​Quni në Prizren: Tregjet prioritet në programin tim qeverisës

Prizreni

​Quni në Prizren: Tregjet prioritet në programin tim qeverisës

Më: 13 tetor 2021 Në ora: 13:26
Anton Quni

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Prizrenit, Anton Quni premtoi sot para tregtarëve të Prizrenit se në programin e tij qeverisës do të kenë prioritet edhe tregjet.

Quni me rastin e vizitës në tregun në Bazhdarhane tha se tregjet e Prizrenit kanë nevojë për investime të ndryshme në infrastrukturën përcjellëse, teksa u zotua se problemet aktuale do të zgjidhen nga autoritetet e komunës.

Quni: Duhet të bëjmë investime në infrastrukturën përcjellëse

"Në programin tonë qeverisës vëmendjen e veçantë do të kenë edhe tregjet, tregjet ekzistuese tek të cilat ne duhet të bëjmë investime të ndryshme në infrastrukturën përcjellëse, ngritjen e standardeve, posaçërisht atyre sanitare. Të gjithë shprehin admirim për pastërtinë, për sigurinë etj., por siç e shihni vet ka probleme për parkingje, pritje. Këto janë çështje që duhet të zgjidhen nga autoritetet e komunës", tha ai.

Pretendenti për të parin e Prizrenit tha se do të zgjidhin edhe kaosin e shkaktuar nga veturat, me ndërtimin e një parkingu nëntokësor 100 metra larg tregut.

Quni: Shpresojmë ta shkarkojmë këtë tension të shkaktuar nga veturat

"Në programin tonë është paraparë në 100 metra larg nga këtu, të jetë një nga parkingjet nëntokësore. Shpresojmë që do ta shkarkojmë këtë tension të shkaktuar nga veturat", tha ai.

Ndërsa, tregtarët uruan që të zgjidhet kaosi në Prizren. Kështu thotë edhe tregtari Ismet Bajraktari.

Bajraktari: Uroj të rregullohet kaosi në Prizren

"Unë uroj që të rregullohet kaosi në Prizren. Unë kam pakënaqësi me këtë pushtet deri tash, prej se ka ardhur kryetari aktual, Haskuka, asnjëherë nuk më ka pranuar të flas për hallet e mia, por vetëm më ka dërguar letra për të më përmbysë, nuk e di pse. Unë nuk bëj asnjë punë të paligjshme", tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat