Strategjitë për të mos vënë kujtesën në rrezik

Shëndetësia

Strategjitë për të mos vënë kujtesën në rrezik

Më: 17 dhjetor 2020 Në ora: 13:31
Foto ilustrim

Humbja e kujtesës është një rrezik që mund të lidhet me plakjen. Bën pjesë në një proces të njohur që përshkon trupin tonë, sepse me kohën, oksigjenimi i trurit bëhet më i vështirë dhe rrjeti i nervave bëhet më pak i ndërlidhur. Megjithatë, ekspertët theksojnë se stili i jetesës ka një peshë thelbësore në ndikimin e procesit të të plakurit. Më specifikisht, duhet të bëjmë kujdes ndaj disa zakoneve të jetës së përditshme. Le të shohim së bashku se cilat janë.

Stresi

Shpeshherë na ndodh të ndihemi të stresuar dhe veçanërisht në ankth. Stresi ndikon shumë te kujtesa, duke shkaktuar harresë të gjërave, konfuzion ose vështirësi përqendrimi. Në përgjigje ndaj stresit, organizmi ynë çliron një hormon: kortizolin. Ky i fundit, nëse është i pranishëm në një nivel të lartë, mund të çojë në humbjen e kujtesës dhe në dëmtim konjiktiv, përveçse në grumbullim e yndyrave në bark.

Një studim për këtë çështje ka demonstruar se personat e moshës së mesme, me një sasi të lartë dhjami abdominal, janë subjekte më në rrezik ndaj zhvillimit të ndonjë lloj forme të çmendurisë. Pra, është e rëndësishme të përpiqeni të mbani stresin nën kontroll, duke iu dedikuar jogës, meditimit dhe ushtrimeve fizike.

Gjumi

Kujtesa ndikohet edhe nga cilësia dhe sasia e gjumit. Pikërisht, kur ne flemë, në veprim vihen proceset e forcimit të kujtesës, përmes përforcimit të lidhjeve nervore që formojnë kujtime. Studime të ndryshme në lidhje me këtë temë, kanë treguar se personat që çlodhen mjaftueshëm, arrijnë të fusin në mendje më mirë informacionet e marra gjatë ditës.

Për këtë, është e rëndësishme të shkoni në shtrat në të njëjtën orë çdo natë dhe po me të njëjtën rregullsi të vazhdoni edhe në mëngjes. Është mirë të shmangni ushqimet dhe pijet, të cilat përmbajnë kafeinë, si kafe, pije me gaz dhe çokollatë.

Nëse nuk arrini të flini, atëherë më mirë dedikojuni diçkaje tjetër, si për shembull leximit ose dëgjimit të muzikës. Ndërkohë, në dhomën e gjumit mbani një temperaturë mesatare, duke shmangur si të nxehtin, ashtu edhe të ftohtin e madh.

Dieta

Edhe dieta ndikon në kujtesë. Për shembull, është zbuluar se nga kjo pikëpamje, thelbësore janë yndyrat e pangopura. Këto të fundit gjenden te peshku, si për shembull: te salmoni, toni dhe sardelet, te frutat e freskëta, te farat e lulediellit, të linit dhe tek avokado.

Shumë i rëndësishëm është edhe konsumimi i frutave dhe perimeve, sepse ato përmbajnë komponentët që reduktojnë stresin dhe për rrjedhojë plakjen e parakohshme të trurit. Ekspertët kanë thënë se, për të pasur një tru të shëndetshëm, të rëndësishme janë lakra, brokoli dhe spinaqi, të cilët janë shumë të pasur me antioksidantë.

Aktiviteti fizik

Jeta sedentare është zakoni më i keq. Në fakt, ushtrimet fizike janë thelbësore për të mbajtur në formë jo vetëm trupin, por edhe mendjen. Veçanërisht me ushtrimet aerobike do të mund të rriteshin dimensionet e hipokampusit (zonë truri) dhe e gjitha kjo do të përkthehej në përmirësim të kujtesës.

Ekspertët sugjerojnë të praktikoni 30 minuta në ditë lëvizje të moderuara, për pesë herë në javë. Shumë mirë do të ishte edhe ecja e shpejtë, si dhe noti. Është dëshmuar se ushtrimet aerobike mund të vonojnë humbjen e kujtesës me disa vjet.

Ilaçet

Edhe ilaçet mund të ndikojnë te kujtesa. Pra duhet të bëni kujdes në këtë drejtim dhe sidomos me ilaçet, të cilat veprojnë direkt në tru, si për shembull, me antidepresivët. Ja sepse nuk duhet të abuzoni me këto ilaçe. Madje, edhe kur të jeni të detyruar t’i merrni nga nevoja, duhet të konsideroni mundësinë për t’i zëvendësuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat