Ditëlindja e Komandantit legjendar, Adem Jashari - përkujtohen veprat dhe sakrificat e tij për Kosovën

Politika

Ditëlindja e Komandantit legjendar, Adem Jashari - përkujtohen veprat dhe sakrificat e tij për Kosovën

Arife Morina Nga Arife Morina Më 28 nëntor 2023 Në ora: 08:01
Adem Jashari. Foto nga arkivi

28 nëntori është datë me rëndësi të veçantë për shqiptarët. 

Së pari, kjo datë shënon 111 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, e njëkohësisht shënon edhe datën e lindjes së Komandanti legjendar Adem Jashari. 

Adem Jashari u lind më 28 nëntor të vitit 1955 në Prekaz të Skenderajt. Ishte djali i tretë i Shaban dhe Zahide Jasharit. Ka mbaruar shkollën e mesme teknike në Skenderaj. 

Pas shuarjes së të gjitha institucioneve të Kosovës më 1990, ideja për t’u organizuar në aspektin ushtarak merr një dimension të ri, nga LPK-ja, e cila ende nuk vepronte krejtësisht publikisht. Me 3 nëntor të vitit 1991, në Shqipëri shkoi një grup veprimtarësh për t’i kryer ushtrimet e duhura ushtarake dhe për t’u stërvitur për luftën e armatosur. 

Shërbimet sekrete serbe i bien në gjurmë formacionit të armatosur dhe policia serbe ia mësyn rrethimit dhe kapjes së tij. Më 30 dhjetor 1991 ekspedita policore – ushtarake serbe ndërmori aksion për zënien e grupit. Pas kësaj përleshjeje me forcat e policisë serbe, tërë grupi i Adem Jasharit kalon në ilegalitet, deri në fillimet e luftës çlirimtare në Kosovë. 

Intensifikimi i aksioneve të armatosura të UÇK-së fillon me sulmin e shtatorit 1997 në 12 stacionet policore. Nga aksionet e armatosura kundër forcave policore që kryente UÇK-ja, pas shtimit të dhunës sistematike të forcave serbe nëpër Kosovë, kalohet në një fazë tjetër, të ndeshjes së drejtpërdrejtë me forcat serbe, pra në beteja, në fundin e nëntorit 1997, kur në Rezallë të Re luftohet me forcat e shumta të policisë serbe. 

Në këtë betejë i ndërpritet rruga kolonës së armatosur rëndë të forcave serbe, që kishin mësyrë një sulm në fshatin Vojnik, ku një ditë më parë, patrullat e maskuara të policisë serbe ishin gjuajtur me armë zjarri nga njëri prej luftëtarëve të hershëm të UÇK-së, Abedin Rexha – Sandokani. 

Në këtë betejë printe Adem Jashari dhe luftëtarë të tjerë si Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi, Sylejman Selimi, Ilaz Kodra, Ilaz Dërguti etj. Kjo është beteja e parë dhe fitorja e njësitit të UÇK-së. Kjo betejë bëri jehonë të madhe në opinionin publik. 

Policia serbe kishte shënjuar që moti shtëpinë e Jasharëve. Më 5 mars 1998, që në orët e hershme, forca të mëdha të policisë serbe kishin mësyrë Prekazin. Një pikë zjarri, e stacionuar që herët në lokacionin e fabrikës së municionit, që ishte në afërsi të shtëpisë së Jasharëve, ishte përforcuar me mjete të rënda artilerike. Përforcimet e forcave serbe kishin ardhur edhe nga drejtimi i Klinës, Mitrovicës dhe Gllogovcit. Sulmi mbi Jasharët nis rreth orës gjashtë të mëngjesit. 

Në shtëpi ndodheshin pothuajse tërë anëtarët e familjes. Sulmi mbi Jasharët dhe qëndresa heroike e tyre zgjatë tri ditë: më 5, 6 dhe 7 mars 1998.Kjo luftë heroike, në historinë e re të Kosovës njihet me emrin Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

Gjithë këto ngjarje dhe sakrifica tregojnë luftën dhe përpjekjet e pandalshme të komandanti legjendar për liri dhe pavarësi. 

Figura e Adem Jasharit mbetet një nga më të ndritshmet në historinë e Kosovës, e cila në vete ngërthen vlerat sublime të një heroi të pashoq, të një luftëtari të vërtet që rezistoi deri në frymën e fundit me gjithë çfarë kishte, përfshirë gjënë më të shtrenjtë siç është familja. 

Tani, në 68 vjetorin e lindjes së tij, komandanti legjendar kujtohet me fjalët dhe rrëfimet më të mira, por në realitet sa është Kosova sot ajo për të cilën u flijua Adem Jashari bashkë me familjen e tij!? 

Hoxha: Ende jemi larg nga synimet e Adem Jasharit, të dëshmorëve dhe luftëtarëve të tjerë 

Ish komandanti i Njësisë Policore të UÇK-së, Hafir Hoxha, në një prononcim për “Bota sot” foli për rëndësinë e 28 nëntorit dhe ditëlindjen e komandantit legjendar, Adem Jashari. 

Fillimisht, ai përmendi sfidat e shqiptarëve që mbetën jashtë kufijve të Shqipërisë. 

Po ashtu, ai përmendi edhe pozicionin e shqiptarëve në ish Jugosllavi dhe të drejtat e tyre. 

Image
Ish komandanti i Njësisë Policore të UÇK-së, Hafir Hoxha

“28 nëntori është dita e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, por me shumë troje e vise te saj jashtë atij kufiri zyrtar kur u shpall pavarësia më 28.11.1912 në Vlorë. 

Kosova e tëra, pastaj Presheva, Medvegja e Bujanoci me rrethina mbetën nën okupimin serb, viset tjera me banorë shqiptarë në Maqedoni dhe Mal të Zi po ashtu të okupura të gjitha këto nga ish Jugosllavia. 

Shqiptarët jashtë kufijve shqiptarë nuk u pajtuan kurrë me ish okupatorin Jugosllav, ishin të detyruar të jetojnë dhe veprojnë të izoluar nga Shqipëria, kjo pasi marrëdhëniet mes Shqipërisw dhe Jugosllavisë ishin të ftohta dhe ne shqiptarët nuk kishim mundësi komunikimi me shtetin amë, Shqipërinë. 

Në ato kushte dhe rrethana në shqiptarët në ish Jugosllavi u mundonim me i pas të drejtat tona sado pak si etni shqiptare dhe ishim të detyruar të punojmë në të gjitha institucionet pikërisht për t’u munduar me i fitu të drejtat tona si kombësi shqiptare, në të njëjtën kohë kishim njerëz që nuk u pajtonin  kurrsesi me sistemin jugosllav, siç ishte vetë Komandanti Adem Jashari personalisht, kurse babai i tij baca Shaban Jashari dhe vëllau Hamza ishin mësues dhe punonin me rininë shqiptare në edukim dhe në orientim kombëtar shqiptar”, shpjegoi ai. 

Nisur nga kjo, Hoxha tregoi luftën dhe sfidat që komandanti legjendar kishe ndaj okupatorit serb. 

Ai tha se shteti serb kishte të dhëna për Ademin dhe shokët e tij që luftonin kundër tyre. 

“Adem Jashari kishte mendim që sa më parë, me luftë duhet me iu kundërvënë okupatorit jugosllav dhe në atë drejtim u angazhua me shokë të të njëjtit mendim. 

Ditëlindja e tij ishte 28 nëntori, dita e pavarësisë së Shqipërisë, ku Ademi kishte më shumë arsye ta festojë atë datë. 

Tërë jetën, Ademi u angazhua që me luftë, me armë ta çlirojë vendin, gjatë kësaj periudhe ai me shokët e tij zhvilloi sulmet e armatosura me polici dhe forca të tjera të sigurisë jugosllave. 

Shteti serb kishte të dhëna për Ademin dhe shokët e tij që luftonin kundër tyre, pasi u shpartallua ish Jugosllavia me 26.06.1991, me fillimin e luftës në Slloveni, ku edhe unë si ushtarak në atë kohë me 29.06. 1991 kalova në ushtrinë sllovene dhe e luftuam ish APJ-në, që e larguam nga Sllovenia. Lufta vazhdoi në Kroaci dhe Bosnjë, më pas më 1998, i erdhi radha që edhe në Kosovë të fillonte lufta e armatosur”, tha ish-komandanti i UÇK-së. 

Në vazhdim, ai foli edhe për sulmin ushtarak të Serbisë mbi kullat e Jasharëve, e që sipas tij ishte alarmi kryesore për shqiptarët. 

“Sulmi ushtarak, policor i Serbisë në kullat e Jasharëve ishte alarmi kryesor i shqiptarëve kudo që ishin se duhet luftuar, nga ajo ditë, nga 5 marsi i 1998 pra u mobilizuan bijtë e bijat shqiptare në tërë globin e tokës, ku secili në mënyrën dhe mundësitë e veta kontribuuan në zhvillimin dhe përforcimin e UÇK-së, aftësimin dhe pajisjen e saj me armatim, municion, luftëtarë dhe logjistikë. 

Në këtë formë, UÇK u konsolidua dhe arriti t’i kundërvihet me sukses forcave okupuese serbe. 

Ndryshimet në politikën globale e sollën edhe intervenimin e forcave të NATO-s në Kosovë duke i bombarduar caqet serbe por edhe në Serbi duke e shkatërruar strukturën komanduese dhe industrinë që mbështete ushtrinë serbe dhe në fund u arrit deri tek takimi në Rambuje dhe tek marrëveshja e Kumanovës, ndërmjet NATO-s dhe RFJ-së, e nënshkruar më 9 qershor 1999, hyri në fuqi më 11 qershor 1999”. 

Gjithashtu, ish-komandanti foli edhe për shpartallimin e UÇK-së, derisa u shpreh se kur flasim për Adem Jasharin, nuk posedojmë dokumente, shkrime të mjaftueshme për t’i mësuar lëvizjet, projektet, aktivitet e tij. 

“Me këtë marrëveshje u larguan të gjitha forcat e armatosura serbe nga Kosova dhe në të njëjtën kohë u shpartallua UÇK e cila nuk kishte të drejtë të ekzistonte më, ajo u shndërrua në një strukturë me projekte e plan programe si strukturë e mbrojtjes civile dhe në një fjalë u mbanin nën kontroll nga NATO ish-pjesëtarët e UÇK-së, si trupë mbrojtëse - TMK. 

Me kohën dhe në zhvillimet politike dhe pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, statusi i asaj force u ndryshua dhe u bë si Forcë e Sigurisë së Kosovës e që në realitet e ka rolin e një ushtrie profesionale, por për momentin ende e paarmatosur si ushtri me armë të renda! 

Në këtë kontekst, kur flasim për Adem Jasharin, nuk posedojmë dokumente, shkrime të mjaftueshme për t’i mësuar lëvizjet, projektet, aktivitet e tij individuale dhe me shokët e tij, pasi të gjitha ato janë zhvilluar në forma ilegale”, tregoi ai.

Më tej, Hoxha tha se mjafton të dëgjojmë dëshmitarët dhe familjarët e tij, për ta kuptuar sakrificën dhe luftën e madhe që komandanti legjendar, Adem Jashari bëri me okupuarin serb. 

“Por, në të njëjtën kohë nga dëshmitarët familjarë dhe bashkëluftëtarë e kuptojmë drejt dhe mirë konceptin e tij dhe të bashkëluftëtarëve të tij se trojet shqiptare duhet me i mbrojtë me sakrificën më të madhe që është e mundur, se armikun duhet me luftu me armë, me luftë nga trojet tona dhe se duhet të punojmë, mësojmë dhe të angazhohemi që të gjithë shqiptarët në Ballkan të jetojmë me një shtet të vetëm, Shqipëri. 

Këto porosi dhe këto vlera sublime të një kombi janë porosi të vulosura me gjakun e Adem Jasharit, të sakrificës së familjes së tyre, të gjithë luftëtarëve dhe dëshmorëve të tjerë dhe mbështetjen nga i gjithë populli shqiptar”. 

Ndër të tjera, ai tha se tani për momentin jem larg synimeve që kishte Adem Jashari, derisa kërkoi që të mos ndalen këto synime, pasi mund të konsiderohet tradhti ndaj kombit. 

“Ndalesa eventuale e kujtdo e mëhershme nga këto projekte, nga këto detyra dhe synime të UÇK-së, nga luftëtarët dhe dëshmorët e saj, nga martirët dhe sakrifica e popullit do të ishte tradhti ndaj tyre! 

Prandaj, lehtë është të kuptohet sot se kush ku është i orientuar, për çka punon e angazhohet dhe sa i vlerëson dhe respekton synimet e popullit, të UÇK-së që u priu Adem Jashari me familje e shokë. 

Pra, larg ende jemi nga synimet e Adem Jasharit, të dëshmorëve dhe luftëtarëve të tjerë! 

Me u ndalë nga këto synime konsiderohet tradhti ndaj vendit dhe kombit!", përfundoi Hafir Hoxha për "Bota sot".

Zogaj: Adem Jashari, traditës sonë luftarake i dha shkëlqim duke vërtetuar se qëndresa shqiptare e ka vetëm një formulë të pandryshueshme: gjithçka për komb e atdhe! 

Kurse, publicisti Skënder Zogaj në një bashkëbisedim me “Bota sot” u shpreh se sakrifica e luftëtarëve duhet vlerësuar. 

Image
Publicisti Skënder Zogaj

Ai tha se në historinë e re të Kosovës, dy figurat kryesore janë Ibrahim Rugova i lapsit dhe Adem Jashari i pushkës. 

“Luftërat çlirimtare gjithmonë dhe gjithkund kanë sakrifica të jashtëzakonshme, prandaj, pas luftërave është detyrë e shenjtë që, sakrificat të vlerësohen dhe të mos harrohen kurrë, sepse po u harruan, ka rrezik që të përsëriten! Këtij qëllimi fisnik duhet t'iu shërbejmë të gjithë në mënyrë që të ruajmë vlerat e vërteta historike me fakte konkrete përmes të dhënave absolutisht të vërteta.  

Prandaj, në historinë tonë të re, dy janë figurat e vërtetësisë së padiskutueshme, madhore, Ibrahim Rugova i lapsit dhe Adem Jashari i pushkës, që bashkërisht e përbëjnë peshën reale dhe dimensionin e vërtetë të historik të çlirimit, lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”, deklaroi publicisti. 

Zogaj vlerësoi lart komandantin Adem Jashari, derisa tha se ai i dha traditës tonë luftarake shkëlqimin e duhur. 

Krahas kësaj, tha se epiteti Komandant legjendar, i është dhënë me të drejtë atij dhe se tani një titull i tillë në këtë kohë është i paarritshëm. 

“Adem Jashari është kupola e moshës shekullore të përpjekjeve të paepura të popullit shqiptar, i cili si rrallë ndonjë popull tjetër në botë, ka histori mitike, me heronj legjendarë, si: Skënderbeu, Oso Kuka, Mic Sokoli, Sef Kosharja, Shote e Azem Galica, Hasan Prishtina, Isa Boletini, Shaban Palluzha e kështu me radhë, deri te Komandanti legjendar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, që traditës sonë luftarake i dha shkëlqim duke vërtetuar se qëndresa shqiptare e ka vetëm një formulë të pandryshueshme: gjithçka për komb e atdhe! 

Flijimi i Adem Jasharit bashkë me familjarët është realitet i njohur mirë dhe i vlerësuar drejtë, me epitetin e madhor “Komandant legjendar” që në kohë moderne është titull i pa arritshëm. Dhe, kjo mirënjohje unike gjithë shqiptare e ka arsyen edhe te fitorja e lirisë për të cilën janë sakrifikuar Jasharajt”, shpjegoi ai. 

Në fund, publicisti shprehi vlerësimin e tij në rast se Kosova është ajo për të cilën u flijua Komandant Adem Jashari. 

Ai tregoi disa nga gjërat që do duhej të ndodhnin pas çlirimit, por që fatkeqësisht nuk janë realizuar ende. 

“Pyetjes: është Kosova ajo për të cilën u flijua Adem Jashari dhe familja e tij, unë them se - është edhe s'është! 

Është sepse ka ndodhur çlirimi i Kosovës nga okupatori, mirëpo nuk është sepse ende nuk po ndodhë në masën e duhur liria dhe pavarësia e Kosovës; nuk po ndodhë ende ajo që shqiptarët e Kosovës është pritur ta bëjnë, nuk po ndodhë ende shpëlarja e zemrës dhe mendjes nga mentaliteti i së kaluarës, nuk po ndodhë ende bashkimi i dukur i shqiptarëve të Kosovës që të krijojë mundësinë e realizimit të bashkimit gjithëkombëtar, që është krejtësisht i arritshëm, nëse duam ne shqiptarët.  Rasti është i volitshëm që të qohet në vend gjaku i Adem Jasharit me familje dhe sakrifica e të gjithë kosovarëve nga okupimet e para e deri sot”, përmbylli Skënder Zogaj për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat