Juristi shqiptaro-amerikan e quan “turp” heshtjen për krimet dhe gjenocidin e Serbisë në Kosovë, ka edhe një propozim

Politika

Juristi shqiptaro-amerikan e quan “turp” heshtjen për krimet dhe gjenocidin e Serbisë në Kosovë, ka edhe një propozim

Nga: M.Lakna Më: 30 nëntor 2023 Në ora: 19:12
Foto ilustrim nga "Bota sot"

Ndërsa dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka ngecur tek nënshkrimi i marrëveshjes për asociacionin e komunave me shumicë serbe, një çështje që ka mbetur disi në hije është ajo e krimeve dhe gjenocidit të Serbisë gjatë luftës.  

Në vendin tonë, nga janari 1998 deri më 12 qershor 1999 ka pasur 12 843 viktima shqiptare, prej tyre 1 741 femra. 

24 vjet pas, është shumë i vogël numri i serbëve të dënuar për krime lufte, derisa familjarët e viktimave të luftës kanë shprehur pakënaqësi edhe për dënimet që janë shqiptuar nga gjykatat.  

Në lidhje me këtë çështje për gazetën “Bota sot” ka folur veprimtari shqiptaro-amerikan Luz Tomaj.  

Ai ka thënë se, edhe pas 15 viteve të pavarësisë, Kosova nuk ka ndërmarr asnjë veprim që, Serbia gjenocidale, t’i kompensoje dëmet e luftës!  

Në lidhje me këtë Tomaj mori shembull rastet e luftërave në të kaluarën, ku shtetet përkatëse janë kompensuar për krimet e pësuara nga lufta. 

“Në arenën ndërkombëtare, janë zhvilluar dhe zhvillohen, luftëra të ndryshme, madje, zhvillohen edhe procese për kompensimin e dëmeve dhe përgjegjësitë për krimet gjenocidiale.  

Ndonëse bëhet fjalë për kohen e Luftës II botërorë, do i veçojë dy raste sa për ilustrim – luftimi I SHBA-ve kundër Japonisë dhe, lufta gjermane, kundër shteteve të ndryshme dhe popullit hebrenj i cili gjendej gjithandej Evropës.  

Shkurtazi, Amerika i dëboi forcat japoneze por, gjatë luftës, kanë ra edhe shumë viktima të armatës amerikane. Pas përfundimit të konfliktit, veprimi i par i shtetit amerikan ishte që – të gjitha familjeve të viktimave që ranë gjatë luftës t’ua paguanin sasinë e caktuar të të hollave për, sadopak zbutjen e dhimbjeve, madje edhe individëve te cilët kanë pësuar plagë të ndryshme, ua ka dërguar sasinë e caktuar të hollave.  

Izraeli, e formoi shtetin pas Luftës së dytë, diku me 1949. Ishte interesant se, pas formimit, veprimi i par i shtetit, ishte dorëzimi I kërkesës së shtetit Gjerman, për kompensimin e dëmeve, të shkaktuara popullit izraelit”, shprehet Tomaj.  

Andaj, sipas veprimtarit shqiptaro-amerikan në vend të dialogut aktual me Serbinë, është dashur të zhvillohet dialogu për kompensimin e dëmeve të luftës.  

Image
Veprimtari shqiptaro-amerikan Luz Tomaj.  

“Po të iniciohej kjo çështje nga Kosova, BE, madje edhe SHBA, në veçanti ndërmjetësuesit, do  e kishin të qartë se Serbia është ekzekutore e krimeve gjenocidiale ndaj Kosovës.  

Krimi i gjenocidit është i definuar me aktet e OKB dhe, e përmban një definim të gjerë dhe gjithëpërfshirës. Në Kosovë, pasojë e veprimeve të paskrupullta të Serbisë, përveç tjerash, ishin vrasjet, të cilat e arrijnë numrin diku 13.000, dhunimet ndaj gjinisë femërore arrijnë në 20.000 dhe, veprimet brutale, me qellim të spastrimit etnik bënë që diku gjysma e familjeve kosovare të shpërngulen në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi”, shprehet ai.    

Tomaj thekson se Evropa duhet ta kuptojë se, krimet e fundit të Serbisë si rasti në Banjska, ishin vazhdim i krimeve historike të Serbisë kundër Kosovës apo shqiptarëve.  

“Në procesin e realizimit të kompensimit të dëmeve të luftës, zakonisht, zhvillohet dialogu ndërshtetëror dhe, në se mungon rezultati, ndodh kontesti pran Gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë  (në vazhdim GJND). Për kontestin eventual gjyqësor, do bëhet fjalë radhën tjetër.  Deri sa, në kontestet gjyqësore kërkohen argumente të detajizuara, në dialogun ndërshtetëror mund të shkohet me fakte edhe më të thjeshta, me shifrat si që u përmenden më lart”, nënvizoi Tomaj.  

Sipas tij, mos lëvizja e shtetit të Kosovës për më se 15 vite, nuk mund të arsyetohet apo, siç shprehet ai është turp.  

“E përmenda veprimin e Amerikës, ndonëse është vetëm një Amerikë, si argument se si duhet të veproi shteti, për viktimat të cilat ranë për interes të popullit, për interes të formimit të shtetit. Në anën tjetër, rasti i Izraelit e argumenton azhuritetin e shtetit. Nga fundi i Luftës II, deri në formimin e shtetit të Izraelit, kishin kaluar 4-5 vite, dhe, gjatë asaj periudhe, Izraeli e kishte përgatitë kërkesën për kompensim. Lufta në Kosovë përfundoi me 1999 ndërsa, pavarësia u shpall me 2008. Edhe pas shpalljes së pavarësisë, kaluan 15 vite dhe, asnjë fjalë nuk u bë për dëmet e luftës. E kam thënë edhe më herët se, numri i ministrive në Qeverinë e Kosovës ishte diku më i madhi në Evropë, por një ministri apo institut për çështjet luftarake nuk u formua”, ka theksuar Tomaj.  

Në fund ai tha se nëse shteti nuk është i gatshëm për një proces gjyqësor, nuk do të thotë se nuk mund të parashtrojë një kërkesë për dialog ndërshtetëror i cili do të ndikonte edhe në dialogun aktual, sipas kërkesës së Serbisë për njëfarë Asociacioni, të cilin Kosova nuk duhet aprovuar, çfarë kërkon Serbia famëkeqe.  

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat