Për një ushqyerje të shëndetshme të fëmijëve 6-12 muajsh

Shëndetësia

Për një ushqyerje të shëndetshme të fëmijëve 6-12 muajsh

Më: 13 nëntor 2020 Në ora: 16:25
Foto Ilustrim

Ja disa nga praktikat më të mira të rekomanduara nga ekspertët e ushqyerjes dhe shëndetit të fëmijëve:

Fëmija duhet të ushqehet me gji për rreth 2 vjet, ose sa të dëshirojë, ndërsa sapo mbush 6 muajsh, duhet të fillohen edhe ushqimet shtesë.

Qumështi i gjirit vazhdon të sigurojë të paktën gjysmën e nevojave ushqyese të foshnjës për moshën 6-12 muajsh dhe 1/3 e tyre nga 12-24 muajsh.

Të ushqyerit me gji duhet të vazhdojë edhe sepse qumështi i gjirit ndihmon foshnjën të luftojë sëmundjet. Ai është burimi i vetëm për marrjen e trupëzave mbrojtëse.

Kur dhe si duhen filluar ushqimet shtesë? 

Ushqyerje shtesë, ose plotësuese do të thotë që foshnjes t’i jepet, përveç qumështit të gjirit, edhe ushqime të tjera gjysëm të forta apo të forta, për t’i ofruar atij/asaj lëndët e nevojshme ushqyese për rritje, zhvillim dhe shëndet optimal. Kur foshnja e ushqyer me qumësht gjiri mbush 6 muajsh, nëna duhet të fillojë t’i japë edhe ushqime të tjera shtesë, pasi tashmë vetëm qumështi i gjirit nuk mjafton për të plotësuar nevojat ushqimore të foshnjës (aq më tepër nëse foshnja ushqehet me qumësht formule). Ky është një moment shumë i rëndësishëm në ushqyerjen e një individi që ndikon në rritjen dhe shëndetin e ardhshëm të tij. Duhet të dini se vetëm rreth moshës 6 muajsh rritet aftësia e foshnjes për të tretur dhe thithur proteina, yndyrna dhe karbohidrate të ndryshme nga ato që ka qumështi i gjirit dhe ai i formulave foshnjore.

Në praktikë, shenjat e zhvillimit që tregojnë se foshnja është gati për të pranuar ushqime shtesë të forta janë:

Është e aftë të qëndrojë ndenjur pa mbështetje

Kërkon, kap me dorë dhe fut në gojë ushqime, apo sende në mënyrë të saktë

Dëshiron të përtypë dhe fut në gojë lodra, apo objekte të tjera

Mban kokën mirë dhe drejt

Hap gojën kur shikon se i afrohet ushqim

Mban gjuhën poshtë dhe të ulur për të futur lugën

Mbyll buzët kur futet luga dhe tërheq ushqimin, ndërsa luga largohet nga goja

Mban ushqimin në gojë, e gëlltit dhe nuk e flak jashtë gojës tek mjekra

Nga mosha 4-6 muajsh zakonisht zhduket refleksi flakjes me gjuhë që bën që të nxjerrë me gjuhë ushqimet e forta nga goja

Studimet e fundit kanë treguar se mes frutave dhe perimeve, nuk ka ndonjë rëndësi të veçantë se kush duhet të fillohet si ushqimi i parë shtesë për fëmijën 6 muajsh.

E rëndësishme është që të fillohet me 1-2 lugë ushqimi jo shumë të ujshëm (pure) dhe t’i jepet rreth një javë kohë fëmijës për t’u ambjentuar me të.

Jepini një prej perimeve në çdo herë, dhe pasi t’i ketë shijuar ato një nga një, mund të filloni t’i kombinoni dy apo më shumë perime bashkë. Më pas duhet të vazhdoni të provoni një ushqim tjetër pak më të trashë dhe me përbërje të re e kështu me rradhë.

Gjatë moshës 7-8 muajsh, fëmija duhet të marrë 3 herë ushqime të forta në ditë (½ -⅔  e një tasi prej 250 ml) dhe të vazhdohet ushqyerja me gji.

Gjatë moshës 9-11 muajsh, fëmija duhet të marrë 3 herë ushqime të forta (¾ e një tasi prej 250 ml) dhe një vakt të ndërmjetëm në ditë, si dhe të vazhdohet ushqyerja me gji kryesisht gjatë natës.

Ushqimi i fëmijës është më mirë të përgatitet në shtëpi, i freskët dhe me prodhime të stinës.

Këshillohet që për ushqyerjen e fëmijës të mos përdoret biberoni, por gota, pjata dhe luga e vogël plastike individuale.

Shmangni përdorimin e qumështit të lopës dhe shtesat e kripës dhe sheqerit deri në moshën 1 vjeçare!

Praktikat e Përgjegjshme të Ushqyerjes

Nënat apo personat që ushqejnë fëmijën, duhet të :

Jenë shumë të duruar, të qetë dhe t’i dhurojnë fëmijës shumë dashuri dhe përgëzime të vazhdueshme.

Vendosni kontakt sy me sy edhe gjatë ushqyerjes plotësuese.

Provoni kombinime, shije dhe përbërje të ndryshme ushqimore për të nxitur të ngrënit.

Prisni që fëmija të pushojë së ngrëni dhe pastaj jepini përsëri ushqim. Nxiteni, por mos e detyroni!

Lejoni që fëmija të ushqehet vetë dhe t’i marrë ushqimet vetë me dorë.

Pakësoni gjërat që mund t’i tërheqin vëmendjen, pasi fëmija humb lehtë interesin.

Mbikqyrni fëmijën gjatë ushqyerjes dhe tregohuni të vëmendshëm ndaj shenjave ose sinjaleve të  tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat