“Janë me Beogradin”, avokati shqiptar zbulon pse Kosovës iu kërkua Asociacioni për KiE – tregon si duhet të veprojë Prishtina

Politika

“Janë me Beogradin”, avokati shqiptar zbulon pse Kosovës iu kërkua Asociacioni për KiE – tregon si duhet të veprojë Prishtina

Nga: A.Zh Më: 18 maj 2024 Në ora: 12:05
Spartak Ngjela

Dita e djeshme do të duhej të ishte dita e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, mirëpo kjo nuk ndodhi, pasi Qeveria e Kosovës nuk ka përmbushur kushtin e vendosur nga shtetet anëtare.

Anëtarësimi i Kosovës dhe opinioni pozitiv i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, nuk ishte në agjendën e Komitetit të Ministrave.

Kjo pasi Kosova ka refuzuar të përmbush kushtin për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, që po kërkohet nga disa nga shtetet anëtare si Franca dhe Gjermania.

Edhe pse Qeveria, përmes diplomates Donika Gërvalla, e dërgoi letrën zotuese, se do ta dërgojnë Asociacionin në Gjykatën Kushtetuese në fund të muajit maj, e njëjta u konsiderua si e vonuar.

Megjithatë, vendet anëtare kanë shprehur gatishmëri që Kosova të mund të bëhet anëtare në një fazë të mëvonshme.

Duke komentuar këto zhvillime dhe kushtin që Kosova të formojë Asociacionin në këmbim të anëtarësimit në KiE, avokati shqiptar Spartak Ngjela, ka thënë se një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë.

Sipas tij, Qeveria nuk duhet të formojë Asociacionin, pasi rrezikon destabilizimin e vendit nga Sserbia.

“Janë me Beogradin. Kosova është shtet i pavarur i njohur edhe në Këshillin e Sigurimit. Asnjë asocacion nuk duhet të pranojë Prishtina zyrtare, sepse me to Serbia krijon destabilizimin e Kosovës”, ka deklaruar avokati për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, në Kosovë gjenden shumë agjentë të fshehur serbë.

“Pse nuk e dini ju se sa agjentë të fshehur ka Serbia në Kosovë?! Turp për ju nëse ende nuk e dini...”, është shprehur Ngjela.

Ai konsideron se Asociacioni i komunave me shumicë serbe “është tradhti kombëtare”.

Në takimin e djeshëm të ministrave të Jashtëm të 46 vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, u diskutua dhe u vendos për shumë çështje, por jo edhe për të shumëpriturën, anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Krejt çfarë i mbeti përfaqësuesve të kësaj organizate ishte shqyrtimi i mënyrave si të shkohet tutje me procesin e anëtarësimit të vendit.

"Anëtarësimi i Kosovës është përmendur disa herë (dje) gjatë deklaratave të ministrave. Ne kemi marrë letrën nga Asambleja e Përgjithshme, me rekomandimin për anëtarësimin e Kosovës. Dhe, në kuadër të presidencës sonë bëmë gjithçka që mundëm për të çuar përpara procesin, së bashku me të gjitha shtetet anëtare. Dhe, Komiteti i Ministrave ka nisur tashmë diskutimet për këtë çështje dhe aktualisht po shqyrton se si të vazhdojë tutje", ka thënë Dominique Hasler, ministre e jashtme e Lihtenshtjanit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat