tanë për përmbushjen e obligimeve të marra nga procesi i dialogut me Serbinë në mënyrë që të hiqen masat ndëshkuese për Kosovën. Koha është për veprim e jo për demagogji partiake e për konsum të brendshëm politik”, përmbylli Nexhat Haziri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat