Gjykimi në Hagë: A po shkon Specialja drejt zbardhjes së vrasjeve politike?

Politika

Gjykimi në Hagë: A po shkon Specialja drejt zbardhjes së vrasjeve politike?

Nga: P.R. Më: 1 maj 2024 Në ora: 22:00
Ilustrim

Në Gjykatën Speciale po vazhdon gjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit e të tjerëve, të cilët ndër tjerash nga Specialja po akuzohen edhe për vrasjen e kundërshtarëve politikë që kanë ndodhur në Kosovë, ku shumica ishin bashkëpunëtorë dhe përkrahës të presidentit historik, Ibrahim Rugova dhe anëtarë të LDK-së.

E sipas analistit politik, Gani Qarri të gjithë të akuzuarit mbajnë përgjegjësi individuale për krimet për të cilat po akuzohen.

“Në fakt nga ajo sa dihet deri më tani, mbi paditë e ngritura penale, kundër katër të akuzuarve, për përndjekje, burgim, torturë, vrasje të paligjshme, zhdukje me forcë të personave dhe krime tjera kundër njerëzimit, janë padi të përkufizuara mbi përgjegjësitë individuale të të akuzuarve në Gjykatën Speciale të Hagës.  Në Aktakuzë, po ashtu precizohet se krimet për të cilat janë ngritur akuzat nga Gjykata Speciale, u kryen në Kukës e fshatin Cahan në Shqipëri, si dhe disa vende në Kosovë, në periudhën nga marsi i vitit 1998 deri në shtator1999, krime për të cilat pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi, Krasniqi etj, mbajnë përgjegjësi individuale, në forma të ndryshme të përgjegjësisë penale”, shprehet Qarri.

Image
Gani Qarri

Argumenti tjetër që mësohet nga lënda e padisë penale, është fakti se kundër secilit prej të akuzuarve janë ngritur të njëjtat akuza për krime lufte, si: arrestim e ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme, gjë që në fakt, nënkupton se me gjykimin që është duke u zhvilluar tash e sa kohë, në Gjykatën Speciale në Hagë, pretendohet të dalin në shesh, të paktën shumica e të paditurave të deritanishme, përfshi autorët e krimit, urdhërdhënësit dhe shkaqet e vrasjes së viktimave, që fatkeqësisht tash e atëherë, nga opinioni i gjerë dhe familjet, nuk dihet nga kush dhe as pse u vranë bashkëfamiljarët dhe të afërmit e tyre”, shton Qarri për “Bota sot”.

Siç thotë ai, Specialja ka pranuar një numër të madh të viktimave dhe dëshmitarëve kundër të të akuzuarve.

“Shto kësaj faktin tjetër, që mund të jetë kryesor dhe determinues edhe për rrjedhën në gjykim, se qindra persona janë pranuar si viktima dhe pjesëmarrës denoncues në procesin gjyqësor, të cilët pretendojnë se kanë pësuar dëmtim fizik, mendor a material deri në fund të vitit 2000 dhe kanë lidhje të drejtpërdrejta me viktimat që pretendohet se janë vrarë apo lënduar”, thekson Qarri,

Për fund, Qarri thotë se krejt këto japin sinjale se Gjykata Speciale po shkon drejt zbardhjes së vrasjeve politike që kanë ndodhur në Kosovë.

“Denoncime që për pasojë edhe janë futur në lëndën e padisë dhe materializuar si krim në Aktakuzën e Konfirmuar, krejt këto flasin hapur, se me zhvillimin e gjykimeve të përditshme në Hagë, Dhomat e Specializuara po shkojnë drejt zbardhjes së krimeve dhe vrasjeve politike të cilat kanë ndodhur në Shqipëri dhe Kosovë, gjë që do tu jepte fund edhe vuajtjeve dhe traumatizmave hibride, që për më tepër se 25-26 vite, kanë pësuar edhe familjet e viktimave në Kosovën e pasluftës”, përfundon analisti Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat