Dita Botërore e Lirisë së Shtypit/ Pa zbardhjen e gazetarëve të vrarë, nuk ka siguri për gazetarët në Kosovë

Politika

Dita Botërore e Lirisë së Shtypit/ Pa zbardhjen e gazetarëve të vrarë, nuk ka siguri për gazetarët në Kosovë

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 3 maj 2024 Në ora: 12:10
Xhemail Mustafa, Bekim Kastrati e Bardhyl Ajeti të vrarë pas luftës në Kosovë

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara që nga viti 1993 e kishte shpallur 3 Majin, Ditë Botërore të Lirisë së Shtypit.

Në indeksin e fundit vjetor Botëror mbi Lirinë e Shtypit hartuar nga organizata “Reporterët Pa Kufij”, vërehet se mungesa e vullnetit politik për mbrojtjen e të drejtave të medias po përshpejton rënien e lirisë së saj.

Gjetjet e Indeksit mbështeten në faktin se nga pesë treguesit e përdorur për të bërë renditjen përkatëse, më shumë ka rënë treguesi politik, duke regjistruar një rënie mesatare vjetore globale prej 7.6 pikë.

Kosova përfshihet në grupin e vendeve ku mjedisi i medias është “problematik”. Ajo radhitet e 75-ta duke humbur 19 vende nga viti i kaluar, kur u listua e 56-ta.

Gjersa, në vitin 2023 siguria e gazetarëve është përkeqësuar edhe për shkak të tensioneve Kosovë- Serbi, pas lufta kishte ndikuar edhe në vrasjen dhe zhdukjen e shumë gazetarëve.

Prej përfundimit të luftës, sipas të dhënave të OSBE-së, llogaritet se janë vrarë dhe zhdukur 14 gazetarë, rastet e të cilëve nuk janë zbardhur asnjëherë.

Gazeta kombëtare “Bota sot” e ka pësuar më së shumti për sa i përket vrasjeve të gazetarëve.

Xhemail Mustafa, Enver Maloku, bashkëpunëtorë dhe Bekim Kastrati e Bardhyl Ajeti gazetarë e redaktorë, janë gazetarët e vrarë gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Këto raste nuk janë zbardhur ende.

Mos zbardhja e këtyre vrasjeve, bën që siguria e gazetarëve në Kosovë të jetë ende sfiduese.

Profesorë e gazetarë thonë se pa zbardhjen e vrasjeve të gazetarëve, të gjallët mund të kenë frikë të ushtrojnë profesionin e tyre.

Sipas tyre, krimet nuk vjetrohen dhe institucionet e sigurisë duhet të punojnë në këtë drejtim, sepse kështu sigurohen gazetarët.

Qerimi: Mund të ketë frikë edhe nga gazetarët tjerë të guximshëm

Image
Gëzim Qerimi

Profesori i gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Gëzim Qerimi, thotë se asnjë qeveri veçmas institucionet e sigurisë nuk kanë qenë transparentë për zbardhjen e vrasjeve të gazetarëve.

Sipas tij, pa u zbardhur ato raste, mund të kenë frikë edhe gazetarët tjerë të guximshëm të ushtrojnë profesionin.

“Sa i përket lirisë së medias dhe 3 Majit, duhet të kemi parasysh në radhë të parë që elementi më i rëndësishëm që mundëson lirinë e mediave në Kosovë dhe në çdo vend. Kur jemi te siguria, duhet të krijojmë çdoherë institucionet tona, siguri të mjaftueshme për gazetarë dhe të njëjtën kohë duhen të zbardhen të gjitha rastet e vrasjes së gazetarëve në vitet e fundit në Kosovë, apo nëse mund të themi në vitet e pas luftës. Në realitet, mund të themi se pa zbardhjen e këtyre rasteve, mund të ketë frikë edhe nga gazetarët tjerë të guximshëm në profesionin e tyre, pra të jenë profesional dhe të guximshëm. Sa i përket zbardhjes së rasteve të vrasjes së gazetarëve, asnjë qeveri e pas luftës, veçmas institucionet e sigurisë nuk kanë qenë transparentë, nuk kanë arritur të zbardhin këto rastet dhe kjo flet shumë për sigurinë e gazetarëve në Kosovë”, shprehet Qerimi.

Në anën tjetër duke komentuar raportin e organizatës “Reporterët Pa Kufij”, Qerimi thotë se ai nuk është sinjal i mirë për Kosovën dhe lirinë e mediave në Kosovë.

“Ndërkaq, nëse i referohemi edhe vitit 2023, tashmë është publikuar edhe raporti ku Kosova ka një rënie për 19 pozita dhe kjo lidhet edhe me indikacionet edhe të raporteve të fundit që kanë qenë Kosovë- Serbi dhe sigurisë në veri të vendit, veçmas gazetarë. Mirëpo, të njëjtën kohë lidhet edhe me disa elementet e qeverisë, ndërhyrjeve politike të qeverisë aktuale dhe të njëjtën kohë edhe me idikatorët legjislativ. Ky nuk është një sinjal i mirë për Kosovën dhe lirinë e mediave në Kosovë, mirëpo në këtë aspekt duhet të jenë më të organizuar edhe gazetarët që të reagojnë për situata të tilla”, pohon profesori.

Ismail Berbatovci, Afrim Maliqi, Enver Maloku, Xhemail Mustafa, Shefki Popova, Bekim Kastrati, Bardhyl Ajeti, janë disa prej gazetarveë të vrarë pas luftës, ndërsa Marjan Melonashi, Momir Stokuća janë gazetarë serbë të vrarë në Kosovë.

Alban Zeneli: Ato krimet nuk vjetrohen

Profesori Alban Zeneli, thotë për “Bota sot”, se ndëshkimi i krimeve ndaj gazetarëve është njëri prej elementëve kryesorë për të siguruar një ambient të lirë pune.

Image
Alban Zeneli

Sipas tij, krimet nuk vjetrohen dhe organet e drejtësisë duhet të punojnë në këtë çështje.

“Ndëshkimi i krimeve ndaj gazetarëve është njëri prej elementeve kryesore që siguron ambient të lirë për të punuar në fushën e gazetarisë, për të punuar gazetarët. Duke pasur parasysh që ne kemi një numër jo të vogël të gazetarëve të vrarë në Kosovë, është fjala për para më shumë se 20 viteve kur kanë ndodhur vrasjet, por ato krimet nuk vjetrohen dhe organet e drejtësisë duhet të punojnë që t’i vënë para drejtësisë autorët e tyre, të cilët vetëm në këtë mënyrë sigurojnë se krimet ndaj gazetarëve nuk mbesin të pa ndëshkuar”, deklaron Zeneli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat