Takimet në nivel kryenegociatorësh cilësohen si “zgjat e mos e këput”/ Vjen parashikimi i fuqishëm – ky mund të jetë skenari i radhës për dialogun!

Politika

Takimet në nivel kryenegociatorësh cilësohen si “zgjat e mos e këput”/ Vjen parashikimi i fuqishëm – ky mund të jetë skenari i radhës për dialogun!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 13 dhjetor 2023 Në ora: 08:07
Besnik Bislimi, Miroslav Lajçak dhe Petar Petkoviq

Një raund bisedimesh mes Kosovës dhe Serbisë pritet të ndodhë shumë shpejt. Këtë e ka bërë me dije i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialog Miroslav Lajçak. 

Ai ka bërë të ditur se në Bruksel po përgatiten për raundin e ri të bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë në nivel krye-negociatorësh. 

Ditët e fundit kam qenë i zënë në Bruksel, ku së bashku me ekipin tim po përgatiteshim për diskutimet e ndara të ardhshme me krye-negociatorët e të dyja palëve. Kam pasur gjithashtu një sërë diskutimesh dhe angazhimesh të hollësishme. Të mërkurën, pata një shkëmbim të hapur me anëtarët e Komisionit të Çështjeve të Bundestagut gjerman, të cilët po vizitonin zemrën e institucioneve tona të BE-së. Ne diskutuam për momentin e ri për zgjerimin e BE-së dhe i informova për gjendjen e lojës në Dialog dhe hapat e ardhshëm. Unë jam mirënjohës për mbështetjen e fortë gjermane në punën time, angazhimin e tyre në Ballkan dhe avokimin e tyre për të ardhmen evropiane të të gjithë rajonit”, ka thënë mes tjerash Lajçak. 

Lajçak thekson nevojën e madhe për një marrëveshje finale,  duke bërë thirrje që të mos humbet kohë për implementimin e obligimeve nga dialogu dhe të mos humbet rasti për avancim në rrugëtimin drejt BE-së. 

Lajçak shtoi se viti i ardhshëm do të jetë një vit me kalendar të ngjeshur politik, sepse do të ketë zgjedhje në Bashkimin Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Të gjendur në këtë situatë takimi në nivel krye negociatorësh a nënkupton edhe një mbulesë për takimet Kurti-Vuçiq rreth marrëveshjes së Ohrit, për të cilen nuk po gjendet ende zgjidhja? 

Zogaj: Lajçak po e zgjatë dialogun Kosovë - Serbi 

Image
Skënder Zogaj

Për këtë temë në një bashkëbisedim me “Bota sot”, ka folur publicisti Skënder Zogaj. 

Ai tha se bisedimet janë më shumë manovër për të menduar që është duke u përparuar, mirëpo që ka dekada që dialogu po vazhdon pa zgjidhje. 

Të gjitha bisedimet në nivel kryenegociatorësh janë manovër, janë krijim i atmosfere dhe optimizmit që puna është mirë dhe se ka përparim. Kjo bëhet edhe për ta funksionalizuar sa më shumë rolin e ndërmjetësimit të faktorit ndërkombëtar, për të cilin qëllimi kryesor është arritja e objektivit, e jo koha e arritjes së objektivit.  Këtë e dëshmon fakti që dialogu serbo-shqiptar e kaloi dekadën pa ndonjë progres konkret sado të vogël, që është vërtetë tepër i pa arsyeshëm, që të mos themi një dështim diplomatik, për faktin se, është fjala për një çështje krejtësisht i lehtë për t'u zgjidhur”, thekson ai. 

Publicisti shprehet skeptik për një zgjidhje mes dy vendeve, ka shpresë për shkurtin e 202. 

Në këtë situatë bisedat në nivel kryenegociatorësh janë kurtuazi, janë zgjat e mos e këput, sepse, zgjidhja bëhet vetëm në nivelin e kryshefave të dy vendeve, Kurtit dhe Vuçiqit, dhe çdo bisedim tjetër është kotësi! Brukseli e di këtë prandaj, pse po ndodhin improvizimet, saktësisht e di vetë Lajçaku, që kem përshtypjen duke mos pasur mundësi të bëjë tjetër, po kënaqet duke e luajtur derën.  Të presim shkurtin 2024 që të shohim se kah do të fillojë të fryjë era”, tha Zogaj për “Bota sot”. 

Burjani: Zbatimi i marrëveshjes së Ohrit ka filluar 

Image
Blerim Burjani

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur edhe  juristi Blerim Burjani. 

Ai tha që Serbia është në eufori zgjedhore, mirëpo që është koha të arrihet një marrëveshje mes dy palëve. 

Takimi mund të mbahet, por cili do të ishte epilogu, në progres apo regres atë nuk e dimë. Serbia është në eufori zgjedhore është koha e duhur për të arritur të pajtohen për një draft për statut të Asociacionit, apo për zgjedhjet në komunat veriore”, tha ai. 

Juristi më tej thekon që zbatimi i marrëveshjes së Ohrit ka lëvizje përpara në terren. 

Zbatimi i marrëveshjes së Ohrit ka filluar, pra ka lëvizje përpara në terren, mund të ndodhë që nënshkrimet për largimin kryetarëve të mblidhen dhe ndoshta edhe data të caktohet e zgjedhjeve. Mirëpo  pritet të shihet se çfarë do të del nga ky takim”, u shpreh Burjani për “Bota sot”. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat