Shpërthimet e fundit në veri, ekspertët e sigurisë zbardhin prapaskenat – kërkojnë veprime urgjente nga ndërkombëtarët!

Politika

Shpërthimet e fundit në veri, ekspertët e sigurisë zbardhin prapaskenat – kërkojnë veprime urgjente nga ndërkombëtarët!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 17 nëntor 2023 Në ora: 20:57
Pamje nga shpërthimet në veri

Provokimet e serbëve në veri të vendit nuk kanë të ndalur.

Së fundi, një shpërthim i fortë ndodhi në Mitrovicë të Veriut, për të cilin Policia e Kosovës dha disa detaje.

Sipas njoftimit, si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar muret e një objekti dhe dritaret e një banese.

Policia është duke e hetuar rastin.

“Është raportuar se më 16.11.2023 si pasojë e shpërthimit të një mjeti të dyshuar janë dëmtuar muret e një objekti dhe dritaret e një banese. Lidhur me rastin njësitë relevante policore kanë dalur në vendin e ngjarjes për trajtim të mëtejmë të rastit”, thuhet në njoftimin e policisë.

Mirëpo a është ky provokimi i radhës nga serbët ndaj të cilët duhet një ndëshkim dhe reagim nga ndërkombëtarët?

Shala: Veprimi është sinjal për institucionet e vendit që të jenë të kujdeshme në punët e tyre operacionale

Image
Drizan Shala

Në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

Ai u shpreh se sulmet e tilla argumentojnë se në veri të vendit veprojnë struktura kriminale me motive politike.

“Sulmet e tilla janë argumentuese që në veri veprojnë struktura kriminale me motive politike që nga ana e institucioneve të vendit janë të shpallur organizata terroriste. Veprimet e tilla po japin një argument dhe paraqesin një pasqyrë që Serbia është e interesuar tutje që të ngris presionin te pala e komunitetit serb që të terhiqen nga veprimet e tyre për konvertim të targave për të pasur pastaj mundësi veprimi më të lehtë në nivelin politik ndërkombëtar”, u shpreh ai.

Më tej, eksperti i sigurisë theksoi që nga qeveria kërkohet një kujdes i shtuar pasi në atë pjesë janë struktura kriminele.

“Veprimi është sinjal për institucionet e vendit që të jenë të kujdeshme në punët e tyre operacionale për të mbajtur nivelin e duhur të gatishmërisë së vepruarit në atë pjesë nën masa të larta të vepruarit.

Pra, veprime të tilla mund të presim dhe janë kryesisht në domenin e grupeve kriminale që veprojnë pasi të marrin udhëzime nga grupet terroriste të Beogradit zyrtar që veprojnë në pjesën veriore të vendit”, nënvizoi Shala për “Bota sot”.

Tërnava: Serbia është i vetmi shtet që e përkrah dhe i del në ndihmë Rusisë

Image
Hajrullah Tërrnava

Ndërsa, eksperti tjetër i sigurisë, Hajrullah Tërrnava në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që pa një arritje të një pajtimi të qëndrueshëm e si garancë e këtij pajtimi me qenë shtetet ndërkombëtare të NATO-s, vështirë se do të ketë rehati të qëndrueshme.

“Situata në ato pjesë të komunave të veriut që po zhvillohen në këto kohëra tani edhe për opinionin janë të njohura, prandaj pa një arritje të një pajtimi të qëndrueshëm e si garancë e këtij pajtimi me qenë shtetet ndërkombëtare të NATO-s, vështirë se do të ketë rehati të qëndrueshme, sepse përvojat e tanishme na e dëshmojnë këtë situatë. Dëshmia më e freskët është sulmi terorist nga ana e Serbisë më 14.09.2023 në Banjskë.  Kjo mënyrë e kësaj situatë të tendosur na jep të nënkuptojmë se Serbia është në shërbim të Rusisë, e sikur që dihet që nga fillimi i luftës të Rusisë me Ukrainë. Serbia është i vetmi shtet që e përkrah dhe i del në ndihmë Rusisë, prandaj edhe rasti i të mërkurës na lë të nënkuptojmë se Serbia pranë bisedave me ndërkombëtarët që po e ndërmjetësojnë pajtimin mes Serbisë dhe Kosovës. Prandaj, edhe me këto provokime si në rastin e mbrëmshëm, dëshiron me e bind faktorin ndërkombëtar se gjithsesi që veriu i komunave duhet t’i takoj Serbisë”, thekson ai.

Ndër të tjera, eksperti i sigurisë potencoi që faktori ndërkombëtar duhet t’i ketë parasysh këto taktika të këtij shteti nacionalist të qarta, dhe të ndërrmerr ato veprime efektive ndaj këtij shteti.

“Serbia si shtet me një të kaluar çfarë e ka, gjithnjë do të përdor metoda të tilla nxitëse për t’i arritur ato qëllime që i ka në plan, dhe sikur t’i jepen ato pjesë të komunave të veriut Serbiseë, prap pas disa viteve do të iniconte çështjen edhe për komuna tjera serbe në Kosovë, që ta gëzojnë një autonomi të cakuar që do t’i shërbente prap si preteks për lufta të radhës në të ardhmen. Prandaj, faktori ndërkombëtar duhet t’i ketë të qarta këto taktika të këtij shteti nacionalist, dhe të ndërrmerr veprime efektive ndaj këtij shteti dhe njëherë e përgjithmonë Serbia ta kuptoj se ajo i takon Evropës, dhe duhet si të gjitha shtetet e këtij regjioni të sillet në përputhshmëri me ligjet ndërkombëtare të BE, dhe të ndodhë pajtimi me Kosovën, dhe dyja këto shtete të antarësohen në shtete të BE, si dhe institucione tjera ndërkombëtare për një rehati dhe qetësi të përjetshme, edhe që kjo strukturë politike udhëheqëse nacionaliste serbe në Serbi, e ka të vështirë që të shkëputet nga e kaluara e tyre”, përfundoi Tërnava për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat