Presidentja Osmani nga Danimarka ia fiku ëndrrën Vuçiqit, por opozita po rreshtohet krah tij për Asociacionin?!

Politika

Presidentja Osmani nga Danimarka ia fiku ëndrrën Vuçiqit, por opozita po rreshtohet krah tij për Asociacionin?!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 16 maj 2024 Në ora: 15:51
Presidentja Vjosa Osmani, gjatë vizitës së saj në Danimarkë

Serbia po vazhdon me retorikën e saj kërcënuese ndaj Kosovës.

Formimi i Asociacionit mbetët një nga kërkesat kryesore të Serbisë, mirëpo që e njëjta nuk po pranohet nga Kosova.

Së fundmi, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka akuzuar Serbinë se po e ndihmon Rusinë, në mënyrë që, sipas saj, të shpërqendrohet vëmendja nga lufta që Moska nisi më 2022 kundër Ukrainës, dhe të hapë “një front të ri kundër Perëndimit”.

Gjatë pjesëmarrjes në Samitin për Demokraci të Kopenhagës, Osmani tha se demokracia në botë është në sprovë, pasi sipas saj, autokratët po sulmojnë vazhdimisht vlerat demokratike.

Kurse, për sa i përket çështjes së Asociacionit, Osmani tha se Serbia po e kërkon atë në mënyrë që presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ta ketë më të lehtë kontrollin mbi serbët e Kosovës.

Serbia kërkon që të krijojmë Asociacionin, ku serbët bëhen bashkë dhe udhëhiqen nga një president, që Vuciqi do ta ketë shumë të lehtë ta kontrollojë. Çka kërkon Serbia nuk janë të drejtat e komuniteteve”.

Qarri: Opozita e inkriminuar po përpiqet, që të inskenojë edhe një lloj grusht shteti

Image
Gani Qarri

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik, Gani Qarri.

Ai tha se nuk është i vetmi Vuçiqi që kërkon ta dëmtoj shtetin e Kosovës, por edhe opozita e vendit e cila po përpiqet, që të inskenojë edhe një lloj grusht shteti, për kapjen serish të shtetit dhe realizimin e objektivave të Serbisë në Kosovë, si “Zajednica”.

“Në fakt, nuk është më vetëm Vuçiqi dhe Serbia hegjemoniste, që bëjnë çdo gjë për ta dëmtuar shtetin e pavarur të Kosovës, por një skenar tejet i zymtë dhe ogurzi, po luhet edhe nga vet opozita e inkriminuar e cila, po përpiqet, që të inskenojë edhe një lloj grusht shteti, për kapjen serish të shtetit dhe realizimin e objektivave të Serbisë në Kosovë, si "zajednica" apo edhe ndryshimin e kufijve, njëjtë siç vepronte dikur Hashim Thaçi, Isa Mustafa dhe Ramush Haradinaj, duke bërë tregti edhe me tokat e Kosovës, pavarësisht faktit që tanimë ka ngelur më pak se një vit i plotë, nga mandati i rregullt kushtetues dhe koha ligjore e mbajtjes së zgjedhjeve të reja parlamentare në Republikën e Kosovës, ku me votën e lirë të qytetarëve, kanë mundësi, serish ta sprovojnë veten dhe shohin realisht peshën e dyshimtë që kanë, në kandarin e popullit”, u shpreh ai.

Ndër të tjera, analisti thotë që Serbia po lufton shumë ashpër, me të gjitha mjetet dhe mundësit e krijuara së fundmi, për përcaktimin e vijëzimit të "kufijve" dhe konfigurimin e territoreve.

“Dhe përderisa, siç deklaroi edhe presidentja Dr. Vjosa Osmani nga Danimarka, se Serbia kërkon që të krijojmë Asociacionin, ku serbët bëhen bashkë dhe udhëhiqen nga një president, që Vuciqi do ta ketë shumë të lehtë ta kontrollojë, blloku opozitar as që është i interesuar për inskenimet e Serbisë, kundër shtetit të Kosovës. Në fakt, përderisa opozita e inkriminuar, vazhdon të luaj me ekzistencën e shtetit të Kosovës, Serbia po lufton shumë ashpër, me të gjitha mjetet dhe mundësit e krijuara së fundmi, për përcaktimin e vijëzimit të "kufijve" dhe konfigurimin e territoreve, të të ashtuquajturit "asociacion" si baza nismëtare, për pretendimet e saj hegjemoniste, të gllabërimit të tokave tona autoktone, me forcë, në të ardhmen, dhe as që interesohet në fakt, për të drejtat e komunitetit të pakicës serbe, sepse edhe ashtu, në Kosovë, pakica serbe, jo vetëm se gëzon të drejtat maksimale, por është edhe komunitet i "diskriminuar" në kuptimin më pozitiv të fjalës, si askund tjetër në rajon dhe vendet më të zhvilluara evropiane”, shpjegon analisti.

Ndër të tjera, ai shton që lojërat e rrezikshme të opozitës së bashku me Serbinë janë shumë të rrezikshme për Kosovën.

“Kështu që presidenti kriminel serb Vuçiq, dhe Serbia hegjemoniste, duke parë shtetin tonë të brishtë, të vendosur ndërmjet të shumë zjarreve, duke filluar nga trysnia e padrejtë e faktorit ndërkombëtar. Si dhe lojërat e rrezikshme nga opozita totalisht e papërgjegjshme, e deri te ndërmjetësuesit pro-serb të BE-së dhe emisarët amerikan etj, ka vendosur ta shfrytëzoj gjendjen e favorshme të krijuar nga faktorët e lartcekur, për realizimin e qëllimeve serbe, dhe të hidhet në sulm frontal edhe ajo, për arritjen e objektivave të para programuara nacionaliste, për të realizuar ëndrrat e saj serbomëdha, me ndihmën e opozitës kosovare, që kufijtë aktualisht, akoma vetëm ideor, t’i paragrafojë edhe praktikisht në terren, për krijimin e të ashtuquajturës "botë serbe" apo Serbia e Madhe, e cila brenda kufijve të saj, parasheh të përfshijë, përveç "republikës srpska" në Bosnje edhe territoret e "zajednicës" serbe, apo të ashtuquajturit asociacion, dy herë të nënshkruar dhe të miratuar edhe në Kuvend me shumicën dërmuese të votave të bashkuara nga PDK, LDK, AAK dhe lista serbe”, përfundoi analisti Qarri për “Bota sot”.

Burjani: Asociacioni mund të jetë në një variant si entitet juridik-politik

Image
Blerim Burjani

Ndërsa, juristi Blerim Burjani në një bashkëbisedim me “Bota sot”, tha që drafti i fundit i BE tregon se institucionit e Kosovës nuk mund të imponojnë asgjë jashtë vullnetit të Asociacionit.

“Asociacioni mund të jetë në një variant si entitet juridik-politik, nëse ka kompetenca mbi komunat serbe anëtare. Ajo paraqet një autonomi ose kanton jashtë juridiksionit të shtetit të Kosovës, nëse merret parasysh drafti i fundit i BE institucionit e Kosovës nuk mund të impnojnë asgjë jashtë vullnetit të Asociacionit”, foli ai.

Juristi në fund nënvizon që Serbia pa marr parasysh kush do të jetë president, me këtë Asociacion dhe me këtë draftin e fundit legalizohet si entitet juridik dhe politik në veri.

“Kjo bën një shtet brenda shtetit normal se do të kontrollohet dhe udhëhiqet nga Serbia pa marr parasysh kush do të jetë president, me këtë Asociacion dhe me këtë draftin e fundit legalizohet entitet juridik dhe politik në veri”, përfundoi Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat