Rezultatet e sondazhit të fundit ‘tronditëse’ për opozitën – LVV, ende “shpresa e vetme” e qytetarëve?

Politika

Rezultatet e sondazhit të fundit ‘tronditëse’ për opozitën – LVV, ende “shpresa e vetme” e qytetarëve?

Arife Morina Nga Arife Morina Më 30 dhjetor 2023 Në ora: 12:01
Ramush Haradinaj, Albin Kurti, Lumir Abdixhiku

Skena politike, apo më mirë të themi partitë opozitare janë trazuar së fundmi nga një sondazh i publikuar në medie që lidhet me zgjedhjet e parakohshme në Kosovë, të cilat tash e sa kohë opozita po insiston të mbahen.

Sondazhi në kuadër të OMNIBUS-it që realizohet nga UBO Consulting për matjen e opinionit publik nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diel, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) do të printe e para në listë, duke kryesuar me 48.5 për qind.

Ndërsa partia tjetër që kryeson në vend të dytë është Partia Demokratike e Kosovës (PDK), me 18.2 për qind, duke lënë pas Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), me 17.9 për qind.

Pas këtyre partive pason AAK e cila rezulton të ketë 6.8 për qind.

Lista Serbe ka marrë 3.2 për qind, ndërkaq Nisma Socialdemokrate 1.5 ka marrë për qind.

Këto statistika duket se kanë zhgënjyer partitë opozitare, të cilat reaguan ashpër, duke mos i pranuar rezultatet e sondazhit të fundit.

Ky ‘shpërthim’ i opozitës nuk dihet nëse ka të bëjë më zhgënjimin e tyre mbi pritshmëritë që kanë pasur kohëve të fundit, ku edhe kanë kërkuar në vazhdimësi zgjedhje të parakohshme, apo me të vërtet nuk po iu besojnë matjeve.

Kësisoj, nuk dihet a do këmbëngulin partitë opozitare për mbajtjen e zgjedhjeve pas këtyre rezultateve!

Basha: Këto janë sondazhe, të cilat ne i pranojmë në baza të rregullta dhe opozita është e njoftuar

Image
Dimal Basha

E për këtë çështje, në një prononcim për “Bota sot” foli deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha.

Sipas tij, opozita ka pas njohuri për rezultatet e sondazheve edhe më parë, derisa tha se pavarësisht rezultateve qeveria nuk e ka komoditetin dhe do vazhdojë të punojë edhe më shumë.

“Këto janë sondazhe, të cilat ne i pranojmë në baza të rregullta dhe opozita është e njoftuar, mirëpo kjo nuk na jep asnjë komoditet, përkundrazi, vetëm çka na e rritë përgjegjësinë që të vazhdojmë të punojmë edhe më shumë për një vend të sigurt dhe të zhvilluar për të gjithë qytetarët e kësaj republike” – përfundoi Dimal Basha.

Hasani: Për zhvllimet dhe proceset që janë në pritje për vite e dekada, ishte dhe vazhdon të mbetet shpresa e vetme LVV

Image
Refik Hasani

Kurse, profesori Refik Hasani në një bashkëbisedim me “Bota sot” tha se në rast se mbahen zgjedhjet Lëvizja Vetëvendosje do fitojë sërish, kjo duke u bazuar në sondazhet e fundit dhe në disa aspekte të tjera.

“Tani, me fillim të këtij viti bëhen tre vite nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare, dhe nëse shikohen organizimi i zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, nga tetë parë zgjedhje të legjislaturave parlamentare, nga viti 2017, në vitin 2019 dhe në vitin 2021, kjo i bie se kemi në çdo dy vite zgjedhje parlamentare. Në asnjë legjislaturë e parlamentit nuk kemi ushtrim të plotë të mandatit të Parlamentit. Edhe nëse shkojmë në zgjedhje në pranverë të vitit që po hyjmë, kemi një ushtrim të mandatit më shumë se tri vite, prandaj edhe kjo është një demokraci, për t’iu kthyer vullnetit të sovranit se kë do ta mbështet me votën e lirë. Nga ajo që shihet se me qeverisjen e LVV-së, popullata është e kënaqur, kjo edhe matjet e opinionit publik, nga sondazhe me qytetarë dhe anketat e zhvilluara e nxjerrin fituese bindshëm LVV-në. Për këto tri vite nga qeverisja e LVV-së, është një qeverisje dukshëm më ndryshe, veçmas në raport me bisedimet me Serbinë, nga ajo në menaxhimin, kur Kosova, është përballur me akte terroriste që ndodhën më 25 shtator në Banjskë në Komunën e Leposaviqit. Janë një varg të arritura që Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, edhe në këto zgjedhje do të dalë fitues”, u shpreh profesori.

Gjithashtu, Hasani foli edhe për opozitën, të cilën e kritikoi për mungesë të kauzave dhe unitet politik.

Krahas kësaj, ai vlerëson se partitë opozitare i frikësohen zgjedhjeve, pasi e dinë se do dalin të humbur nëse ato mbahen në vitin e ardhshëm.

“Partitë opozitare në Kosovë, nuk janë treguar unike, iu mungojnë kauza të qëndrueshme, dhe nuk kanë treguar unitet kur Republika e Kosovës, është përballur me akte terroriste për të aneksuar dhe për të shkel sovranitetin dhe integritetin e Kosovës, nga Serbia. Subjektet politike: LDK, PDK dhe AAK që janë pjesë e kësaj legjislature të tetë të Parlamentit të Kosovës, kanë shpenzuar gjithë debatet parlamentare, duke mos ofruar diçka konkrete.

Qytetarët e Kosovës, tani më nga kjo udhëheqje nga këto tri subjekte politike për dy dekada, sikur janë ngopur, dhe Albin Kurti, kryeministri dhe njëherësh kryetar i LVV-së, ishte dhe vazhdon të mbetet shpresa e vetme edhe në këto zgjedhje kurdo që mbahen. Për zhvillimet dhe proceset që janë në pritje për vite e dekada, ishte dhe vazhdon të mbetet shpresa e vetme LVV. Prandaj, kësaj i frikësohen partitë opozitare, që edhe në këto zgjedhje do të dalin të humbur”, shpjegoi ai.

Ndër të tjera, profesori tha se Kosova ka nevojë për ndryshimet e filluara nga Lëvizja Vetëvendosje, pasi qytetarët janë zhgënjyer me qeverisjet e PDK, LDK, AAK.

“Në një lloj mënyre edhe LVV është pajtuar për mbajtje të zgjedhjeve, partive opozitare, edhe kjo kërkesë iu ka humbur, kur e dinë se do të dalin të humbur edhe në këto zgjedhje parlamentare.

Republika e Kosovës, ka nevojë për ndryshimet e filluara nga LVV-ja, qytetarët janë në pritje të realizimit dhe konkretizimit të programit të nisur nga LVV, sepse qeverisjen e LDK-së, PDK-së dhe AAK-së, e kanë provuar, si qeverisje jo të mirë”, përmbyll Refik Hasani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat