Solucionet me bazë kripe për hundët nuk mund të parandalojnë CoVid-19

Shëndetësia

Solucionet me bazë kripe për hundët nuk mund të parandalojnë CoVid-19

Më: 11 dhjetor 2020 Në ora: 15:05
Foto Ilustrim

Shtimi i frikës dhe ankthit nga shpërthimi i koronavirusit edhe në vendin tonë ka bërë që gjatë ditëve të fundit të dëgjojmë teori të shumta rreth kujdesit se si mund të shmangim dhe parandalojmë infektimin me Covid-19, duke përhapur shpesh herë edhe informacione jo të duhura. Një ndër to është edhe përdorimi i vazhdueshëm i solucioneve me bazë kripe në pastrimin e hundëve.

Kësaj pyetje se a mundet që pastrimi i rregullt i hundëve me solucion me bazë kripe të ndihmojë në parandalimin e infektimit me koronavirusin e ri, ekspertët e Institutit të shëndetit Publik i përgjigjen me faktin se nuk ka të dhëna mjekësore që kjo gjë të jetë e vërtet.

“Jo. Nuk ka asnjë të dhënë që tregon se përdorimi i solucioneve me bazë kripe për pastrimin e hundëve mbron njerëzit nga infektimi me koronavirusin e ri. Kemi të dhëna të limituara të cilat tregojnë se pastrimi i rregullt i hundëve me solucione me bazë kripe ndihmon në shërimin e më të shpejtë nga gripi i zakonshëm”, sqarojnë ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik.

Sipas tyre, përballë rrezikut në të cilin ndodhemi, si masë parandalimi thelbësore është distancimi social, qëndrimi në shtëpi dhe kujdesi për higjienën personale, atë respiratore si dhe në gatimin e ushqimeve.

Sa i takon këtyre rregullave bazike, rekomandohet që të lani shpesh duart me ujë dhe sapun ose pastrojini ato duke i fërkuar me pastrues me bazë alkooli. Kur kolliteni apo teshtini, duhet të mbuloni gojën dhe hundën me gropëzën e bërrylit ose shami letre, të cilën duhet ta hidhni menjëherë në koshin e plehrave dhe pastaj lani duart sërish.

Gjithashtu duhet që të mënjanoni kontaktet e ngushta me këdo që ka temperaturë dhe kollë. Nëse keni kollë, temperaturë apo vështirësi në frymëmarrje dhe keni pasur histori të udhëtimeve në vendet me shpërthime komunitare duhet të telefoni në numrin unik të urgjencës 127 dhe jo të shkoni direkt në spital vetë.

Mënjanoni konsumin e produkteve të mishit të pagatuara, apo gatuara jo shumë. Mishi, qumështi i papërpunuar apo organet e kafshëve duhet të trajtohen me kujdes, duke përdorur mjete mbrojtëse në mënyrë që të mënjanohet kontaminimin

Mos harroni se ka disa shkaktarë të sëmundjeve respiratore dhe koronavirusi i ri mund të jetë njëri prej tyre. Nëse keni simptoma të lehta dhe nuk keni qenë kohët e fundit në vendet e prekura, qëndroni në shtëpi derisa simptomat të lehtësohen duke zbatuar masa higjienike, të cilat përfshijnë higjienën e duarve dhe atë respiratore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat