Propozimi i Vulinit e Popoviqit, nxitje për konflikte të reja/ Serbia nuk pyet për sanksione, përforcon lidhjen me Rusinë

Politika

Propozimi i Vulinit e Popoviqit, nxitje për konflikte të reja/ Serbia nuk pyet për sanksione, përforcon lidhjen me Rusinë

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 1 maj 2024 Në ora: 18:01
Gani Qarri dhe Drizan Shala

Politika e Serbisë në raport me Kosovën po vazhdon të mbetet e njëjtë, agresive.

Serbia të hënën propozoi edhe qeverinë e re. Madje, ajo propozoi edhe individë të sanksionuar nga SHBA-ja, që të jenë pjesë të qeverisë së saj.

Alarmuese po shihet vendosja e Aleksandër Vulinit në pozitën e zëvendëskryeministrit, i cili është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që nga korriku i vitit 2023 - mes tjerash për shkak të lidhjeve me Rusinë.

Në “listën e zezë” të SHBA-së, për shkak të lidhjeve me Rusinë, është edhe Nenad Popoviq, i cili do të jetë po ashtu pjesë e Qeverisë si ministër pa portofol.

Po ashtu, shefi aktual i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, do ta udhëheqë Ministrinë e Punëve të Brendshme, ndërsa ministër i Mbrojtjes do të jetë Bratisllav Gashiq, deri më tash ministër i Policisë.

Kurse, Departamenti amerikan i pyetur nga REL, rreth kësaj përzgjedhjeje, ka deklaruar se SHBA-ja është “e zhgënjyer" nga propozimi i Vulinit dhe Popoviqit dhe shtoi se të dy mbeten nën sanksione, sepse qëndrimi i SHBA-së ndaj tyre është “i njohur mirë”.

Shala: Vendosja e Vulinit zv.kryeministër padyshim tregon lidhjen ruse brenda ministrive

Image
Drizan Shala

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala ka thënë se kjo po dëshmon se Serbia nuk do të ndryshojë, duke shtyrë më tej agjendën anti - evropiane.

Ai ngre hipotezën se ky format i ri kundër frymës evropiane, do të lejojë hapësirë për të nxitur ndonjë konflikt të mëtutjeshëm në luftën kundër rendit kushtetues të Kosovës.

“Marrja e vendimit të tillë që qeveria "e re" e vjetër e Vuçiqit po dëshmon që kjo qeveri nuk do të ndryshojë në asnjë formë duke shtyrë tutje agjendën anti- evropiane

Vendosja e Vulinit në pozitën e zv. kryeministrit të parë që do të merret me siguri, padyshim tregon që vazhdon mbetja e lidhjes ruse brenda ministrive (brendshme, mbrojtjes) deri te zv. kryeministri.

Institucionet tona por edhe ato amerikane kanë të njëjtin hall dhe brengë që vazhdimin e dekonstruktivitetit do të shohim edhe pas datës 6 maj ku pritet edhe të kemi një format të ri kundër frymës evropiane e cila do të lejojë hapësirë për të nxitur ndonjë konflikt të mëtutjeshëm në luftën kundër rendit kushtetues të Kosovës por edhe vendeve tjera të ish bllokut të viteve 90-ta”, deklaron eksperti Shala për “Bota sot”.

Qarri: Me këtë nënkuptohet se Serbia as që është më pjesë e procesit të rrugëtimit evropian – shfaq tendencën e hapur për konflikte të reja në rajon

Image
Gani Qarri

Analisti Gani Qarri shprehet se Serbia përzgjodhi qëllimisht të sanksionuarit për t’i bërë pjesë të qeverisë dhe duket se nuk do ta dëgjojë botën perëndimore, as SHBA-në, t'i bëjë pjesë të qeverisë së re.

“Në fakt Aleksandër Vulin, njëri nga funksionarët serbë më pro rus, i dekoruar dy herë nga rusët dhe i lidhur tejet ngushtë me Rusinë e Putinit dhe shërbimet e fshehta ruse, vitin e kaluar nën dyshimet për përfshirje në afera korruptive për “të shtyrë përpara agjendat e veta politike dhe interesat e tij personale duke rrezikuar edhe paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, ishte futur në listën e zezë nga Thesari i SHBA-së!.

Vulin përveçse njihet për lidhjet e tij të forta me Rusinë, ai deri para pak kohësh, ka shërbyer edhe si kryetar i BIA-s serbe, i cili u detyrua ta linte postin e dhuruar nga Vuçiqi, vetëm pas sanksionimit të tij, nga SHBA.

Por megjithëse Aleksander Vulin është vendosur qe disa kohë në listë të zezë të SHBA-së, ai nga mandatari i ri, për formimin e qeverisë serbe, tani është propozuar, hiq më pak se për zëvendëskryeministër në Serbi.

Në fakt Serbia, jo vetëm me Vulinin, i cili kohët e fundit është dekoruar edhe me dy medalje të larta nga Rusia, njërën nga Shërbimi Federal i Sigurisë ruse dhe tjetrën nga vet Presidenti rus Vladimir Putin, por as me ministrat e tjerë, të vendosur në listën e zezë dhe të akuzuar për vepra të ndryshme kriminale, duket se nuk do ta dëgjojë botën perëndimore, as SHBA-në, përderisa, ajo pikërisht të sanksionuarit nga SHBA, i përzgjodhi qëllimisht, t'i bëjë pjesë të qeverisë së re”, deklaron ai.

Tutje, thotë se edhe reagimi i Departamentit amerikan ishte i vakët , duke thënë mes tjerash se edhe pse të zhgënjyer ata nuk kanë rol në vendimet e qeverisë së Serbisë.

Por, më tej, ai shpjegon edhe mundësinë për sulme të reja në Ballkan, Bosnje e Kosovë, duke thënë se me këtë Serbia rrjedhimisht nuk është më pjesë e procesit të rrugëtimit evropian andaj edhe me këtë nënkuptohet se mund të ketë tendencën për konflikte të reja në rajon.

Duke qenë se edhe nga një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit, erdhi një deklaratë tepër e vakët se; "Ne jemi të zhgënjyer kur shohim dy persona të sanksionuar të propozohen në Qeveri, por "Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk kanë rol në vendimet e qeverisë së Serbisë", mandatari për kryeministër, vazhdon me propozimet e personave të sanksionuar nga SHBA, për postet më të larta ministrore në qeverinë e re të Serbisë.

Kështu që mandatari për kryeministër serb, Millosh Vuçeviq, i cili para zgjedhjeve të fundit në Serbi, ishte ministër i Mbrojtjes, ka propozuar edhe Nenad Popoviq-in, ministër pa portofol, megjithëse edhe ai është pjesë e listës së zezë të SHBA-së për shkak të lidhjeve të tij me Rusinë, pa harruar këtu Marko Gjuriqin, që kohëve të fundit, u pa në takim edhe me udhëheqësin e grupit terrorist serb, i cili kreu sulmin në Banjë të Zveçanit, krye terroristin Millan Radoiçiq, por që ai, është propozuar për ministër të jashtëm të Serbisë.

Përfshirja e njerëzve si Aleksandar Vulin dhe ministrave tjerë pro rus, në qeverinë e re të Serbisë, të cilët përkundër fjalorit zyrtar për inkuadrim në BE, pretendojnë forcimin e lidhjeve të Serbisë me Rusinë, dëshmojnë se Serbia as që është më, pjesë e procesit të rrugëtimit evropian, gjë që nënkupton tendencën e hapur për konflikte të reja në rajon, veçanërisht në Bosnjë, me përpjekjet për shkëputjen e të ashtuquajturës "republika serbe" dhe bashkimin e saj me Serbinë, si dhe përsëritjen e tensioneve me sulme terroriste edhe në veri të Kosovës, me qëllim të krijimit të "Serbisë së madhe" që siç dihet, është dhe mbetet qëllimi kryesor i tre ekstremistëve më të mëdhenj serb, si Vuçiq, Vulin e Dodik, të cilët ka rrezik, të shkaktojnë konflikte të gjera për okupimin e territoreve të vendeve tjera në rajon”, përfundon Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat