Kush mund të preket nga osteoporoza?

Shëndetësia

Kush mund të preket nga osteoporoza?

Më: 10 dhjetor 2020 Në ora: 15:53
Foto Ilustrim

Osteoporoza është një sëmundje gjatë së cilës densiteti i kockës dhe cilësia e saj reduktohet gradualisht duke e bërë atë më të thyeshme. Humbja e masës kockore ndodh në mënyrë të heshtur dhe graduale, shpesh pa simptoma deri sa ndodh fraktura e parë.

Në shumë raste është ajo që evidenton osteoporozën, prandaj dhe është quajtur “epidemi e heshtur”. Vlerësohet se mbi 200 milionë njerëz në mbarë botën janë prekur nga osteoporoza. Në mbarë botën, 1 në 3 gra dhe 1 në 5 meshkuj mbi moshën 50 vjeç do të pësojnë një thyerje kocke prej osteoporozës. Osteoporoza shkakton më tepër se 8.9 milionë fraktura në vit; çdo tri sekonda ndodh një frakturë prej saj.

Kjo sëmundje, prek si femrat ashtu edhe meshkujt. Keqkuptimi më i zakonshëm është se osteoporoza prek vetëm femrat. Është e vërtetë se gratë në menopauzë janë më të rrezikuara për osteoporozë, por ajo prek miliona meshkuj anembanë botës. Rreziku i frakturave te meshkujt është më i madh se rreziku i zhvillimit të kancerit të prostatës. Disa faktorë rreziku duket se shtojnë rrezikun për osteoporozë.

Këta faktorë mund të jenë të pandryshueshëm ose të modifikueshëm Faktorë të pandryshueshëm janë: mosha, gjinia (gratë, sidomos mbas menopauzës, janë më të rrezikuara), historitë familjare (familjarë të afërt sidomos prindërit me osteoporozë), menopauza, hypogonadizmi te meshkujt, përdorimi për një kohë të gjatë i disa medikamenteve (si kortizonikë, hormone të tiroides, atiepileptikë, citostatikëj), artriti reumatoid dhe disa sëmundje kronike (si keqpërthithja, sëmundjet e mëlçisë, hyperthyroidismi, etj).

Megjithëse faktorët e mësipërm nuk mund të ndryshohen, është e rëndësishme që njerëzit të njohin faktorët e rrezikut individual apo të modifikueshëm, të cilët mund të mbahen nën kontroll. Këta faktorë përfshijnë: konsumin e lartë të alkoolit, pirjen e duhanit, indeksin e ulët të masës trupore (nëse është < 19-20kg/m2, kjo rrit rrezikun për fraktura), ushqyerjen e varfër me kalcium dhe proteina, marrjen e paktë/deficitin në vitaminë D, aktivitetin e paktë fizik, etj. Duke qenë se humbja e masës kockore gjatë osteoporozës ndodh gradualisht dhe është e padhimbshme, ajo nuk ka simptoma të dukshme që tregojnë se një person është duke zhvilluar osteoporozën.

Për këtë arsye osteoporoza quhet “epidemi apo sëmundje e heshtur”. Megjithatë, disa shenja si dhimbja e lehtë, reduktimi i gjatësisë trupore me disa cm apo frakturat mund të jenë të lidhura me osteoporozën. Një pjesë e mirë e rasteve janë fare pa shenja dhe osteoporoza konstatohet rastësisht mbas kryerjes së një testi të matjes së dendësitetit kockor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat