PDK-LVV një koalicion i (pa) mundur pas-zgjedhor? Aktivizohet “goma” për fshirjen e vijave të kuqe!

Politika

PDK-LVV një koalicion i (pa) mundur pas-zgjedhor? Aktivizohet “goma” për fshirjen e vijave të kuqe!

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 29 prill 2024 Në ora: 19:04
Foto ilustrim

 

Zgjedhjet parlamentare do të mbahen vitin e ardhshëm. Disa nga partitë politike kanë deklaruar se nuk do të pranonin të bënin koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje. Por jo edhe Partia Demokratike e Kosovës.

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë në një emision televiziv se PDK në thelb nuk vë vija të kuqe me askënd për koalicion.

“Ne mendojmë se me Lëvizjen Vetëvendosje e kemi të vështirë të realizojmë planin tonë, mirëpo duhet të zhvishet nga këto termat e rëndë përjashtues e ndonjëherë edhe linçues”, tha ajo.

Ajo është shprehur e bindur se Vetëvendosje në zgjedhjet e ardhshme do të dalë në opozitë.

Ahmeti: PDK e LDK janë të vetëdijshëm për fuqinë politike të tyre, pasi nuk qëndrojmë mirë

Image
Hidajet Ahmeti

Analisti Hidajet Ahmeti në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se deklaratat e politikanëve duhet të jenë të matura sepse mund të krijojnë impakt të madh te opinioni publik.

“Çdo zyrtar politik në deklaratat e tyre publike duhet të jenë të matur, pasi ato deklarata mund të kenë impakt të madh në opinion publik. Në politikë jo çdoherë thuhet ajo çka ndjehet e besohet, pasi qëllimi kryesor e zyrtarëve politik është që përmes deklaratave të tyre të ndërtojnë opinion publik në favor të tyre që në të ardhmen potencialisht të përkthehet në votë”, thotë ai.

Tutje, ai thotë se PDK e LDK janë të vetëdijshëm për fuqinë politike të tyre, por kanë edhe matje të brendshme, por këtë nuk e nxjerrin në publik, pasi nuk qëndrojmë mirë.

“PDK e LDK janë të vetëdijshëm për fuqinë politike të tyre, por kanë edhe matje të brendshme, por këtë nuk e nxjerrin në publik, pasi nuk qëndrojmë mirë. Mendoj se Vetëvendosje nuk rrezikohet që të jetë forca e parë në zgjedhjet e ardhshme, kuptohet nëse nuk ka ndonjë zhvillim të jashtëzakonshëm brenda këtij subjekti. Rreziku më i madh për partitë opozitare do jetë bindja e se ata nuk po luftojnë për vendin e parë, e cila do t'i dëmtojë tejmase, por edhe do ta ulë motivin e votuesve dhe aktivistëve politike.

Në zgjedhjet e ardhshme koalicionet të jenë të domosdoshme, por jo të natyrshme. Prandaj nuk përjashtoj mundësinë që edhe PDK të jetë partnere e koalicionit me Vetëvendosjen, kuptohet mbas zgjedhjeve”, shprehet ai.

Duhanaj: Nuk mendoj që Çitaku ka aluduar se PDK synon ndonjë koalicion me LVV

Image
Leon Duhanaj

Kurse, Leon Duhanaj për “Bota sot”, thotë se PDK nuk ka pas dhe nuk ka synim për ndonjë koalicion me LVV-në, duke shtuar se PDK ka njeriun më të dëshmuar në temat ekonomike.

“Partia Demokratike e Kosovës, PDK, është partia e vetme në Kosovë, e cila asnjëherë nuk e ka përjashtuar asnjë subjekt politik, asnjëherë nuk ka deklaruar vija të kuqe, për asnjë subjekt politik shqiptar.

Janë partitë e tjera që e kanë bërë një gjë të tillë.

Nuk mendoj që znj. Çitaku ka aluduar se PDK synon ndonjë koalicion me LVV, madje ka rezerva të mëdha nëse një koalicion me një parti me qasje destruktive të jetë i mundshëm dhe i zbatueshëm.

PDK ka synim dhe garon për ta marrë dhe udhëhequr pushtetin.

Për mendimin tim, me z. Hamza si kandidat për Kryeministër, PDK ofron njeriun më të dëshmuar në temat e zhvillimit ekonomik, për të cilin Kosova ka nevojë me shumë se për çdo gjë”, potencon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat