Hoxhaj e PDK-së: Në Prizren më së paku është punuar për personat me aftësi të kufizuara

Prizreni

Hoxhaj e PDK-së: Në Prizren më së paku është punuar për personat me aftësi të kufizuara

Më: 3 tetor 2021 Në ora: 07:17
Egzona Hoxhaj

Kandidatja për Asamble të Prizrenit nga PDK-ja, Egzona Hoxhaj, e cila vjen nga komuniteti i personave me aftësi të kufizuara, i ka hyrë garës që të jetë zë shtesë për të përmirësuar kushtet e këtij komuniteti.

Ajo thotë se pas disa vjetësh angazhim në organizata joqeveritare e ka pasë kërkesë nga komuniteti që dikush prej tyre me pasë një ulëse në Kuvendin Komunal.

“S’do të thotë që asambletë e tjera nuk na kanë përkrahur, por duke qenë vetë të përfshirë në ekzekutiv, besojmë që kërkesat tona kanë me pasë një derë të hapur më ndryshe dhe do të mundim që bashkërisht me kolegët e tjerë t’i çojmë përpara problemet dhe çështjet tona që po na preokupojnë neve si komunitet”.

Ajo është ankuar se Prizreni është një komunë që më së paku është punuar për personat me aftësi të kufizuara.

“Më vjen keq që duhet me cek, por Prizreni është komunë e vetme në Kosovë që e ka një infrastrukturë shumë të papërshtatshme për personat me aftësi të kufizuar dhe të gjithë problemet e tjera që lidhën me komunitetin janë si pasojë e një infrastrukture të papërshtatshme, sidomos për përdoruesit i karrocave. Kështu që prioritet i imi, por edhe i partisë time është që brenda dyvjeçarit të parë të marrim hapa dhe të nisim proceset që gradualisht ta përmirësojmë infrastrukturën”.

Ajo thotë se fushatën nuk e ka vetëm për personat e komunitetit të saj, por edhe për qytetarët e Prizrenit dhe mirëqenien e tyre.

“Të gjithë jemi njerëz dhe pak a shumë i kemi nevojat e njëjta”.

Hoxhaj ka thënë se mungon një vetëdijesim i shoqërisë për t’i respektuar të drejtat e personave me aftësi të kufizuar derisa mendon që vetëdijesimi fillon prej përfaqësuesve lokalë”.

“Përkundër bindjeve politike duhet punuar bashkë për një shoqëri gjithëpërfshirëse”.

Derisa thirrjen e fundit ia drejtoi KQZ-së që në ditën e zgjedhjeve ekipet mobile të shkojnë përnjëmend te secili person me aftësi të kufizuar për t’ia marrë votën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat