“Ditë të vështira” për Serbinë, publicisti serb e nxjerr ‘blof’ Vuçiqin/ Ja pse “fajësohet” kjo dyshe për gjenocidin në Srebrenicë

Politika

“Ditë të vështira” për Serbinë, publicisti serb e nxjerr ‘blof’ Vuçiqin/ Ja pse “fajësohet” kjo dyshe për gjenocidin në Srebrenicë

Nga: Naile Ejupi Më: 30 prill 2024 Në ora: 20:09
Kryeministri Albin Kurti- Aleksander Vuçiq

Kosova dhe Serbia nuk po arrijnë të gjejnë “ditë të mira” edhe pas shumë vitesh negociata.

Dialogu me Serbinë nuk është duke dhënë rezultate, marrëveshja e asociacionit vazhdon të jetë në pritje, por në anën tjetër Kosova po arrinë sukses në diplomaci të jashtme, kjo edhe për shkak të vendimit pro të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për t’u anëtarësuar në këtë organizatë.

Gjersa, nga Kosova shprehin optimizën që në maj do të bëhet anëtarësimi, nga Serbia presin “ditë të vështira”.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, para vendimit të Asamblesë deklaroi se Serbinë e presin “ditë të vështira” dhe se këtë e ka diskutuar me shefin e delegacionit të Bashkimit Evropian në Beograd, Emanuel Gioffre, dhe me përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it.

Megjithatë, ai nuk ka specifikuar se për çfarë bëhet fjalë, duke thënë se për gjithçka do të flasë më shumë “në ditët në vijim”.

Ai gjithashtu hodhi poshtë vlerësimet se Serbia po e braktis “rrugën evropiane” pas paralajmërimeve për largimin e mundshëm të saj nga Këshilli i Evropës, nëse kjo organizatë e pranon Kosovën.

Por, për çfarë “ditë të vështira”, mund ta ketë fjalën Vuçiq dhe pse Serbia nuk reflekton për t’i respektuar marrëveshjet, ka folur publicist serb Zlatoje Martiov në një prononcim për gazetën “Bota sot”.

Martinov thotë se Vuçiq po e mashtron popullin serb për ditë të vështira, sepse në të vërtetë Serbia nuk kërcënohet nga Amerika, BE, Rusia apo Kina.

Sipas tij, Vuçiqit nuk i interesojnë interesat e serbëve në Kosovë, por i intereson mohimi i shtetësisë së Kosovës dhe dëshira për territor.

“Vuçiq mashtron popullin e tij duke pretenduar se Serbia po përballet me “ditë të vështira”. Çfarë lloj ditësh të vështira? Serbia nuk kërcënohet nga Amerika, BE, Rusia apo Kina. Nga askush. Përkundrazi, të gjitha ato vende mbështesin regjimin e tij autokratik, jodemokratik. Pse është kështu - është një pyetje që kërkon një shpjegim më të gjatë dhe këtu nuk kemi as hapësirë ​​e as kohë për ta shtjelluar. Pra cilat janë “ditët e vështira për Serbinë”? Kosova do të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës? Pra, a nuk është në të vërtetë në interesin e Serbisë që Kosova të jetë anëtare e Këshillit të Evropës, sepse atëherë Kosova do të jetë nën monitorimin e Evropës dhe nëse Vuçiq kujdeset vërtet për serbët e "kërcënuar" në Kosovë, nuk do të jetë e gjithë BE-ja. Kujdeset për respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut në mbarë Kosovën dhe ku jeton komuniteti serb? Por atij nuk i interesojnë interesat reale të popullatës serbe atje, por mohimi i shtetësisë së Kosovës dhe dëshira për territor”, deklaron publicisti serb.

Image
Zlatoje Martinov

Kujtojmë, se OKB do të mbajë një votim për gjenocidin në Srebrenicë, votim ky është ishte paraparë të bëhet më 2 maj, mirëpo ishte shtyrë.

Në draft-rezolutë, veç tjerash kërkohet që të dënohet çdo mohim të gjenocidit në Srebrenicë dhe veprimet që madhërojnë të dënuarit për krime lufte, përfshirë ata që janë përgjigjës për gjenocidin në Srebrenicë.

Më 2007, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e karakterizoi krimin në Srebrenicë si gjenocid, në të cilin u vranë më shumë se 8.000 burra dhe djem boshnjakë më 1995 nga Ushtria e Republikës Sërpska.

Deri më tani, më shumë se 50 persona janë dënuar me mbi 700 vjet burgim për gjencodin dhe krime të tjera të kryera në Srebrenicë.

Duke përmendur këtë rezolutë të OKB-së dhe mundësisë që “ditët e vështira” të Vuçiqit të kenë lidhje me të, publicisti Martinov thotë se ai duke lobuar kundër asaj resolute po e tërheq zvarrë gjithë popullin serb.

Sipas tij, Vuçiq dhe Daçiq ndihen vërtet si pjesëmarrës ose të paktën një vëzhgues të heshtur të gjenocidit.

“Së dyti, a po përballet Serbia me "ditë të vështira" sepse OKB-ja do të miratojë një rezolutë për gjenocidin në Srebrenicë në maj, në të cilën nuk përmenden fare serbët dhe Serbia? Duke lobuar kundër asaj rezolute, Vuçiq po e tërheq zvarrë gjithë popullin serb në gjenocid, edhe pse qëllimi i rezolutës është të dënojë moralisht gjenocidin e kryer nga individët (Karaxhiq, Mlladiç, Plavshiq, Krajišnik, etj.) të dënuar për gjenocid në Tribunalin e Hagës. Por Vuçiqi, ashtu si Sheshelj, në atë kohë ishte pjesë e qeverisë së Millosheviqit, e cila, sipas gjykimit të Tribunalit të Hagës, nuk e pengoi gjenocidin në Srebrenicë, kështu që sot Vuçiqi (dhe Daçiqi) ndihet vërtet si pjesëmarrës ose të paktën një vëzhgues i heshtur i atij gjenocidi, prandaj fajin e tij dëshiron t'ia kalojë popullit serb”, shton Martinov.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat