​1 Maji në Gërmi, ja çfarë thonë qytetarët për të drejtat e punëtorëve

Prishtina

​1 Maji në Gërmi, ja çfarë thonë qytetarët për të drejtat e punëtorëve

Më: 1 maj 2024 Në ora: 18:07
Gërmi

Për të shënuar 1 Majin – Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, qytetarë të shumtë edhe këtë vit e kishin destinacion parkun e Gërmisë. Shumë qytetarë, festën e 1 Majit e shfrytëzojnë si ditë pushimi dhe relaksimi, por një pjesë e vogël e tyre kërkuan të drejta më shumë për punëtorët.

Sipas qytetarit Gëzim Kryeziu, shkeljet e të drejtave të punëtorëve në Kosovë ndaj punëtorëve janë të mëdha duke u nisur nga mos sigurimi shëndetësor e deri tek kontributet pensionale. Ai vë në dukje edhe ikjen e shumë të rinjve jashtë shtetit dhe kërkon vetëdijesim nga punëdhënësit për kushte më të mira ndaj punëtorit.

Kryeziu: Punëdhënësit të vetëdijesohen dhe të krijojnë kushte më të mira për punëtorët

“Në bazë të informatave që i kemi edhe shkelen të drejtat e punëtorëve nuk kanë sigurime nuk janë të lajmëruar në administratën tatimore, nuk ju paguhen kontributet pensionale. Besoj tash vitet e fundit edhe kërkesa tash është ma e madhe për punëtorë, besoj se punëdhënësit do të vetëdijesohen dhe do të krijohen kushte sa më të mira për punëtorë”, ka thënë Kryeziu.

Po ashtu edhe Shefket Lakna nga Prishtina, mendon se pagat, mosrespektimi i orarit të punës dhe oraret e tej zgjatura janë ndër problemet kryesore me të cilat përballen punëtorët në Kosovë.

Lakna: Pagat e vogla, mos respektimi i orarit, punë e stërzgjatur, këto janë kryesoret

“P.sh. pagat e vogla, mos respektimi i orarit, punë e stërzgjatur, këto janë kryesoret. Realisht nuk kishin guxua me punua të zezën dëmtohet edhe buxheti i shtetit edhe vet punëtori por siç e dimë ne shumica punojnë pa sigurim shëndetësor”, tha qytetari.

Gjithashtu edhe qytetari Enver Makolli si person i punësuar, ka dhënë kërkesën e tij që të krijohet një ambient më i mirë për punë me më shumë të drejta për punëtorët.

Makolli: Kërkojmë të drejta më shumë e paga më të mira

“Po valla drejtat e punëtorëve shkelen gjithnjë.., Ne kërkojmë të drejta më shumë, paga më të mira edhe siguri në punë më shumë”, është shprehur Makolli.

Ngjashëm ka mendim edhe Amir Xhemshiti, i cili e ka cilësuar punën të cilën e bëjnë punëtorët në Kosovë si luftë për mbijetesë.

Xhemshiti: Gjithçka në Kosovë shkon për mbijetesë

“Orari nuk përshtatet, gjithkah ka shkelje... Ankesat më të mëdha janë që rrogat nuk janë të mira. Gjithçka në Kosovë shkon për mbijetesë për gjithçka”, ka shtuar Xhemshiti.

Ndërsa Shemsi Gashi ka bërë një krahasim të kohës së tashme duke cilësuar se në të kaluarën punëtorët janë trajtuar në mënyrë më të dinjitetshme, ndërsa tani sipas tij, ata nga pronarët e tyre konsiderohen si robër.

Gashi: Punëtori sot punon sikur rob

“Drejtat e punëtorëve janë duke u shkelur shumë, kurrë s’kanë qenë kështu, as në kohën e përparshme nuk kanë qenë kështu me u shkel të drejtat e punëtorëve, punëtori sot punon sikur rob”, ka përfunduar Gashi.

Sot në Kosovë për 1 Maj, janë mbajtur disa protesta nga sindikatat me anë të cilave kërkohet ndërgjegjësim për të drejtat e punëtorëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat