Rezultatet e dobëta në PISA, në Prishtinë fillon mësimi tërë ditor, ja detajet

Prishtina

Rezultatet e dobëta në PISA, në Prishtinë fillon mësimi tërë ditor, ja detajet

Më: 11 maj 2024 Në ora: 07:49
Jehona Lushaku-Sadriu

Komuna e Prishtinës po planifikon që në disa shkolla të kryeqytetit të mbahet mësim tërëditor, duke filluar nga shtatori. Lidhur me këtë plan, ka dhënë detaje Drejtoresha e Arsimit, Jehona Lushaku-Sadriu.

Lushaku-Sadriu ka treguar se mësimi tërëditor do të praktikohet vetëm për nxënësit e ciklit të ulët, pra nga klasa e parë deri në të pestë.

Ajo e ka lidhur këtë plan, me rezultatet e dobëta në testin PISA.

“Këtë lëvizje po e bëjmë për shkak të rezultateve të dobëta në PISA. Qëndrimi i shkurtër në shkolla ka qenë vërejtja e PISA-s për rezultatet e dobëta të Kosovës. Në shkollat tona, leximi bëhet mekanik për shkak të presionit të kohës. Duhet urgjentisht të intervenohet në ciklin e ulët”, ka thënë ajo në emisionin “O38” .

Sipas saj, për mësimin tërëditor do të fuzionohen dy shkolla që janë afër gjeografikisht.

“Mund t’i fuzionojmë nga dy shkolla që janë afër gjeografikisht, dhe t’i ndajmë në shkolla fillore dhe të mesme të ulët. Për shembull shkollat ‘Pjetër Bogdani’ dhe ‘Emin Duraku’ mund t’i shkëmbejnë nxënësit pa problem. Gjithë planin do ta prezantojmë në detaje përmes një konference në fund të muajit. Një shkollë fillore do të ketë nxënës vetëm nga klasa I – V”, ka shtuar drejtoresha e Arsimit.

Lushaku-Sadriu ka thënë se mësimi tërëditor do ta përfshijë ekstrakorrikulën.

“Nxënësit e ciklit të ulët do të qëndrojnë shtatë orë në shkollë, kur korrikula bazë nuk do të ndryshohet. Klasa do të mbetet e njëjtë, mësuesja e njëjtë, orar më të gjatë dhe një drekë që Komuna po përpiqet ta sigurojë nga kuzhina e kryeqytetit. Do të përfshihen aktivitetet ekstrakorrikulare. Do të lexohet më tepër, do të shpjegohet më tepër. Lexim-kuptimi dhe ndërtimi i një mendimi kritik te fëmijët. Do të ketë edhe klube sportive, muzikore e të tjera – ku nxënësit mund ta kalojnë kohën përmes rekreacioneve”, ka deklaruar Lushaku-Sadriu, duke bërë të ditur se për mësimin tërëditor, përveç mësimdhënësve aktualë, do të punësohen mësimdhënës të rinj.

Ajo ka thënë se arsimtarët nuk do të mbajnë orë shtesë përtej normës.

Drejtoresha e Arsimit ka bërë të ditur se kanë përzgjedhur tetë shkolla për mësimin tërëditor, por në fazën e parë, siç thotë ajo, “do të shkojmë me pesë”.

“Meqë është faza e parë, duam të jemi të sigurt në rezultat. Sepse është transformim i madh dhe mund të shndërrohet model për komunat e tjera”, ka thënë Lushaku-Sadriu.

Për klasat nga e gjashta deri në të nëntën, sipas Lushaku-Sadriut, nuk do të ketë ndryshime në mësim.

Lushaku-Sadriu ka thënë se planifikojnë që në mësim tërëditor, fëmijët të mos i bartin librat me vete dhe t’i kryejnë detyrat në shkollë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat