Trupat britanike në veri, vjen thirrja urgjente për SHBA-në – kërkohen sanksione të ashpra ndaj Serbisë!

Politika

Trupat britanike në veri, vjen thirrja urgjente për SHBA-në – kërkohen sanksione të ashpra ndaj Serbisë!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 29 nëntor 2023 Në ora: 08:06
KFORI-i

Së fundmi, u bë e ditur se trupat britanike janë duke patrulluar në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë si pjesë e trupave të KFOR-it, trupa të cilat pritet të shtohen si pasojë e shqetësimeve se mund të rikthehet konflikti në mes të dy shteteve, pas një serie incidentesh në muajt e fundit. 

Agjencia ndërkombëtare e lajmeve “Reuters” njoftoi se tashmë ushtarët britanikë janë vendosur në kufi dhe po patrullojnë me ndërrime 18 orësh në kushte dimri për t’u siguruar që më nuk futen në Kosovë armë apo grupe të armatosura. 

Togeri britanik ka deklaruar për Reuters se po kujdesen të marrin informacione për çdo aktivitet të paligjshëm ose të dyshimtë dhe për çdo sjellje apo lëvizje specifike. 

Shtimi i trupave të KFOR-it po mirëpritet, megjithatë po kritikohen ndërkombëtarët që në vend që të rrisin numrin e trupave ushtarak në veri, të vendosin sanksione ndaj Serbisë. 

Për këtë gjë ka reaguar edhe Analisti amerikan, Daniel Serwer. 

Edhe Serwer e ka mirëpritur këtë, derisa ka shtuar pyetjen se pse BE, Britania e Madhe dhe SHBA nuk po e ndëshkojnë sjelljen e 24 shtatorit. 

 “Mirë të dëgjosh, nëse nuk jeni ushtarë. Por pse BE, Britania e Madhe dhe SHBA nuk po e ndëshkojnë sjelljen e 24 shtatorit që e bëri këtë të nevojshme?”, ka shkruar ai. 

Edhe analistët për “Bota sot” kërkuan urgjentisht sanksione ndaj Serbisë. 

Sipas tyre, rritja e trupave ushtarak të KFOR-it në kufi, nuk është zgjidhja më e mirë. 

Për të ofruar siguri për Kosovën dhe shtetet e tjera të Ballkanit, kërkuan ndëshkim dhe izolim të Serbisë. 

Mehazi: Sanksionet e ashpra ndaj Serbisë do lehtësonin jo vetëm trupat përforcuese britanike në kufij me Serbinë, por do qetësonin edhe Kosovën! 

Image
Sulejman Mehazi

E në lidhje me këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi. 

Ai kërkoi që urgjentisht të sanksionohet Serbia, pasi të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, rrezikohen nga një front i ri lufte. 

E mira e jo vetëm e Kosovës, por edhe e SHBA-së, BE-së, Britanisë së Madhe, NATO-s me KFOR-in do të ishte që në vend që trupat e KFOR-it të patrullojnë, vëzhgojnë e sigurojnë kufirin mes Kosovës dhe Serbisë të bëjnë të kundërtën, të sanksionojnë seriozisht e rëndë Serbinë e cila është rreziku permanent për të përhapur një front të tretë të luftës në Ballkan nga ajo ruso-ukrainase dhe izraelito-palestineze të shqetësohen edhe shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor me anë të Serbisë ruse”, deklaroi profesori. 

Sipas Mehazit, sanksionet e ashpra janë zgjidhja e vetme për ta ndaluar shtetin serb. 

Pasi, ai kishte disa kritika edhe për trupat e KFOR-it. 

Sanksionet e ashpra ndaj Serbisë do lehtësonin jo vetëm trupat përforcuese britanike në kufij me Serbinë, por do qetësonin edhe Kosovën së bashku me shtetet tjera ballkanike që janë në rrezikshmëri të përhershme për shkak se janë jashtë anëtarësimit në NATO. Frika dhe mos besimi ndaj forcave të KFOR-it në kufij të Kosovës për qeverinë dhe qytetarët e Kosovës janë evidente për shkak se këto forca të KFOR-it janë prezent që nga 1999 e deri më tani kur Kosova është e pavarur, por fatkeqësisht Kosova në Banjskë u sulmua para syve të KFOR-it nga terroristët serbë dhe komandantët e KFOR-it ishin vetëm vëzhgues sa që mos të ishte policia e Kosovës sot do kishte luftë në Kosovë e gjetiu”, theksoi ai. 

Në fund, vlerësoi se trupat britanike të KFOR-it janë më të besueshmit për qytetarët e Kosovës. 

Megjithatë, potencoi se më mirë do ishte të sanksionohej Serbia, se të përforcohet kufiri me Kosovën. 

“Edhe pse KFOR-i është prezente që nga çlirimi i Kosovës nga Serbia, por fatkeqësisht paqja po rrezikohet nga Serbia me anë të incidenteve, konflikteve, sulmeve kriminale serbe në veri të Kosovës, krejt për shkak mos përgjegjësisë së sigurisë nga trupat e KFOR-it. Megjithatë, shumë më të besueshme për qeverinë e Kurtit dhe qytetarët e saj që në kufij të Kosovës të jenë trupat britanike të KFOR-it sesa trupat e pabesueshme të KFOR-it nga shtetet që janë anëtare të BE-së. Shumë më e vlefshme për Kosovën e Ballkanin Perëndimor do të ishte që Serbia të sanksionohet e jo të përforcohet kufiri i Kosovës me trupat britanike”, përfundoi Sulejman Mehazi për “Bota sot”. 

Burjani: SHBA dhe BE duhet t’i bëjnë me dije Serbisë se kërcënimet duhet të ndalen, në të kundërtwn do të intervenojnë

 

Image
Blerim Burjani

Ndërsa, analisti Blerim Burjani në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” kërkoi që të ndalen kërcënimet e Serbisë ndaj Kosovës. 

Ai tha se KFOR është kompetent për sigurinë në pjesën veriore të vendit. 

“Realisht është kërcënim për KFOR, pasi që KFOR është kompetent për siguri, Kosova nuk është nxitëse, përderisa Serbia kërcënon Kosovën pa ndalë, është urgjente të funksionojw rendi dhe ligji në veri, ata duhet të dalin në zgjedhje”, u shpreh ai. 

Gjithashtu, bëri thirrje që në rast se shteti serb nuk i ndalon kërcënimet, ndërkombëtarët të intervenojnë menjëherë. 

SHBA dhe BE duhet t’i thonë qartë se nuk mund të përzihen në çështjet e serbëve të Kosovws dhe se Kosova do të zgjidh problemet e serbëve. 

SHBA dhe BE duhet t’i bëjnë me dije Serbisë se kërcënimet duhet të ndalen, në të kundërtwn do të intervenojnë”, përmbylli Blerim Burjani për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat