Ish-zv. ministri ‘godet’ ish-pushtetarët: Kjo është arsyeja pse në veri mbizotëronte krimi i organizuar dhe korrupsioni

Politika

Ish-zv. ministri ‘godet’ ish-pushtetarët: Kjo është arsyeja pse në veri mbizotëronte krimi i organizuar dhe korrupsioni

Nga: Nehat Shaqiri Më: 2 shkurt 2024 Në ora: 12:16
Policia e Kosovës

Ish – zv. ministri i MPB-së dhe eksperti i sigurisë Hajrullah Tërnava, thotë se, pavarësia e një shteti demokratik vlerësohet se sa implementohen ligjet dhe kushtetuta e atij shteti si dhe nëse jetësimi i atyre akteve juridike jetësohet në përpikëri, në çdo pjesë të vendit dhe atëherë mund të thuhet se ai shtet është shtet juridik e demokratik, ku qytetarët e atij shteti punojnë dhe jetojnë në përputhshmëri me ato ligje të atij shteti.

Ai shton se, qeveria e Kosovës, me veprimet e sajë po i jetëson këto ligje dhe kushtetutën në tërë territorin e Kosovës, e sidomos në ato pjesë të veriut ku janë katër komuna të banuara me shumicë serbe.

Tërnava pohon se tani në veri janë duke u zbatua ligjet e Kosovës, gjë që deri tani ka mungua jetësimi i atyre ligjeve në atë pjesë, prandaj shton se, ishte gjendja e tillë e kriminalizuar në veri.

“Kjo situatë e tanishme flet mjaftueshëm, madje me fakte, se ishin vetë pushtetarët e kaluar të cilët qëllimisht e kishin lejuar kontrabandën dhe krimin e organizuar, dhe asnjëherë nuk kishin provuar seriozisht për ta vendosur rendin e ligjin, për ta penguar dhe parandaluar, sikur që po ndodhë tani kjo situatë, shkëputje e plotë e kanaleve të kontrabandës nga rrjetet lokale dhe përtej, të krimit të organizuar”, potencon ai.

Sipas tij, në pamundësi të kontrabandimit të mallrave në kufirin përmes Kosovës dhe Serbisë, tregtarët në veri të Kosovës ju janë kthyer rrugëve dhe rregullave ligjore.

“Pra, për herë të parë në periudhën e pasluftës, në Mitrovicën e veriut, komunë me shumicë serbe në veri të Kosovës, pothuajse nuk ka produkte nga Serbia, derisa mungesë e këtyre produkteve vërehet në masë të madhe edhe në komunat tjera të Kosovës. Përveç kontrollit të kufirit të ashpërsuar, mungesa e produkteve serbe në veri të Kosovës dhe më thellë është pasojë e vendimit të Qeverisë së Kosovës dhe konrollit të rrept të Policisë së Kosovës e cila po kryen bastisje të shpeshta në veri”, potencon ai.

Ai potencon se ky fakt e dëshmon se shteti funksion vetëm nëse ekziston vullneti për ta ndërtuar dhe organizuar si duhet pushtetin, mbi bazën e ligjit dhe të kushtetutës.

“Është për tu habitur e që është fakt se edhe pompat e derivateve për automjete në ato pjesë të veriut kanë shitur derivate me çmime më të lira, që tani nga kontrollimi i policisë të atyre pjesëve të veriut edhe nëpër ato pompa të derivateve tani është nivelizuar çmimi i derivateve si në tërë territorin e Kosovës, dhe me këtë po dëshmohet se situata në përgjithësi është vu nën kontroll të shtetit”, shton tutje ai.

Ai thotë se tash po jetësohet dhe zbatohet ligji dhe kushtetuta e Kosovës edhe në veri.

“Është detyrë e kësaj qeverie dhe qeverive tjera në ardhje që ligjet e Kosovës në tërë territorin e saj duhet të jetësohen njësoj, pa dallim të popullatës se kush jeton në ato pjesë territoriale, e sidomos nëpër ato pjesë kufitare të territoreve të Kosovës, policia e Kosovës duhet t’i kryej detyrat e saja që janë të parapara sipas kushtetutës, që duhet të jetësohen në ato pjesë”, përfundon eksperti Hajrullah Tërnava.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat