​Lansohet kompania botërore Gold Ventures në Prizren, rriten mundësitë për investime në Kosovë

Prizreni

​Lansohet kompania botërore Gold Ventures në Prizren, rriten mundësitë për investime në Kosovë

Më: 18 nëntor 2022 Në ora: 13:43
Pamje nga vendi i ngjarjes

Në Parkun e Inovacionit në Prizren (ITP) është lansuar kompania Gold Ventures Investments Western Balkan, e cila ka të bëjë me zhvillimin e arsimit, teknologjisë së inovacionit dhe bizneseve.

Kjo kompani është në kuadër të bashkëpunimit dhe partneritetit të Kosovës me vendet ndërkombëtare, që të hyjë në tregjet botërore.

Drejtues të kësaj kompanie botërore dhe diplomatë nga Izraeli dhe Gjermania vlerësuan se kjo kompani inovative do t’i ndihmojë zhvillimit ekonomik në vend.

Me këtë rast, ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv u zotua në thellimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Izraelit dhe theksoi se Kosova ka potencial të madh për investime.

Ambasadorja Ziv nga këtu tha se ka kompani të fushës së inovacionit dhe të bujqësisë që kanë shprehur interesim për investime në Kosovë.

Ziv: Kosova ka potencial të madh për investime, ftoj kompanitë izraelite të investojnë

“Është hera e parë që një kompani izraelite është duke krijuar një bazë permanente këtu në Parkun e Inovacionit në Prizren, dhe kjo është një ngjarje e madhe për ne. Ka gati dy vjet qe kur krijuar marrëdhëniet tona diplomatike me Kosovën, dhe mendoj se kjo është në kohën e duhur që te kemi një fillim të prezencës izraelit në Kosovë. Ekonomia është një urë lidhëse ndërmjet njerëzve, kulturave dhe shteteve. Unë si ambasadore jam duke bërë përpjekje që të kërkojë marrëdhënie ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Izraelit. Mendoj se ekziston potenciali I madh në fushën e ICT-së (në fushën e teknologjisë së inovacionit), por edhe në fushat tjera përkatëse siç janë bujqësia, shëndetësia dhe të tjera. Jemi duke punuar që të zhvillojmë marrëdhëniet në shumë drejtime”, theksoi ajo.

Po ashtu edhe zëvendësambasadori i Gjermanisë, Matthias Conrad, tha se Gold Venture e bën Parkun e Inovacionit më atraktiv dhe shtoi se qeveria gjermane mbështet zhvillimin e mëtejmë të Kosovës.

Conrad: Gold Venture e bën Parkun e Inovacionit më atraktiv

“Me këtë rrjetëzim dhe partneriteti që ofron Parku i Inovacionit(ITP), ne kemi një biznes strategji fitim – fitim apo (win win) e cila do të ndihmojë ekonominë vendore. Lansimi i GVI në Ballkanin Perëndimor e bën këtë park edhe më atraktiv për vendasit, por edhe për kompanitë teknologjike ndërkombëtare. Nga aspekti politik, dëshiroj të them se janë edhe objektivat politike të qeverisë gjermane që dëshirojnë ta bëjnë Kosovën me një angazhim të suksesshëm”, theksoi Conrad.

Drejtori menaxhues i kompanisë Gold Ventures Investments Eestern Balkan, Kobi Kalderon tha se kjo kompani është një mundësi e madhe për Kosovën dhe bizneset e reja.

Kalderon: Gold Ventures Investments Western Balkan një mundësi e mirë për Kosovën

“Është një mundësi e mirë për start-up (fillimi i bizneseve) në Kosovë që të jenë pionierë në Evropë, dhe që të kemi investime nga investitorë ndërkombëtar. Pastaj qëllimi ynë tjetër është që të sjellim kompani nga tregjet e GV që të jenë të suksesshme në pjesën tregut të Ballkanit Perëndimor. Pastaj synimi tjetër është tregu gjerman dhe mendoj se është koha e duhur që të gjejmë alternativa edhe në Kosovë si një qasje fillestare”, tha Kalderon.

Ai para të pranishmëve ka dhënë një pasqyrë për kompaninë Gold Ventures Investments Western Balkan.

Rektori i Universiteti për Biznes dhe Teknologji -UBT, Edmond Hajrizi theksoi se Parku i Inovacionit në Prizren nuk mund të quhet park pa universitetin. Profesori është shprehur optimist që Parku i Inovacionit në Prizren (ITP) do të ketë sukses, dhe në pjesën strategjike të jetë tërheqës për të investuar me prezencë më të madhe ndërkombëtare.

Ai tha se UBT ofron potencial për teknologji dhe ndërmarrësi.

Hajrizi: UBT ofron potencial për teknologji dhe ndërmarrësi

“UBT ofron 150 lëndë të akredituara në fusha të ndryshme dhe kemi 15 mijë studentë aktiv dhe është një potencial për startup, dhe për krijim të vendeve të punës. Stafi I të punësuarve arrin 1500, prej tyre 450 profesorë. Kështu që është një mjedis i mirë, edhe me laboratorë të zhvillimit në një vend 5G dhe për shkencë. Dhe shumica e tyre janë të vendosura këtu, pra kur kemi një startup të ri dhe dëshirojnë të bëjnë një testim-zhvillim, ne jemi këtu që t’i mbështesim këtë kornizë të zhvillimit. Sepse kompleksiteti i startup-ve nuk është vetëm digjitalizimi, por është edhe pika e zhvillimit të njohurisë, ku për këtë iu nevojitet infrastruktura hulumtuese dhe njerëz të kualifikuar. Prandaj, ne mendojmë se kemi mundësi që të ofrojmë këtë në këtë kohë’, theksoi profesori Hajrizi.

Ai ftoi vendet kompanitë ndërkombëtare të investojnë në Kosovë, pasi sipas tij, të gjitha mund të gjenden në ITP. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat