Pas dështimit të zgjedhjeve të para dhe vendosjes së tij të përkoshme në krye të Universitetit të Prizrenit, Ismet Temaj u zgjodh sërish rektor i ‘Ukshin Hoti-it’.
Zgjedhja e tij herën e parë u përcoll me shumë parregullsi ndërsa pati edhe akuza për ndikim politik nga Nisma Socialdemokrate në këto zgjedhje.
Në mbledhjen e mbajtur sot, gjashtë anëtarët e Këshillit Drejtues nga 7 sa janë gjithsej, votuan pro për zgjedhjen e Temajt.
Kjo zgjedhje erdhi një javë pasi u bënë intervistimet e kandidatëve dhe arsyetim për këtë vonesë ishin udhëtimet e profesorëve, anëtarë të KD-së.
Përpos Temajt, kandidatë pë rektor ishin edhe Kadri Kryeziu, Naser Pajaziti, Bekim Berisha dhe Hamdi Hoti.
Cila është karrierra e Prof. Asoc. Dr. Ismet Temaj ?
Ismet Temaj ka kualifikimin e një matematicienti.
Ai kishte qenë profesor i matematikës dhe nga viti 2001 ka punuar profesor në Shkollën “Xhevdet Doda” .
Nga viti 2004 ishte profesor në Fakultetin e Edukimit në Universitetin e Prishtinës, ku ishte edhe shef i programit.
Në Universitetin e Prizrenit Ismet Temaj është angazhuar si profesor që nga themelimi i Universitetit.
Ndërkaq prej vitit 2012 deri 2018 ka ushtruar edhe funksionin e Dekanit në Fakultetin e Edukimit në këtë universitet.
Që nga dhjetori i vitit 2018, Temaj ishte zgjedhur në pozitën e u.d. Rektorit në UPZ.
Lidhja me politikën.
Lidhja Demokratike e Kosovës është i vetmi asoocim publik i Ismet Temajt me politikën.
Të paktën kështu kishte deklaruar ai, duke përsëritur se as me këtë parti më nuk ka lidhje.
Megjithatë, ky kandidat ishte i zgjedhuri për të disatën herë me insistim nga Këshilli Drejtues, kryesuesi i së cilës, Bedri Muhadri, është anëtar i Partisë Nisma Socialdemokrate.
Nga kjo parti vjen edhe Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi.
Demir Limaj, vëllai i kryetarit të Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj ishte takuar me Temajn ditën kur u mbajtën intervistat me kandidatët për rektor, javën e kaluar.
Megjithatë, Universiteti i Prizrenit me në krye Temajn,për dallim nga të gjitha universitetet tjera publike, nuk i ishte bashkuar grevës dhe kërkesës për shkarkimin e Ministrit të Arsimit.
”E konsideroj të paarsyeshme kërkesën e tyre për shkarkimin e Ministrit, sepse ne jemi universitete që kemi synimet tona. Duhet të merremi me çështje që i takojnë universiteteve e jo çështje politike duke kërkuar shkarkimin e ministrit apo çështje tjera politike”, kishte thënë Temaj.
KALLXO.com e përcolli votimin e sotëm drejtpërdrejt.
Në bazë të Statutit të universitetit, mandati i Rektorit është katër vjet, me mundësi rizgjedhje edhe për një mandat.